Agjencia qeveritare e ngarkuar me tranzicionin nuk e njeh fitoren e Biden deri kur të zyrtarizohet

Ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe pretendon për manipulime në numërimin e votave, administrata e tij ende nuk ka filluar të ndihmojë fituesin e parashikuar, Presidentin e zgjedhur Joe Biden, në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë.

Agjencia qeveritare që njihet shkurtimisht si GSA ose Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, ka përgjegjësinë për të njohur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ri dhe për të filluar procesin e kalimit të pushtetit, që zyrtarisht bëhet ditën përurimit të presidentit me 20 janar. Agjencia cakton zyrat për ekipin e tranzicionit të zotit Biden në mjediset qeveritare dhe ndihmon në detyra të tjera të nevojshme. Por Emily Murphy, kreu i agjencisë nuk e ka filluar procesin.

Një zëdhënës i Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) tha se agjencia nuk do të fillojë procesin e tranzicionit deri sa fitorja e zotit Biden të çertifikohet zyrtarisht, por është e paqartë se kur mund të ndodhë kjo, meqënëse ende vazhdon numërimi i votave në një pjesë të madhe të vendit.

Rezultati i zgjedhjeve është i paqartë vetëm në pak shtete dhe organizatat kryesore të medias kanë nxjerrë demokratin Biden si fitues. Presidenti Trump nuk ka pranuar të njohë rezultatin ndërsa ekipi i tij ka hapur disa padi ligjore duke pretenduar, pa prova deri tani, se parregullsitë në votimet e së martës, dhe ditët pasuese të numërimit të votave i kushtuan atij fitoren e zgjedhjeve.

Zoti Trump shpreson që paditë ligjore do ta ndihmojnë atë të përmbysë rezultatin e votave të fituara nga zoti Biden në Kolegjin Elektoral, që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale, dhe jo të votës popullore, megjithëse zoti Biden udhëheq edhe me votën popullore.

Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell tha të hënën se Presidenti Trump, “ka 100% të drejtë të shqyrtojë akuzat për parregullsi dhe të peshojë alternativat ligjore”. “Institucionet tona janë ndërtuar pikërisht për këtë,” tha zoti McConnel në Senat, ndërsa shtoi se procesi do të zhvillohet dhe “do të arrijë në zgjidhjen e tij”.

Zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris po vazhdojnë me planet e tyre të tranzicionit, fillimisht duke u takuar me ekspertë të shëndetit lidhur me përpjekjet për frenimin e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, virusi u ka marrë jetën 237 mijë amerikanëve ndërsa 10 milionë të tjerë rezultojnë të infektuar. Ndërkohë, kampi i zotit Biden po kërkon bashkëpunim për tranzicionin nga zyrtarët e Presidentit Trump.

Zonja Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit, tha të dielën në rrjetin Twitter se, “Siguria kombëtare dhe interesat ekonomike të Amerikës varen nga sinjalet e qarta dhe të shpejta të administratës se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të respektojë vullnetin e popullit amerikan dhe do të angazhohet për një transferim të qetë dhe paqësor të pushtetit.”

Akti i njohjes së “fituesit të pritshëm” nga GSA, i hap rrugën ekipit të tranzicionit të adminisitratës së re të ketë qasje në kompjuterat qeveritarë, i siguron atij mbështetje logjistike, si dhe i paguan pagat.e tyre. Buxheti i tranzicionit për këtë vit është parashikuar në 10 milionë dollarë.

Zyrtarët e rinj pajisen me adresë emaili qeveritare dhe kanë zyra në çdo agjenci qeveritare. Zyrtarët po ashtu mund të fillojnë të plotësojnë formularët përkatës mbi të ardhurat financiare dhe konfliktet e interesit, para se të marrin detyra e reja qeveritare.

Qendra për Tranzicionin Presidencial, një organ jopartiak, po ashtu u kërkoi zyrtarëve të administratës së zotit Trump që të “fillojnë menjëherë procesin e tranzicionit paszgjedhor, që ekipi i zotit Biden të përfitojë plotësisht nga burimet e disponueshme sipas Aktit të Tranzicionit Presidencial”. Grupi tha se, “Kjo ishte një fushatë e ashpër, por historia është e mbushur me shembuj të presidentëve që dolën nga fushata të tilla dhe që ndihmuan me mirësjellje pasardhësit e tyre.”

Exit mobile version