2024

Nga Albi Xhunga

Egoizmi

Adam Smith na mëson se bukëpjeksi nuk na e jep bukën të ngrohtë, të freskët e me çmim të arsyeshëm sepse është njeri i mirë altruist që do të kënaqë të tjerët. Përkundrazi. Ai na e jep bukën të ngrohtë e me çmim të arsyeshëm, sepse është egoist. Ai mendon për fitimin e tij. Ai do që ta blemë bukën tek ai dhe jo tek bukëpjeksi tjetër në fund të rrugës.

Pra sipas Adam Smith, mjafton që të gjitha bizneset të ndjekin interesin e tyre dhe të pasurohen dhe ato zhvillojnë të gjithë shoqërinë. Konkurrenca përmirëson vazhdimisht përmirësimin e mallrave dhe shërbimeve. Kështu krijohet dhe Pasuria e Kombeve, që është dhe titulli i veprës së tij monumentale.

Ndaj kur flasim për demokracitë perëndimore themi demokracitë liberale. Ato natyrisht që nuk janë të gjitha liberale. Ato kanë qeveri të majta, të djathta, të qendrës e të ekstremeve, por kur vjen puna te tregu i lirë janë të gjitha liberale, sepse ky qytetërim është ngritur mbi tregun e lirë. Që teza e Adam Smith të funksionojë ka vetëm një kusht, tregu duhet të jetë i lirë…

Tregu shqiptar

Ne e blinim bukën tek bukëpjeksi i mirë, kështu që ai bukëpjeksi tjetër në fund të rrugës që nuk e bënte bukën të mirë, ka falimentuar. Kështu tregu do të nxirrte natyrshëm një bukëpjekës tjetër për t’i bërë konkurrencës bukëpjekësit të parë. Kështu do të duhej të funksiononte tregu i lirë. Vetëm se këtu ka një problem të vogël. Jemi në Shqipëri.

Bukëpjeksi i keq, kur pa se buka nuk shitej sepse nuk kishte cilësinë e duhur dhe ai nuk ishte i aftë ta bënte më të mirë, shkoi në një repart ushtarak dhe ofroi bukën e tij. Përgjegjësi i blerjeve i tha se buka që ofronte ai nuk i përmbush standardet dhe për më tepër, çmimi ishte i lartë në krahasim me tregun. Atëherë ky shkon sërish të nesërmen, këtë herë i armatosur me një zarf të trashë. Funksionari shtetëror ndërron mendje. Buka i duket mjaft e mirë dhe çmimi më se i arsyeshëm.

Meqënëse kjo funksionoi, ky shkoi edhe nëpër spitale, menza konviktesh, kopshte, institucione të ndryshme. Skema funksiononte gjithmonë. Tani nuk lejonte kënd ta quante bukëpjekës. Ishte bërë biznesmen. Tek furra e bukës e shiste bukën lirë, çka i shkaktoi falimentin konkurrentit të urryer, i cili desh e nxori nga tregu. Duke kaluar koha, furra të tjera falimentonin. Biznesmeni tashmë i kishte duart të lira të bënte ç’të donte me çmimin e bukës. Kjo i sillte fitime të mëdha. Kapitalin e fituar e investoi në ndërtim. Ngriti një firmë që ndërtonte rrugë, ura, tunele, kanalizime, ujsjellsa, etj. I mungonte përvoja firmës së tij për të konkuruar në tendera, por ai e kishte çelësin magjik. Vetëm se në këtë sektor zarfi duhet të ishte më i trashë, shumë më i trashë. Në fillim kjo përbënte pak problem. Por më vonë zbuloi llogaritë offshore. Paratë e fituara nga veprat publike investoheshin në kulla. Biznesmeni u shndërrua në një oligark të respektuar. I gjithë vendi e nderonte. Zyrtarët i rrinin pronto. I gjithë ky sukses mediatik i detyrohej dhe aksioneve që kishte blerë në mediat kryesore dhe gazetarëve që paguante nën dorë. Ishte bërë i paprekshëm.

Madje dhe gjyqësorin e kishte vënë nën urdhra. Disa banorë kishin probleme me ujin e pijshëm për shkak të një ujësjellësi që kishte ndërtuar ai, disa fshatarë ankoheshin se ura që i lidhte me qytetin ishte prishur për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit, etj etj. Zgjidhja e çështjeve në gjykatë ishte edhe më e lehtë. Nëse skema nuk funksiononte me gjyqtarin e shkallës së parë, funksiononte në apel.

Me me ndryshime të vogla, kjo ka ndodhur në tregun shqiptar. Është përçudnuar tregu. Korrupsioni ka prodhuar mostra të korruptuara që janë bërë si kuçedra që nuk e lëshon ujin për popullin dhe natyrisht që nuk lejon operatorë të rinj të hyjnë në treg. As investitorët e huaj nuk guxojnë të futen në një terren kaq të kompromentuar, sepse nuk ka as drejtësi. Në rast padrejtësie ndaj tyre nuk kanë ku të ankohen.

Shumëkush e kupton korrupsionin si vjedhje parash. Natyrisht që korrupsioni është vjedhje parash. Por nuk është vetëm kaq. Madje mund të thuhet pa e tepruar se ky është dëmi më i vogël që shkakton korrupsioni. Korrupsioni është kanceri që e mban një shoqëri në mjerim. Një shtet me treg të kapur nuk mund dhe nuk ka se si të zhvillohet e pasurohet. Konkurrenca e vrarë e bën biznesin e atij vendi jo konkurrent në tregjet ndërkombëtare. Nuk ka asnjë shtet në botë që ka prosperuar duke pasur korrupsion sistemik. Korrupsioni është kancer, është gangrenë që ha vetveten.

2024

Goditja që të SPAK ka nisur vitin e kaluar dhe që natyrisht pritet të intensifikohet këtë vit do të bëjë shumë “viktima” ndër politikanët dhe funksionarët e lartë. Tek e fundit ne nuk kemi votuar as për bukëpjekësin, as për biznesmenin e as për oligarkun. Ne kemi votuar për funksionarët shtetërorë. Ishte përgjegjësia e tyre të mbronin interesin tonë dhe natyrisht paratë tona. Është e rëndësishme që të dënohen sa më shumë të korruptuar që të jetë e mundur. Dmth që SPAK të provojë korrupsionin e sa më shumë zyrtarëve. Por nuk është kjo pjesa më e rëndësishme. Pjesa më e rëndësishme është çlirimi i tregut dhe çlirimi i politikës. Sepse në Shqipëri kanceri korruptiv ka krijuar dhe një oligarki politike që po e mban skenën të okupuar si një kuçedër. Edhe tani që e kuptojnë se iu ka ardhur fundi nuk shkulen. Janë kapur me thonj pas shpresës së shqiptarëve. Një plak i mbaruar bërtet nga ballkoni duke thënë se është opozita. Opozitë dmth shpresë. Një plak pa të ardhme na thotë se shpresa është ai. Ata që përplasin duart poshtë pallatit janë në numër më pak se të ftuarit e synetlliqeve, por ama kanë ora të bukura, xhaketa të shtrenjta, makina luksi. Ata duan që opozita të jetë Ay, sepse shumicës së tyre po ua ndjen prapanica lagështirën.

Një tjetër ngrehet si gjel në krye të pushtetit. Sytë i ka të ënjtur, çka tregon se natën nuk fle. Ora bën tik tak dhe ai e di se nuk ka shumë kohë. Do të rrëzohet me aq zhurmë sa askush përpara tij. Në të tilla raste mendohet dhe vetëvrasja për t’i shpëtuar poshtërimit publik.

Viti 2024 do të jetë viti i shqiptarëve të thjeshtë. Do të jetë viti i atyre që janë vjedhur. Do të jetë viti i atyre që iu janë mohuar të drejtat në zyrat e shtetit dhe të drejtësisë. Do të jetë vit i atyre që zgjohen herët, i kanë duart me kallo, e megjithatë nuk jetojnë dot me dinjitet, sepse kuçedra e ka zaptuar burimin. Do të jetë vit i atyre fëmijëve që kanë ftohtë nëpër shkolla, sepse paratë i ka gllabëruar kuçedra. Do të jetë viti i atyre që vuajnë e vdesin spitaleve pa dinjitet, sepse paratë i ka përpirë kuçedra. Do të jetë edhe vit i atyre që janë detyruar të ikin për ta kërkuar fatin diku tjetër. Në Shqipëri kjo ka ndodhur me përmasat e eksodit masiv permanent. Në një botë ideale, të korruptuarit e mëdhenj nuk do të duhej të dënoheshin vetëm për korrupsion. Në një botë ideale të korruptuarit e mëdhenj do të duhej të dënoheshin për korrupsion dhe për genocid. Akuza finale do të duhej të ishte genocid!

Viti 2024 do të jetë viti i fillimit të çlirimit të tregut të lirë dhe i skenës së okupuar politike. Që nesër të kemi një treg të lirë dhe politikanë që kanë frikë nga ligji.

Kaq duhet që Shqipëria të bëhet një perlë. Këtij vendi nuk i duhet asgjë tjetër për të qenë një vend ëndrrash. Zoti ia ka dhënë të gjitha…

Exit mobile version