VOA: Senati tejkaloi afatet. Ja përse Kostelancik i Shqipërisë dhe rreth 40 diplomatë nuk u votuan

Emërimi i diplomatit David J. Kostelancik për postin e Ambasadorit amerikan në Shqipëri, është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pasi Senati gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë. Emërimet e diplomatëve janë bllokuar nga disa senatorë republikanë.

Kandidatura e zotit Kostelancik u kthye të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, në bazë të një klauzole të rregullave të Senatit sipas së cilës “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen Presidentit.

“Nëse një emërim i kthehet Presidentit, ai nuk mund të shqyrtohet më nga Senati. Presidenti mund të paraqesë një emërim të ri për të njëjtin kandidat, ose për një kandidat të ri”, thuhet në rregullat e Senatit.

Nuk dihet ende se si dhe kur do të veprojë Shtëpia e Bardhë lidhur me emërimet e kandidaturave të rikthyera. Presideti mund të ridërgojë të njejtat emra, ose mund t’i zëvendësojë ata.

Nëse ridërgon të njejtën kandidaturë, procesi në senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo. Në të kaluarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.

Diplomati i karrierës Kostelancik, u emërua për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Zoti Kostelancik dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.

Republikanët kushtëzojnë konfirmimin e të emëruarve të Presidentit Biden.

Emërimi i zotit Kostelancik, është mes 43 kandidatëve për poste diplomatike që mbetën peng i bllokimit nga disa senatorë republikanë që e kanë kushtëzuar konfirmimin me lëshime ndaj disa politikave që ata mbështesin.

Departamenti i Shtetit ka thënë se kjo rrezikon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Mes atyre që nuk janë konfirmuar është edhe Kurt M. Campbell, i cili është emëruar për postin e zëvendës sekretarit të shtetit.

Edhe një senator i vetëm mund të bllokojë një emërim.

Senatorët republikanë, të cilët kanë vendosur bllokime për të emëruarit për ambasadorë përfshijnë J.D. Vance nga Ohajo, Ted Cruz nga Teksasi dhe Rand Paul nga Kentaki. Zëri i Amerikës ka mësduar se kandidatura e zotit Kostelancik është bllokuar nga senatori J.D.Vance.

Bllokimet e kandidaturave që kanë nevojë konfirmimi nga Senati janë një praktikë e zakonshme e betejës politike në Uashington.

Senatori republikan nga Alabama, Tommy Tuberville, për muaj të tërë vitin e kaluar, nuk lejoi konfirmimin e të paktën 425 ushtarakëve të lartë të Pentagonit. Ai e bëri zhbllokimin vetëm pas këmbënguljes së senatorëve nga partia e tij që të tërhiqej.

Exit mobile version