Degradimi institucional dhe politik i qeverisjes së sektit të Rilindjes!

Nga Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Në ditët tona, në çdo shoqëri pavarësisht sa demokratike është ajo, pushteti shtetëror i lidhur me një forcë politike dhe aq me keq me një individ, me kalimin e kohës degradon dhe humbet orientimin fillestar të tij. Në Shqipëri, degradimi i pushtetit në dallim nga rastet e shoqërive demokratike perëndimore, shoqërohet edhe me degradimin institucional të shtetit duke qenë se në Shqipëri nuk respektohet parimi i vazhdimësisë institucionale dhe përkohshmërisë së pushtetit politik të radhës. Po ashtu, në dallim me vendet demokratike perëndimore, madje edhe me ato fqinje ballkanike e më gjerë, në Shqipëri kemi një degradim të frikshëm politik të qeverisjes e cila ka tradhtuar jo vetëm programin politik e votuesin e saj, por edhe është shndërruar praktikisht në një klikë, oligarki, klan ose deri edhe sekt të rrezikshëm për demokracinë dhe interesin publik dhe atë kombëtar.

Degradimi institucional

1. Në Shqipëri e gjithë qeverisja është ngritur rreth kultit të një individi të vetëm, të Edi Ramës. Ky i fundit dhe qeverisja e tij mbështet nga të paktën shtatë kategori individësh: 1. Rrethi nepotik i përbërë nga kushërinj dhe familjarë të tij të ngushtë ose bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe të afërmit e këtyre të fundit.

2. Oligarkët duke përfshirë përfituesit e tjerë të kontratave publike që ushqehen me paratë publike dhe të drejtat publike, si dhe pushtetin shtetëror.

3. Militantët dhe simpatizantët e PS të cilët përbëjnë thuajse 100% të administratës shtetërore.

4. Përfituesit e tjerë të paligjshëm të interesave shtetërore.

5. Pjesëtarë të pushtetit gjyqësor duke përfshirë prokurorinë që mbrojnë dhe u shërbejnë interesave të këtij pushteti.

6. Rrjeti i propagandës duke përfshirë disa media dhe gazetarë të paguar e kontrolluar.

7. Anëtarë të botës së krimit interesat e të cilëve janë të lidhura me pushtetin aktual, apo shërbimet e të cilëve i përfiton pushteti aktual apo anasjelltas. Praktikisht, sot në Shqipëri çdo gjë kontrollohet nga ky individ, i cili është në konflikt të hapur me interesin publik dhe kombëtar të vendit e kombit tonë.

2. Nepotizmi, abuzimi me interesin publik, dëshira për të kontrolluar gjithçka, qëllimi i ruajtjes me çdo kusht të pushtetit, sigurimi i përfitimeve të padrejta për pushtetin dhe njerëzit rreth tij, ka çuar në një degradim institucional ekstrem të papasur ndonjëherë në vendin tonë dhe as në historinë e vendeve fqinje apo me gjerë. Praktikisht, ky degradim ka arritur nivelin e një shteti të dështuar (Failed state) apo një shteti i cili nuk është i aftë të kryejë funksionet kryesore për të cilat ekziston dhe është krijuar vetë shteti modern.

Si pasojë e këtij degradimi institucional sot Shqipëria i vetmi vend në botë:

 Që s’ka Gjykatë Kushtetuese, që s’ka Gjykatë të Lartë, që s’ka gjykata funksionale apelit dhe që praktikisht s’ka pushtet gjyqësor të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe profesional.

 Ku shteti nuk është i aftë të ushtrojë sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e tij dhe në gjithë dimensionin e tij.

 Që shteti ka zero kontroll mbi burimet natyrore.

 Ku borxhi tashmë ka arritur 100 % të PBB dhe ku në një vit buxhetor, investimet janë më të ulëta sesa pagesa e borxhit publik.

 Ku policia bën gjithçka dhe nuk bën asgjë.

 Ku kushtetuta, ligjet miratohen e ndryshohen sikur të ishin udhëzime ministri dhe ku aktet normative janë si urdhëresa administrative dhe të cilat ndryshojnë edhe ligjet e Kuvendit.

 Ku nuk ka Parlament të vërtet pasi ai përbëhet në masën më të madhe nga militantë qorr të partisë, të paaftë deri injorantë dhe që janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të ruajtur karrigen e tyre.

 Ku nuk ka zgjedhje të lira dhe administrata është e mbushur me njerëz me probleme me ligjin dhe jo vetëm.

 Ku nuk ekziston as ndarja e balancimi i pushteteve, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe ku praktikisht janë përmbysur parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Degradimi politik

Shqipëria është i vetmi vend në botë ku:

 të bësh politik është njëlloj sikurse të bësh humor apo marrësh pjesë në një ndeshje boksi apo mbledhje të një bande kriminale.

 Politika nuk është mision për t’i shërbyer interesit publik, por mision për të siguruar përfitime për vetë.

 Pushteti është fituar dhe mbahet me mbështetjen e krimit dhe posaçërisht atij të organizuar.

 Ndërtohen marrëdhëniet me fqinjët dhe me shtetet e tjera sipas orekseve personale të liderit që në shumicën e rasteve janë orekse antishqiptare dhe që bien ndesh me interesin publik në tërësi.

 Pushteti ushtrohet në formën me banale dhe abuzive që ekziston.

 Abuzimi, mashtrimi dhe keqqeverisja në tërësi janë aq të përhapura sa kanë marrë formën e dukurive të zakonshme e normale.

Në fakt këto janë vetëm nga shumë treguesit e degradimit institucional dhe politik të qeverisjes së vendit, e cila tashmë është e gjitha në shërbim të këtij klani të rrezikshëm qeverisjeje që është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të ruajtur pushtetin dhe çuar deri në fund këtë marrëzi kriminale dhe antishqiptare. Prandaj, sot më shumë sesa kurrë çdo Shqiptar duhet të jetë opozitar me këtë pushtet kriminal dhe të synojë që me votën e tij të rikthejë qeverisjen në shërbim të interesit publik dhe t’i kthejë popullit qeverisjen e tij. Ky klan i rrezikshëm qeverisje nuk ikën veçse me votën kundër e masive të Shqiptarëve që e duan vetën dhe Shqipërinë.

Të dashur bashkëqytetarë, duhet të dini se diktaturat krijohen vetë, por mbahen gjallë nga populli dhe nga mosreagimi i qytetarëve!

Prandaj, në këto momente kritike për vendin dhe kombin, e vetmja shpresë është opozita e vërtet, Partia Demokratike dhe Kryetari i saj z. Basha!

Të gjithë së bashku për Shqipërinë tonë të dashur!

Exit mobile version