Napoli interesohet për Alban Hoxhën

Pas zërave për një interesim të Kievos për Alban Hoxhën dhe të një oferte zyrtare, në skenë ka dalë emri i një tjetër klubi shumë të njohur italian. Bëhet fjalë për Napolin e Elseid Hysajt, një skuadër e cila luan në Ligën e Kampioneve në këtë sezon.
Portieri titullar i napolitanëve, Pepe Reina, ka pësuar një dëmtim gjatë javës së fundit dhe Napoli po kërkon zëvendësues. Ndaj një kompani menaxhimi, “Football Agents Academy”, i ka ofruar klubit italian mundësinë që të firmosë me Hoxhën. Sipas mediave italiane, ka qenë kjo kompani që ka bërë propozimin, pasi nuk ishte Napoli që ka kërkuar direkt portierin shqiptar. Gjithsesi, situata mund të shohë zhvillime të reja gjatë ditëve të ardhshme, nëse Napoli e sheh të arsyeshme që të afrojë një portier cilësor para fillimit të sezonit. Gjithsesi, situata mund të shohë zhvillime të reja gjatë ditëve të ardhme, nëse Napoli e sheh të arsyeshme që të afrojë një portier cilësor para fillimit të sezonit
Penalltia “alla Panenka” e portierit të Partizanit, Alban Hoxha, ndaj Ferencvaroshit bëri xhiron e botës për faktin e thjeshtë që është pikërisht një portier, ai që arrin të ketë një cilësi teknike të këtij niveli. Gjithsesi Alban Hoxha, në një intervistë tregon se kjo nuk ishte hera e parë, madje se kishte provuar t’ia shënonte një të tillë edhe Berishës e Shehit në kombëtare. “Edhe në kombëtare, pas stërvitjes kemi gjuajtur shpeshherë me Berishën e Shehin penallti të këtilla”, thotë Alban Hoxha.
Megjithatë, një goditje e tillë konsiderohet gjithmonë fyese për portierin që e pëson, e si për ironi të fatit këtë herë goditja erdhi nga një tjetër portier. “Nëse do të ma gjuanin mua atë penallti, do të ishte shumë e vështirë ta kapërceja atë moment. Unë e gjuajta në atë mënyrë jo për të poshtëruar portierin kundërshtar, por se ashtu e mendova dhe besova se aty do të ishte goli më i sigurtë”, shprehet Hoxha.
Por mrekullia e kapitenit të Partizanit nuk mbeti te kjo goditje. Ajo u zgjerua edhe me pritjen e tre 11-metërshave. “Kisha një siguri se dy penallti do t’ua kapja kundërshtarëve, pastaj çdo gjë do të ngelej në duart e ekipit. Këtë e kisha të sigurtë. Janë edhe disa gjëra teknike, të cilat nuk mund t’i them këtu, sepse kemi kampionatin përpara”, vijon deklaratën e tij portieri i Partizanit.
Kjo paraqitje e tij e fundit ishte thjesht “qershia mbi tortë” e një periudhe disavjeçare, gjatë së cilës ai po luan në nivele kaq të larta. Në ndeshjen me Ferencvaroshin në Hungari ka pasur menaxherë të shumtë që e mbajtën nën vëzhgim, disa prej tyre edhe nga skuadrat e Palermos dhe të Chievos. “Në qoftë se do të flitet për një kampionat të fortë, kam dëshirë që të iki e të provoj veten në një sfidë më të vështirë”, thotë Alban Hoxha.
Duket se Chievo është më e gatshme për të marrë portierin e Partizanit, madje ka plotësuar kushtin financiar të kërkuar nga “të kuqtë”, prej 400 mijë eurosh. Megjithatë, tani topi është në fushën e Partizanit, për të vendosur nëse do t’i hapë rrugë karrierës së Hoxhës për një provë perëndimore, apo të respektojë kontratën.

Exit mobile version