18-vjeçari gjermano-iranian ndodhej nën trajtim psikiatrik

Mynihu në gjendje shoku. Nëntë vetë vriten në qendrën tregtare në Mynih, në fund atentatori vret veten, 27 të tjerë të plagosur, 10 prej tyre rëndë, ku ndodhet edhe një 13-vjeçar, tha policia. Ndër viktimat edhe tre kosovarë, sipas burimeve të “Deutsche Welle-s, humbja e jetës së tre të rinjve nga Kosova konfirmohet nga policia. Shumica e viktimave janë të rinj. Policia konfirmoi të shtunën se atentati nuk ka lidhje me të ashtuquajturin “Shtet Islamik” dhe nuk ka pasur sfond terrorist. Edhe shërbimet sekrete amerikane kanë konfirmuar se autori i krimit ishte shiit dhe nuk ka pasur lidhje me IS-in.
Pas kontrollit në shtëpinë e vrasësit, policia konfirmon se mund të flitet për sulm amoku. Autori ka qenë në trajtim psikologjik për shkak se ka vuajtur nga depresioni. Duket se gjermano-iraniani ka pasur probleme në shkollë dhe nderonte autorin e sulmit amok të kryer nga një i ri në një shkollë gjermane, në Vininden, ku humbën jetën 15 vetë, më 11 mars 2009. Në kompjuterin e tij janë gjetur lojëra kompjuterike të dhunshme.

E premtja e zezë e Mynihut
Të premten në mbrëmje, policia foli për gjendje terrori. 2.300 forca policore u përfshinë në aksion. Mynihu ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Autobusët dhe metrotë ndaluan qarkullimin. Stacioni kryesor i trenit në Mynih u evakua. Njerëzve u këshillohej përmes sistemit të paralajmërimit “Katwarn” të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin në rrugë. Për orë të tëra nuk dihej se sa atentatorë janë dhe ku ndodheshin ata. Policia dha vetëm gjatë natës sinjalin e kalimit të rrezikut: Sipas informacioneve të saj, atentatori 18-vjeçar gjermano-iranian ka vepruar i vetëm dhe në fund ka vrarë veten.
Të shtunën herët presidenti i Policisë së Mynihut, Hubertus Andra doli para shtypit. Hetuesit gjermanë janë të bindur: 18-vjeçari është ai që qëllon i pari në një restorant në orët e para të mbrëmjes, pastaj ai përdor një pistoletë në një qendër tregtare dhe kërkon të largohet. Policë civilë kërkojnë ta arrestojnë dhe qëllojnë, e paqartë është ende, nëse atentatori u godit në këto moment. Kufoma e tij u gjend një kilometër larg qendrës tregtare në një rrugë anësore. Aty u sigurua edhe pistoleta e autorit të krimit.

Politika gjermane e tronditur
Policia shprehet se nuk ka atentatorë të tjerë. Gjatë së premtes në orët e mbrëmjes u kërkuan tre autorë me automatikë. Ende e paqartë është motivi i krimit. Ishte një akt terrorist apo gjendje amoku? Presidenti i Policisë së Mynihut thotë se “momentalisht ne bëjmë fjalë për goditje me armë”. Edhe në orët e para të së shtunës nuk ka të dhëna për një sfond islamist. Aktualisht dihet se gjermano-iraniani ka jetuar në Mynih për disa vite dhe nuk ka qenë person i njohur për policinë. Policia konfirmon se në një video që qarkullon në internet, duket se shihet atentatori në tarracën e një godine parkimi. Policia bën thirrje që nëse qytetarët e Mynihut zotërojnë video të tjera t’ia ofrojnë ato policisë. Pas goditjes me armë të premten në mbrëmje në qendrën “Olimpia” u përhap paniku. Qëllimi kryesor i policisë ka qenë siguria e banorëve, prandaj policia bëri fjalë për “gjendje akute terrori”, tha kreu i policisë, Andra.
Presidenti gjerman, Joachim Gauck u shpreh i tronditur. “Sulmi vrastar në Mynih më trondit thellësisht”, ka thënë ai dhe “jam me mendimet e mia tek viktimat dhe njerëzit që kanë humbur të afërmit e tyre”. Ministri i kabinetit të Kancelares, Peter Altmeier tha se nuk duhet të lejojmë “terroristët të arrijnë qëllimin e tyre, të bëjnë të pasigurtë shoqërinë”. Kryeministri bavarez, Horst Seehofer pas atentatit shpalli të shtunën ditë zie për Bavarinë dhe thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë së landit. Në Berlin po ashtu mblidhet të shtunën kabineti i sigurisë, nën Kancelaren Merkel, e cila ka qenë rregullisht e informuar për zhvillimet në Mynih. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere (CDU) ndërpreu për herë të dytë pushimet e tij për t’u kthyer në Mynih.

Exit mobile version