Shembja e ndërtimeve në bregdet/ Ish-ministri: Një operacion zaptimi tokash dhe përzënie e pronarëve nga pronat e tyre

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit përsa i përket shembjes së ndërtimeve pa leje në bregdet.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Fb, Manjani ka thënë se prishja e ndërtimeve pa leje, do të ishte në fakt një operacion zaptimi, i organizuar për të përzënë pronarët nga pronat e tyre.

Ai gjithashtu shkruan se ndërtime pa leje gjatë pandemisë nuk ka pasur, përveçse ato me leje nga lart, duke sjellë shembullin e plazhit të Manastirit, ku nuk ishte lënë të hynte pasi sipas shpjegimeve që i kishin dhënë, po bëheshin ndërtime nga një investitor tjetër.

Postimi i plotë i Manjanit

Siç dyshoja, aksioni i shpallur për “pastrimin e bregut nga ndërtimet pa leje”, do ishte një operacion zaptimi tokash dhe përzënie e pronarëve nga pronat e tyre. Në fakt mesa kishim parë përgjatë kësaj kohe, ku pandemia na izoloi më së shumti në breg, nuk kishte ndërtime pa leje. Të paktën joa aq masive sa për të shpallur një aksion kombëtar.

Ndërtime masive me leje nga lart ka plot, por jo pa leje.

Nejse, në plazhin e Manastirit nuk na lanë të hyjmë këtë radhë, siç kemi shkuar çdo herë tjetër. Na thanë që do pastrohet se do ndërtojë një investitor aty.
Mendova që pronarët e tokës kanë rënë dakord me ndonjë zhvillues. Por jo, nuk kishte lidhje. Qeveria/bashkia kishte vendosur të përzejë nga prona pronarët e tokës dhe t’ja japë për zhvillim një kompanie të njohur.

U trishtova sepse atë pronë e kanë ruajtur me mish e thonj pronarët.

Gjiri i Manastirit është ndër më të bukurit e Sarandës. Ai shërbim i thjeshtë e i natyrshëm që ofrohej aty nga pronarët e tokës e bënte të frekuentueshëm atë plazh.

Sidoqoftë, nuk jam kundër zhvillimit, por pa asnjë kompromis jam kundër rrëmbimit të pronës pronarëve legjitim.

Vazhdojmë të prodhojmë “ish pronarë”.

Exit mobile version