Helmimi masiv në Krujë, deputetja e Krujës, Merita Bakiu: Kryetari i Bashkisë Artur Bushi të japë dorëheqjen.
Enkelejd Alibeaj: Helmimi nga uji në Krujë, krim masiv. Hetim i shpejtë për të nxjerrë përgjegjësit
DEKLARATË E DEPUTETËVE ENKELEJD ALIBEAJ DHE MERITA BAKIU
Merita Bakiu: Mosfurnizimi me ujë i ka çuar familjet në Krujë në një krizë tjetër përveç sëmundjes.
Jemi të shqetësuar sepse shteti nuk ka reaguar fare. Është e tmerrshme që në këtë helmim kaq masiv qeveria të mos reagojë. Kanë reaguar pas tre ditësh vetëm kur filluan mediat, presionet politike dhe problematikat e njerëzve. Atëherë Ministrja e Shëndetësisë tha se e kemi situatën nën kontroll. Në të njëjtën kohë kur në qytetin e Krujës njerëzit po marrin ndihmën e parë dhe spitali nuk ka infrastrukturën e duhur. Jemi të shqetësuar për situatën. Është një situatë që nuk ka ndodhur ndonjëherë bnë qytetin e Krujës. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kryetari i Bashkisë Artur Bushi duhet të japë dorëheqjen.
Pyetje: Çfarë ka ndodhur konkretisht? Nga ka nisur?
Merita Bakiu: Mendohet se nga përgjigjet jozyrtare që kanë ardhur, është kontaminimi.
Enkelejd Alibeaj: Është një përgjigje që mediat e kërkojnë. Çfarë ka ndodhur? Kush e ka shkaktuar? E dimë pasojën sot. Së paku 120 qytetarë të Krujës, të vegjël, familjarë, të moshuar, sot janë shtruar në spital, pa përmendur të gjithë pjesën tjetër që janë në shtëpi. Kërkon një përgjigje. Kush e ka shkaktuar. Përse e ka shkaktuar? E patë dje përgjigjen e kryeministrit. Hoqi dorë. “Kam pirë vetëm një gotë ujë para ca kohësh, tha tani nuk dua t’ia di”.
Duke hequr përgjegjësinë që duhet të ketë në fakt i pari i qeverisë.
E ka detyrë politike, njerëzore, ligjore. E hedhin topin, bashkia, ujësjellësi. Atje janë duke vuajtur. Askush nuk u ndodhet afër. Në të gjithë këtë verbëri dhe shurdhmemecëri është detyra e dikujt që do të duhej ta ngrejë si problem, atë që bëri kolegia Bakiu, atë që bëmë edhe ne me kërkesën që paraqitëm tani në parlament, për ta diskutuar fillimisht.
Pyetje: Përse nuk e kërkuat në formën e një interperlance?
Enkelejd Alibeaj: Sepse detyra e parlamentit është pikërisht të vendosë të gjitha institucionet e tjera ekzekutive dhe përtej saj, nën atë që quhet presioni qytetar. E patë çfarë përgjigje dhanë? Sepse, nuk ka projektligj, e s’kemi një çështje. Kryetarja e Parlamentit, mos e politizoni çështjen. Kjo çështje duhet politizuar sepse parlamenti eksizton për këto çështje. Nuk e kemi kërkuar dhe nuk kemi përse e kërkojmë sot për interperlancë që të kujtohemi pas 2 javësh, një muaj ku të ketë ndodhur një tjetër fatkeqësi në këtë vend.
Fatkeqësia ka ndodhur sot. Njerëzit sot po vuajnë. Ndihma, asistenca dhe kërkimi i përgjegjësisë duhet bërë sot, jo më kalimin e kohës, pasi të ndodhin të tjera çështje dhe skandale dhe ky pastaj të ngelet nën pluhurin e harresës.
Pyetje: Ka ndodhur prej katër ditësh helmimi z. Alibeaj, mund ta kishit bërë kërkesën për interpelancë siç keni dorëzuar amendamentet për reformën zgjedhore?
Alibeaj: Ne e kemi bërë këtë. Ju e dini fare mirë dhe besoj e keni ndjekur. Ka probleme shëndetësore Ambrozia dhe kjo është akoma më e rëndë. Ju e dini fare mirë që përfaqësueset tona, znj.Bakiu, znj.Pampuri, znj.Çupi shkuan të parat në vendngjarje. Kjo është detyra, e drejta dhe detyrimi i opozitës sepse vetëm prej lëvizjes së opozitës qeveria, parlamenti, bashkia apo të gjitha institucionet e tjera mund të lëvizin nga një këmbë. Ky është detyrimi ynë. Nuk pret më sëmundja për procedurë. Nuk pret më shëndeti për procedurë. Duhet sot. Duhet tani. edhe kjo dalje publike e jona, të shpresojmë që të gjithë ata “shurdhmemecë” e “të verbër” e të papërgjegjshëm që janë aty me kryeministrin të marrin një orë e më parë të gjitha instrumentat që ligji ua jep t’u ndodhen njerëzve afër dhe të gjejnë përgjegjësit sepse ky është një krim masiv.