Lulzim Basha: Qëllimi ynë është t’ju ofrojmë shqiptarëve një qeverisje që sjell ndryshimin. Vendimin për ndryshim, shqiptarët e kanë marrë. Jo tani! Ka kohë! Tani vetëm po thellohet ajo që thashë më parë, tani po depërton edhe në familjen politike të Partisë Socialiste, edhe ata e kuptojnë që kështu nuk shtyhet më, për veten e tyre, për familjet e tyre. Besoj, kam bindjen, edhe për familjen e tyre politike, e kuptojnë që kështu nuk mund të vazhdohet më.
Një parti, e cila duhet të përfaqësojë interesa publike, interesa kombëtare, nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish, i një përqendrimi kaq ekstrem pushteti prandaj ajo që vërejmë në javët e fundit, është që bashkimit të madh të shqiptarëve, po i shtohen edhe socialistë, në kuptimin jo thjesht votues por edhe aktivistë të Partisë Socialiste. Ndryshimi sot është imperativ, i domosdoshëm dhe pastaj vijmë te një konstatim fare i thjeshtë. Kush do ta sjellë ndryshimin?
Ky që kishte tetë vite dhe e la Shqipërinë në vendnumëro apo një forcë politike, një koalicion, një aleancë e cila po vjen me një qasje serioze, me zotime dhe angazhime konkrete dhe ku spikat angazhimi më i madh, që të hapim negociatat dhe të rinisim e të përshpejtojmë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?