“Shitblerja e votës është e patolerueshme në çdo demokraci të denjë për këtë emër”. Pas eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein, një tjetër zë del në Bruksel, kundër shitblerjes së votës për Reformën në Drejtësi. Fabio Massimo Castaldo, anëtar në Komisionin e Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian thotë se, ky është një fenomen i patolerueshëm në demokraci dhe se reformat e rëndësishme duhet të kalojnë me dakordësinë e të gjitha palëve. “Shitblerja e votës është e patolerueshme në çdo demokraci të denjë për këtë emër. Nuk pranojmë asnjë lloj logjike në këtë drejtim. Reformat e rëndësishme dhe kryesisht ato që prekin fusha të rëndësishme, si reforma e gjyqësorit, duhet të aprovohen sa më shumë të jetë e mundur me një qëndrim të përbashkët të forcave politike, pasi kur flasim për drejtësinë, për ligjin elektoral apo për Kushtetutën, flasim për rregullat e lojës. Rregullat e lojës shkruhen së bashku nga forcat politike për të garantuar që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit”. Por eurodeputeti Castaldo e ka edhe një porosi për klasën politike shqiptare. “Duhet evituar politizimi dhe ndikimi i partive politike në përmbushjen e funksioneve të jurisprudencës, të cilat janë themelore nga ana e tyre për kontrollin e funksionimit të institucioneve, por për më tepër, për të garantuar faktin që të drejtat që rrjedhin nga Kushtetuta të mund të realizohen dhe të mbrohen plotësisht”. Pak ditë më parë, eurodeputetët Kukan e Fleckenstein e cilësuan trafikimin në Kuvend të votës për Reformën në Drejtësi të papranueshëm në Parlamentin Europian. Reagimi i Castaldos vjen pas reagimit të europarlamentarëve dhe raporterëve për Shqipërinë, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, të cilët u shprehën se trafikimi i votës në Kuvend është i papranueshëm nga Europa. Kukan dhe Fleckenstein, njëkohësisht raporterët për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, janë shprehur kategorikisht kundër kalimit të Reformës në Drejtësi me trafikim të votave në Parlament. Në një prononcim për mediat, Kukan dhe Fleckenstein thanë se blerja e votës është e papranueshme dhe theksuan se Reforma në Drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën. “Miratimi i Reformës në Drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si çështje. Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”, u shpreh Knut Fleckenstein. “Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është Reforma në Drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjesht e paimagjinueshme në Parlamentin Europian. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë liderët politikë të flasin dhe të gjejnë rrugët për të arritur një marrëveshje. Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur, por procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qëndrueshëm të një vendi”, u shpreh Eduard Kukan.