Një sasi prej 2.5 kilogramë kokainë dhe armë janë sekuestruar nga seksioni kundër narkotikëve në Korfuz dhe në Atika a të Greqisë. Mediat greke shkruajnë se policia e Korfuzit në bashkëpunim me kolegët e tyre në Atika bënë të mundur shkëmbimin e informacioneve duke çuar në pranga tre shqiptarë, përkatësisht 46, 41 dhe 57 vjeç, të cilët u arrestuan në Atika teksa po bënin një marrëveshje për shitjen e 1 kg e 95 gram kokainë.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën edhe 1 kg e 405 gram kokainë, dy armë tip pistoletë dhe dy makina. Mediat greke bëjnë të ditur se, ka dyshime se droga dhe armët janë future nga Shqipëria. Shqiptarët u dërguan pranë zyrës së prokurorit në Athinë nën akuzën e trafikut të drogës, armëmbajtjes pa leje si dhe thyerje të ligjit për të huajt. Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa po kërkon edhe dy shqiptarë të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Ky nuk është rasti i parë që policia greke sekuestron drogë dhe armë të future nga Shqipëria. Para pak kohësh polici greke goditi një tjetër grup trafikantësh shqiptarë po në Atika. Media greke bëri të ditur se organizata vepronte të paktën që nga marsi i 2015-s dhe kishte një strukturë kompakte me role të përcaktuara, për sigurimin, transportin dhe shpërndarjen e drogës. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e të arrestuarve janë sekuestruar 15,5 kg kanabis, 4 peshore precizioni, 14.350 euro dhe 800 paund, 1 pistoletë dhe dhjetra fishekë, dy automjete dhe 14 telefona celularë.
Në një operacion tjetër, policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar të moshës 37 vjeç, që akuzohet për posedim dhe trafikim droge, si dhe armëmbajtje pa leje. Ai u arrestua në zonën e Pireut, ndërsa në dy banesat e tij, që sipas policisë i përdorte për të ruajtur drogën, u gjetën dhe u sekuestruan 16,5 kg kanabis, 23.150 euro, një pistoletë me 7 fishekë.