Faktet janë përherë më të mira se sa ëndrrat, shprehej dikur Churchill.
Shqipëria vazhdon të boshatiset ndërkohë që qeveria i mbush mendjen shqiptarëve se është kthyer në komarderen e shpëtimit të tyre.
Të dhënat e punësimit të INSTAT raportojnë jo vetëm një ulje të punësimit për shqiptarët nga mosha 15-64 vjeç por demaskojnë dhe qeverinë përmes politikës së shpopullimit të Shqipërisë.
Nëse do të bëjmë një krahasim mes numrit të popullsisë të aftë për punë nga viti 2013 e deri më tani do të shohim se ajo ka rënë me 2.5% në 8 vite. Ndërkohë që numri i të punësuarve nga mosha 15-64 veç vazhdon të bie.
Shifrat janë një këmbanë alarmi për një vend që po plaket dhe për këtë qeveria nuk ka asnjë alternativë reale për ta shpëtuar.
Shifrat e ekonomisë janë një tregues që duhet të shqetësojë çdokënd. Ulja e numrit të punësuarve do të thotë më pak parà në xhepat e shqiptarëve, më shumë varfëri.
Për një ekonomi që 40% e saj është informale, më e larta në rajon, ku papunësia është ndër më të lartat në rajon dhe ku emigrimi është më i larti në rajon dhe më gjerë. Shenjat janë tejet shqetësuese.
Numri i shqiptarëve që do të jetojnë me nën 5 $/frymë pritet të rritet. Numri i shqiptarëve që mund të largohen për të kërkuar një jetë të mirë jashtë kufijve të Shqipërisë pritet të rritet.
Ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë vizion dhe asnjë politikë për të rikthyer mundësinë dhe shpresën këtu. Shqipëria është kthyer në një burg të madh ku askush nuk po kërkon më të qendrojë.