Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimin pasuror për oficerin tashmë të shpallur në kërkim Fatos Lushi. Bëhet e ditur se, prokurorët e çështjes, krahas hetimit penal për akuzën e korrupsionit, po kryejnë edhe verifikimin pasuror të tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes. Hetuesit thonë se do t’i kërkohet Zyrës së Regjistirmit të Pasurive të Paluajtshme për të evidentuar pronat dhe pasuritë e oficerit Lushi. Gjithashtu do të kërkohet edhe nga bankat e nivelit të dytë, të zbardhen llogaritë e tij bankare dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes, siç po kërkohet edhe nga QKR për ndonjë biznes të regjistruar në emër të tij.
Burimet thonë se, oficeri Lushi vazhdon të jetë në kërkim policor dhe nga java që vjen, pritet që me kërkesë të Prokruorisë Gjykata e Krimeve të Rënda t’i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Kjo, pasi dyshohet se me veprimet e tij, duke marrë shumën prej 18 mijë euro ka konsumuar veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas Kodit Penal, nëse Gjykata e shpall fajtor oficerin Fatos Lushi për këtë vepër penale, ai rrezikon një dënim nga 6 muaj deri 3 vjet heqje lirie.
Nga ana tjetër, sipas grupit hetimor, prokurori Ardian Braho, në emër të cilit oficerit ka marrë shumën prej 18 mijë euro, është pyetur dy herë nga Prokuroria. Pyetja e tij, është bërë me cilësinë e deklaruesit dhe jo personit në hetim, pasi ende nuk ka një akuzë konkrete ndaj prokurorit tashmë të pezulluar Ardian Braho. Ndërkohë gjatë marrjes në pyetje, mësohet se Ardian Braho i ka thënë prokurorëve se nuk ka lidhje me shumën prej 18 mijë euro, me arsyetimin se heqjen e masës së sekuestros e kishte bërë për shkak se nuk kishte gjetur rekorde kriminale të shtatasit shqiptar dhe kompanisë që kishte transferuar paratë.
Mbrëmjen e së mërkurës, emisioni investigativ “Stop” në Televizionin “Klan” ka transmetuar skandalin në Prokurorinë shqiptare, ku një oficer kërkon dhe merr 18 mijë euro në emër të prokurorit të çështjes, për lirimin e një llogarie bankare me shumën e 150 mijë eurove. Shumë kjo e bllokuar që në gusht të 2014 nga Prokuroria, me dyshimin se kanë origjinë kriminale.