Vjeshtë me shi dhe baltë

Nga Agim Xh. Dëshnica

Freski,  ditë vjeshte, e hënë. Aty nga ora dymbëdhjetë nisi të binte shi, shi i imtë Tirane. Nga plepat e lartë trungjetrashë, rrëshkisnin tatëpjetë rrëkeza ujërash, ndërsa nga degët e lagura gjethet e verdha, këputeshin e binin në asfalin e rrugës së makinave.

Në atë kohë me shi një Fiat-polak, dy Gaz–BÇ e një mikrobus Xin-Fu, pasi lanë rrugën e Durrësit, u kthyen djathtas në udhën me gropa e baltë, të dëmtuar nga kamionët e ndërtimit. Të katër makinat e spërkatura me llucë, ndoqën njera-tjetrën, dalëngadalë e më së fundi ndaluan në qendër të Ndërmarrjes së madhe me fabrika e sheshe pune, me  vinça të lartë dhe plepa të ulët. Nga oxhakët e fabrikës së çimentos shpërndahej deri larg tym i hirtë dhe i zi.

Nga dritarja e zyrës teknike, Rudi pa tri vetura të ndaluara para klubit të kulturës, prapa tyre një mikrobus. Drejtori i bëshëm e pak i shkurtër e sekretari thatim i partisë, me çadra në duar, dolën me nxitim nga ndertesa e drejtorisë me dy kate e shumë dritare për të pritur miqtë e sapoardhur. Punonjës të zgjedhur nga zyrat e repartet, vrapuan drejt klubit. Po në atë orë, mesa kuptohej, çastisën gazetarët, sigurisht të gazetave “Zëri i Popullit” e “Puna”, ndërsa nga autobusi  i gjatë “fisarmonikë” “Shkodra”, zbritën gra e vajza, burra e të rinj, veshur e mbathur për bukuri, si për dasmë. Edhe Rudi e la zyrën, zbriti shkallët shpejt e shpejtë e mori udhën më të shkutër për në klub.

Në sallën e mbledhjeve busti i bardhë i derdhur në allçi, i udhëheqësit hijerëndë të partisë dhe të shtetit, gdhihej e ngrysej mbi skenë tok me parrullat në mure: “Lavdi PPSH!”, “Në një dorë kazmën, në dorën tjetër pushkën!” Zakonisht në atë sallë mbaheshin mbledhje me rëndësi. Në mbarim shpërndaheshin urdhëra e medalje, fletë nderi e lavdërimi. Çdo të shtunë, pas orës tre, shfaqeshin dy drama, njëra me ballistë e gjermanë të trembur, tjetra me fletë-rrufetë e revolucionarëve të revoltuar. Jepej përherë i njejti koncert. Kovaçi Braçe i ofiçinës, i qeshur me gërnetë e def me zilka, këndonte dy këngë. E para, ishte “Kongresi i Përmetit me shumë vendime“ dhe  e dyta, “Më ka marrë malli me u fejue“. Kjo këngë shoqërohej gjallërisht nga tre tenorë të Operës së mbyllur, me refrenin “Merre pra, lene pra“! Pastaj në kor vajza e djem, këndonin dy lavde për partinë. Bardhi, zdrukthëtar, recitonte dy poezi nga dy poetë të shquar të ngjashme me hymnin për revolucionin botëror. Në ato vite akull të ftohtë poetët me urat e zjarrit të vargjeve, ndezën flakë dynjanë, male, fusha e pyje. Regjizori i gjithë programit artistik, ishte një aktor i njohur të cilin pas studimeve në Moskë, siç flitej, e kishin sjellë për edukim në gjirin e klasës punëtore.

***

U përhap fjala vesh më vesh, se zytarët me vetura nuk ishin as artistë, as konferencierë, as regjizorë, as vizitorë, por njerëz të drejtësisë. Salla u mbush përplot me punëtorë e nëpunës. Rudi kërkoi e gjeti vend në radhën e tretë.

Në skenë, pas tryezës së gjatë mbuluar me cohë të kuqe, zunë vend vetëm juristët. Ata hidhnin sytë nga salla, afroheshin e flisnin kokë më kokë. Hapnin çantat, rrëmonin brenda e nxirnin dosje gri. Pastaj mbyllnin çantat e hapnin dosjet ngadalë. Mbi kokat e tyre, udhëheqësi i madh në allçi vështronte sallën  e murin përballë.

Sapo në sallë, hynë pesë djem të shoqëruar nga ushtarakë me uniforma blu, u kuptua se nuk do të mbahej konferencë për ligje, por do të zhvillohej gjyq.

Kryetarja e trupit gjykues, shoqja Sandra, një grua e shkurtër- faqesimite, pasi paraqiti anëtarët  gjyqtarë, çeli seancën gjyqësore për shqyrtimin e aktakuzës së prokurorisë kundër pesë të pandehurve që ishin orvatur me grusht shteti të krijonin një qeveri të re. Të pandehurit i përmendi me radhë: Ceni, mekanik, Agroni, frezator, Nasi, elektricist, Pali, tornitor dhe Zefi, shofer.

-Gjatë gjykimimit të çështjes- tha ajo- do të dëgjohen edhe dëshmitarët.

Më tej njoftoi se avokati i mbrojtës mungonte, se dergjej  në shtrat nga gripi kinez. Nuk la pa harruar as ligjet, rregullin e qetësinë në vend. Mandej iu drejtua anëtarëve të trupit gjykues, nëse kishin pyetje apo vërejtje. Në fund  i dha fjalën përfaqësuesit  të prokurorisë.

Prokuroti i shtetit, shoku Teli, i gjatë e pak  i hequr në fytyrë, me disa fletë të bardha ndër duar nisi me gjallëri  të lexonte aktakuzën.

Rudi duke dëgjuar me vëmendje, mori vesh se bëhej fjalë për një qeveri fantazmë, sajuar nga dorë mjeshtri, hë për hë me pesë zanatçinjë: Ceni-kryeministër, Agroni- ministër i arsimit, Nasi-ministër i brendshëm, Pali- ministër i industrisë, Zefi- ministër i transportit. Autori  i proçesit  gjyqësor me hetuesin në ato çaste ndoshta  ndodheshin aty, ose pinin kafe me konjak, fjaloseshin e  qeshnin. në klubin pranë Teatrit Popullor.

-Qeveria e re- tha prokurori- do të krijohej pas disa mbledhjesh të fshehta dhe agjitacionit e propagandës. Në fund me grusht shteti, të paktën me njezëtë vetë, do të përmbysnin pushtetin e popullit.

-Na marshin të keqen! – shpërtheu zëri i njohur i Athinasë.

-Poshtë armiqtë! – thirri sa i hante fyti një nga ata, që ishte ulur në stolat e prapëm.

-Në litar! Në litar!-ulëritën nja pesë-gjashtë. Këto britma u mbuluan nga një murmurimë e mbytur në sallë, por u shua sakaq. Akuzat ishin të shumta.  Sipas prokurorit pak si gjaknxehtë, në mbledhjet e asaj qeverie të çudishme me zanatçinjë, ishte vlerësuar sidomos përhapja e njoftimeve për veturat në perëndim. Kush qe më i shpejtë, Fordi apo Fiati, Ferari apo Benzi, Pezho apo BMV?  Shoferi paskësh thënë një fjalë armiqësore,  se “me Xin-fu prej Tirane në Shkodër kam shkue bash për gjashtë sahat.”  Në mbledhje ngrinin në qiell skuadrën e fubollit të lakejve  të Gjermanisë revanshiste.

Mandej prokurori ngriti lart një letër. Sipas saj ishte nxjerrë një sekret i madh zyrtar! Ceni u paskësh treguar shokëve për një mbledhje të hapur në Ofiçinën Qendrore të ndërtimit. Atje, pas kritikave të rrepta nga të dërguarit e ministrisë dhe kantiereve të ndërtimit, drejtori i oficinës i skuqur në fyturë,  qe ngritur e kishte folur shkurt kështu: “Diku në Torino, është një uzinë e madhe veturash. Në mbarim të proçesit teknologjik veturat njera pas tjetrës, dalin jashtë.  Kontrollori me shufër hekuri në dorë, hedh vështrimin rreth e rrotull veturës së parë, përgjon rrahjet e motorit e thotë: “kuesto buono!” Më tej pa pritur therret: “kuesto non e buono!?” Ngre shufrën e godet mbi të, kurse ju kamionët e shkatërruar në rrugë pa rrugë e zalle lumejsh, kur shumë pjesë këmbimi mungojnë,  i doni, tuto buono!”

Siç po dukej kjo shfaqje e çuditshme drejtësie, po merrej me punëtorët, të cilët pas punës kishin folur parqeve për  makina e sportin.

Kur prokurori mbaroi rolin e caktuar, kryetarja thirri të pandehurit:

-E pranoni akuzën?

Të pestë,  njeri pas tjetrit u përgjegjën me “jo”!

Ceni: As në andërr s’e kam pa veten teme kryeministër.

Agroni:  Ç’ne! Unë ministër?

Nasi për një çast heshti pastaj tha: As unë.

Pali: Ç’ka di veta! Veç në torno di me punue.

Zefi: Tan kohën e lume kam drejtue veç kamiona “Zis” ndër zalle lumejsh.

Prokurori kërkoi fjalën përsëri e derdhi breshëri  akuzash e pyetjesh, sidomos ndaj  kryeministrit, pa harruar se në emër të kujt fliste: “parti, popull, pushtet, ligje, drejtësi etj”…

-Na thuaj i pandehur, sa mbledhje të këshillit të ministrave keni zhvilluar? Kush diskutoi?  Ç’vendim morët për grushtin e shtetit?

Ceni, sa nuk qeshte me këto akuaza e pyetje.

Rudi në heshtje e qortonte: ”Ç’qesh o i gjorë! Akuza të tilla të dërgojnë lidhur para togës së pushkatimit”.

Kur prokurori ngrinte zërin edhe më, i akuzuari mblidhte mendjen e zbehej. Djemtë e tjerë, duke mos qenë të njohur me seanca gjyqësore, e ndërprisnin shpesh shokun Teli. Shoqja Sandra përmendej dhe me të drejtë vendoste  rregull e qetësi.

Ndërkaq Rudi pyeste: “Me gjithë mend e kanë këta juristë nga jugu, që ngrefosen përballë punëtorëve të lodhur me defterë e stilografë kinezë në duar? Mos është kjo, posi loja me luftë para një jave në Kombinat, me alarme e sulme aeroplanësh me bomba atomike”? Mesa i kujtohej, në raportin e luftës shkruhej: drejtori u plagos. Komandën e mori zv.drejtori. Sanitarët e mbartën drejtorin me barelë në spital-strehimin, ndërtuar me çimenton e prodhuar në fabrikën e çimentos me forcat tona. Shefi i furnizimit u vra. Shefit të planit iu shtua dhe detyra e furnizimit. Punëtorët-ushtarë luftuan trimërisht me mitrolozë mbi taraca, çati e buzë lumit. Disa dhanë jetën me partinë në gojë. Armiku nuk pati më guxim të vijonte më tej sulmet pirateske. Kombinati shpëtoi me pak dëmtime. Fabrikat punonin, norma tejkalohej e plani realizohej. Kështu ishin këto lojëra. Mos vallë në sallën e klubit po ndodhte diçka e ngjashme?

Nasi, i caktuar ministër i brendëshem, ndërsa po pyetej, ndërroi mendje, duke pranuar gjithçka. Befas iu morën mendt e u shtri me atë trup të shëndoshë drejt e në dysheme. Prokurori me dorën drejtuar poshtë, i mëshoi zërit edhe më:

-Shihni, ç’ministër kanë caktuar!

Një nga dëshmitarët, flok-kuq e verdhacuk, fliste shtruar. Nuk zbardhej, por as nxihej, me sajime e kallxime ndaj shokëve.

Rudi vuri re se proçesi gjyqësor po zgjatej si shumë me çështje transporti ndaj mendohej: “përse kryetarja paska zgjedhur kombinatin tonë, që s’ështe as uzinë traktorësh e tankesh, as park dhe as ofiçinë veturash? Veturë ka vetëm drejtori”.

Shoku Teli, sipas rregullit kërkoi nga trupi gjykues dënimin e tyre si fajtor: për kryeministrin 15 vjet me heqje lirie dhe për çdo ministër 5 vjet. Pas tij hynë në valle fajtorët pa faj e pa avokat, me kërkesa të kota për pafajësi. Trupi gjykues me dosjet mbi tryezën e gjatë  me shoqen Sandra në krye, ngritur në këmbë, pas përgjumjes, i quajti fajtor  sipas ligjit të njohur n.55, për agjitacion e propaganda, Vendimi: shtatë vjet heqje lirie për të gjithë, me përjashtim të ministrit të  brendshëm, i lirë me kusht.

-Ky vendim – tha kryetarja- është i formës së prerë.

Rudit iu kujtua një përrallë me Nastradin, Padishah e me vezir në gjyq. Kadiu pas akuzash të rrepta, kërkoi nga Padishau i përgjumur dënimin e një farë filozofi, kockë e lëkurë, të quajtur Risili, me njëzetë goditje kamxhiku në prapanicë.

***

Rudi i ngritur në këmbë edhe ai tok me të tjerët, pyeste në heshtje kryetaren: “Po me grushtin e shtetit ç’u bë? Po qeveria? Mos vallë trupi gjykues harroi?” Iu duk sikur perdet e skenës, ashtu si në teatrin tragjik, nën breshërinë e duartrokitjeve, po uleshin përvajshëm.

Në rreshtat e para shquhej shtati i lartë dhe i hollë i Rudit, ndryshe nga shoqja Sandra, e shkurtër, por e bëshme. Tek po dilte Rudit iu kujtuan shpikësit e dëgjuar të makinave dhe fliste me vete: “askush s’duhet të habitet me ligjet tona  aq shkencore, që me të drejtë kërkojnë të mbyllet goja për shpikjet e tyre”. Ndërkohë Këshilli i Ministrave me Kryeministrin në krye pak javë më parë kishte marrë një vendim të jashtëligjshëm. Disa vetura çeke të mbetura parqeve, ua dhanë qytetarëve me çmime të caktuara nga lartë. Shumë djem vrapuan dhe i blenë pa ngurim. I ringritën menjëherë dhe u sulën me hare jashtë qyteteve. Një ditë, nuk dihet se kush, dha një kundër-urdhër. Veturat u ngujuan në oborre shtëpish për kotece pulash. Natyrisht si përherë, vetëm kuadrot kryesore, pas mundimesh në zyra, plenume apo mbledhje, duhet të shlodhen ndër vila pranë detit. Të shetisin me vetura nëpër atdheun tonë të bukur për të mirën e të cilit u del gjumi natën. Njeri drejt veriut, tjetri për në jug. Në ato orë vargu i gjatë i policëve në rrethe me radio në vesh, shfaqej  buzë xhadeve të cilat duhet të jenë të qeta e pa rrezik për jetën e tyre. Si mund të jetohet pa ta”?

***

Juristët e shtetit, të përcjellë nga drejtori e sekretari i partisë, u hipën veturave të përfolura. Të mbështetur qetë në ndenjëset e buta u larguan nëpër rrugën me baltë e gropa. Prapa nxitonte me zhurmë Xinfu-ja-burg. Në ato çaste shkrepi rrufeja. Si mallkim, qielli bubulloi. Shiu i imët u kthye në rrebesh. Nëpunësit e ndërmarrjes së madhe, të prirë nga drejtori e sekretari u sulën për në ndërtesën me dy kate e shumë dritare të drejtorisë. Punëtorët vrapuan për në reparte, ndërsa ata të ndërmarrjeve të tjera, mbërritën me një frymë në autobusin “Shkodra.” Nëpër retë e nxira të ulura poshtë, tymi i zi i fabrikës së çimentos që ngrihej lart e shpërndahej në lagjen pranë, thuajse nuk dukej.

***

Prokurori i shkathët, kur dikush nga fisi i vet ra nga fiku, u emërua magazinier zhavori jashtë Tiranës. Në kohra lirie, punoi avokat e mbronte mafiozët. Jo vetëm kaq, si i përndjekur, pas vitit 1997, u zgjodh anëtar i Këshilliit të Lartë të Drejtësisë.

Historianët e ndonjë shkrimtar i plakur këto histori i dinë më së miri, por nuk shkruajnë, se u është mbaruar boja. Kur takohen, nuk thonë asnjë fjalë për to, qajnë hallet për librat e tyre, që s’i prek me dorë askush e psherëtijnë për fatin e fabrikave gërmadha tok me oxhaqet pa tym.

————————-

Exit mobile version