Kërcënohet një tjetër biznesmen i huaj: 10 mijë euro ose largohu

Një tjetër biznesmen i huaj është kërcënuar me jetë dhe i është kërkuar të largohet nga vendi, vetëm pak ditë pas dhunës së ushtruar ndaj biznesmenit amerikano-libanez Faadi Mitri, i cili u detyrua të largohej më pas nga Shqipëria. I kërcënuari është shtetasi italian, Mario Patrocci, i cili e ushtron aktivitetin e tij në Korçë. Ai ka folur për mediat, duke deklaruar se është kërcënuar nëpërmjet letrave dhe telefonatave që të dorëzonte 10 mijë euro ose për ndryshe do të zhdukej.
“Më jep 10 mijë euro ose mbyll aktivitetin privat”, ka qenë kërcënimi ndaj shtetasit italian, i cili kishte një aktivitet privat në fushën e marketingut në qytetin e Korçës. Biznesmeni italian, Mario Patrocci tregon se, personi që e kishte kërcënuar ishte një punëtor i tij, por që ishte i varur nga droga dhe po t’i kishte kërkuar ndihmë do e ndihmonte. E kishte mësuar vonë se kush ishte personi, i cili i kishte dërguar mesazhe kërcënuese në telefon dhe më pas dhe letra kërcënuese.
“Dje pasdite e kuptuam që ishte ai. Nuk kisha frikë, pasi unë kam punuar për 12 vjet në një agjenci investigative dhe nuk më frikësojnë këto gjëra, jam mësuar, por në një vend të huaj dhe një qytet si Korça. Aktivitetin tim mund ta bëja dhe në Tiranë, por Korça është shumë e bukur. Më ka kontaktuar në Facebook, më ka shkruar dhe një letër ku kërkonte 10 mijë euro”, deklaroi biznesmeni italian.
Ai thotë më tej se, nëse personi që e kërcënoi do t’í kërkonte ndihmë, ai do ta ndihmonte me para. “Të premten erdhi në zyrën time dhe më kërkoi dhe i dhashë euro. Ai erdhi tek unë dhe kërkoi punë dhe unë kërkoja një punëtor të besuar. Ishte një djalë i mirë, por me shumë probleme.  Mendoj se ishte përdorues droge. Nëse do të më thoshte, Mario më ndihmo, do ta ndihmoja”, përfundon biznesmeni italian.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se ka arrestuar autorin e këtij kërcënimi. Sipas policisë, ai është 25-vjeçari Velson Qyrani. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi ka kanosur me telefonata, me numër të fshehtë, si edhe me letra kërcënuese, italianin me iniciale M.P, duke i kërkuar këtij të fundit një shumë prej 10 mijë euro, në këmbim të jetës së tij. Mësohet se, autori ka pasur dijeni për një aktivitet privat në fushën e marketingut, që zotëron bashkëjetuesja e këtij të fundit në qytetin e Korçës dhe i ka kanosur ata me mbylljen e tij, nëse në këmbim nuk do të përfitonte shumën e kërkuar.
Por policia nuk arreston autorin e dhunës barbare ndaj biznesmenit amerikano-libanez, Faad Mitri ndonëse autori njihet tashmë publikisht, pasi është publikuar edhe fotografia e tij. Fotografinë e dhunuesit e ka dërguar vetë biznesmeni që kishte bërë një hetim paralel me atë të autoriteteve shqiptare, por çuditërisht ai vazhdon të jetë i lirë. Për këtë çështje, Rama tha një natë më parë në television se, autorët e rrahjes janë arrestuar, por i ka liruar Gjykata. E vërteta është që disa persona u ndaluan dhe më pas u liruan nga policia, sepse për ta nuk u gjetën prova që t’i lidhnin me ngjarjen. Në qeli është vetëm një person që iu gjet me vete një sasi e vogël kanabis sativa. Në momentin që gazetari Fevziu ka paraqitur foton e dhunuesit të biznesmenit, Rama është mekur. Atij i janë bllokuar fjalët dhe nuk ka mundur që të artikulojë asnjë fjali të saktë.

Exit mobile version