Nga Pranvera SHEHAJ
Politogologe, Ekonomiste
“Asht i mjer ai popull që nuk ia del me zotnue bijt e vet të këqij” (At Zef Pllumi)
Ditë ku triumfon anti-vlera, anti-dija, anti-puna, anti-athetarizmi, anti-nderi, anti-morali, anti-humanizmi, anti-liria. Padije, analfabetizëm, vdekje intelektuale, mjerim shpirtëror, mjeshtëri mashtrimi e vetvetes se dimë, se punojmë, se jemi dikushi, se paraja dhe shitblerja e emrit na jep status për të folur, për të udhëhequr, për të premtuar në një vend ku vec sorrave mund t’u flitet përsa kohë humanë kanë mbetur më pak se ata që flasin. Nuk guxoj të mendoj se ju, ashtu si unë, nuk e gjetët dot veten të paktën në një nga këto fjalë, tog-fjalësh a cfarëdo mund t’i quajmë, se fundja rëndësi s’ka më përsa kohë secila prej tyre përshkruan Shqipërinë tonë.
Pak rëndësi ka, brenda a jashtë kufirit qofsh, sërish i përkasin Shqipërisë sime, Shqipërisë tënde. E di, se mes rreshtave po i mbush mendjen vetes se asnjë prej tyre s’të takon. Sërish, pa frikë, me bindjen absolute të dikujt që beson se populli më i mjerë është ai që ZOTI e braktis, po të them se si shqiptar secila fjalë të përket edhe ty. Është Shqipëria jonë, Shqipëria që jetoi aq gjatë sa për ta parë edhe këtë ditë ku hidhet valle mbi viktimat e mjerimit, ku i tundet kotherja e bukës të uriturit, ku përqeshet intelektuali, ku demaskohet pa turp i kamuri që harron se fjala pasqyron trurin e jo xhepin, ku kamerat e aparatet gajasen me penevreket e një pushtetari që i ka shitur shpirtin të keqes e që s’ndjen as faj, as keqardhje, as pendesë që deficitet personale i shfreu tek një popull që lëngon nga mjerimi.
Jetoi Shqipëria për ta parë edhe këtë ditë, ku i pafuqishmi i është dorëzuar pamundësisë për të marrë valixhet dhe hesht pa u ankuar, se fundja ai brez i mbetur në këtë vend u stërvit 50 vite për të heshtur e për ta vajtuar jetën para se ta mbyllnin. Jetoi Shqipëria për ta parë edhe këtë ditë, se c’ndjesi të jep, a të ngjall kuriozitet, të qeshura, dhimbje a pështirosje kur shikon se ai ata u besove të ardhmen e pasardhësve të tu, shpërfytyrohen përpara kamerave, pështyhen e lëpihen, gajasen e përbuzin, dhe ngrenë meskinitetin deri në atë pikë sa s’u dhimbset asgjë për katër vite më shumë. Një fushatë zgjedhore ku ata që më shumti duhej të përuleshin përballë bilancit të kohës, shpalosin një fjalor meskin, a thua se po u drejtohen miqve imagjinarë që shohin nën efektet e stimujve të jashtëm.
Jetoi Shqipëria për ta parë edhe këtë ditë, ku fushata e kohëve moderne nuk po lirohet dot nga zinxhirët e pushtetit tetë vjecar, s’po harron asnjë gjest a fyerje, asnjë manifestim të anti-vlerës që po bën dikush, kudo, për katër vite më tepër. Sigurisht, do thoni ju, ndoshta jo për katër, por për më shumë. E c’rëndësi ka më tej, kur pak më lart besova me zë të lartë se po shkojmë drejt asaj dite ku në Shqipërinë tonë do t’u bëhet fushatë sorrave. Kamerat e aparatet në këtë betejë të antivlerës, s’po arrijnë dot tek mësuesi, tek infermieri, tek mjeku, tek polici, tek roja i një insititucioni publik, tek gazetari a tek cdo kryefamiljar e kryefamiljare që kërcënohet cdo ditë.
S’po mund të arrijë në ndonjë fshat a mëhallë, ku ka ende nga ata shqiptarë të bekuar me urtësinë e moshës, të cilëve u kalon para syve Shqipëria e lashtësisë që kacafytet mes dhimbjesh me atë sot. Tek ata s’arrin dot as syri as veshët, edhe pse ndoshta do na jepnin shpjegimin e tyre se si lavdia e lashtësisë që shkruan fletët tona të historisë, i ka kthyer shpinën një Shqipërie që koha e ka përbaltur kaq shumë. Sa? Se di, ndoshta aq sa mund të përbaltesh kur s’të ngelet më fytyrë, moral, nder, krenari. Aq sa mund të përbaltesh kur më nuk njihesh. Plot dhimbje e nga dhimbja lëngon kur mendon se kush e përbalti.
Kush e nisi e kush e bitisi është diskutim i gjatë, diskutim që kërkon të zhvishesh nga emocionet e kohës. Por, si mund të mohosh emocionet kur dhe sot, në kohët e ashtuquajtura moderne, shikon se si identiteti i këtij vendi është bërë eskortë e luftës për pushtet. Identiteti i këtij vendi them, se dua ta mohoj që eskortë fushate është identiteti i shqiptarit. I shqiptarit që kërcënohet e prej rreckash e ulin në karrige përballë kryetarit, e po s‘pati vend, e ulim përpara ekranit, gati, me dyshim të palëkundur për t’u gajasur me teatrin, me batutat perverse të të parit të vendit, të atij që në një libër do renditet mes burrave të shtetit të këtij vendi. E po njësoj, prapë për rreckash do e cojnë të kontribuojë për një tjetër mandat të kryetarit, të kontribuojë për burrin e shtetit, dhe prapë e prapë, pa ndalesë do i thuhet të mos harrojë të gajaset deri në ekstazë me skecet e kryetarit. E s’do duhet të pyesë as se c’pret vallë kur e rizgjedh burrin e shtetit, as do guxojë të pyesë, se fundja s’është askush për t’iu shpjeguar burri i shtetit. Mjafton t’i kenë pëlqyer penevreket, ta gajasin batutat, të qeshë edhe kur e përbuzin, e tallin, e pështirosin se s’është shkolluar në Paris. Mjafton të rizgjedhë burrin e shtetit e të kontribuojë të mos e humbasë karrigen, se për të tjerat mendon ai, njësoj si dikur ai, tjetri pra, i lavdishmi ai.
Të paragjykosh është reflektim i injorancës dhe shprehje e varfërisë intelektuale, por s’di pse dua të guxoj e të pyes veten: si shpjegohet fakti se ka kaq frikë shqiptari? Po c’të tut vallë kur s’ke kë ushqen se për fat të mirë e të keq bashkë, në emër të së ardhmes fëmijët ta braktisën shtëpinë? E c’mund të të bëjë më shumë ky pushtet se sa të gajaset e të lypë me përbuzje votën e ashtu në ulërima e sipër, në ekstazë deliri, s’mund t’i dëgjojë se si kërcasin zorrët e të uriturve që i ka ulur përballë e u këndon këngën e fushatës. Po c’të tut vallë, kur je një i ri që i ka vrarë ëndrrat pa i nisur dhe kalon cdo ditë me planin se do ikësh nesër. As ti se di se ku…por, c’rendësi ka, e di që do ikësh nesër.
Jetoi Shqipëria për ta parë edhe këtë ditë, ku antivlera është ulur këmbëkryq e jep leksione pune, prosperiteti, ringritje. Jetoi a ka vdekur, se di, dyshime të forta kam edhe për këtë. Jetoi Shqipëria për ta parë edhe këtë ditë, ku turpi s’ka më turp, ku antivlera bën paradën e paturpësisë, ku krimineli i kohërave të vështira mohon sa e sa shqiptarë mbyllën sytë në shtëpi këtë vit pa e parë derën e spitalit e pa patur as mundësinë të shpresonin për të jetuar, ku mëkatet e cështjes kombëtare që u mbuluan me ekskursione diplomatike mbyllen në sirtarët e harresës, ku të pastrehë e të pabukë flenë në shkallët e pallateve që rrinë bosh, e rrinë se kanë pastruar letrat lejla të krimit. Jetoi Shqipëria për ta parë edhe këtë ditë, ditën kur bie në humnerën e humbjes në cdo drejtim. E ditë të tilla vijnë vetëm në dy raste: ose kur një vend ka vdekur e s’ka më ndjesi, ose kur mjerimi i ka varrosur cdo shpresë. Besoj tek kjo e dyta. Pse? Se “asht i mjer ai popull që nuk ia del me zotnue bijt e vet të këqij!” (At Zef Pllumi).