“Ulja e TVSH-së për mallrat e shportës”/ Basha: Një masë urgjente për të ndihmuar familjet shqiptare

– “Ulja e TVSH-së për mallrat e shportës”/ Basha: Një masë urgjente për të ndihmuar familjet shqiptare, që sot po përballen me rritjen e gjithanëshme të çmimeve

– “700 milionë Eurobond”/Basha: Merrni borxh për të larë borxhin. Punësimet elektorale u kushtojnë qytetarëve 117 milionë euro më shumë për pagat e patronazhistëve

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË SEANCËN E KUVENDIT

Si the pak më parë që FMN s’ka thënë gjë për vdekjet? Rri dëgjoje gënjeshtrën tënde. Nuk rri dot. Mirë. Ja ku i ke konfirmimin e FMN, meqë dole të qetësohesh pak tek dhoma ngjitur dhe të uroj qetësim të mbarë dhe të shpejtë. Si? Dhe cilësinë e diellit, ose të miellit. Dëgjoje nga dhoma ngjitur meqë s’ke guxim të rrish këtu . Shqipëria kishte numrin më të lartë të vdekjeve në Europë në vitin 2020 në raport me mesataren e 2015-2019, sipas publikimit të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në dokumentin e quajtur Pasqyra Rajonale Europiane e Tetorit 2021. Pra ndryshe nga të paaftët që të rrethojnë dhe që s’të ndihmojnë dot në paaftësinë me të cilën ke hipur në atë karrige e mbahesh me thonj, e vërteta është ajo që deklarova unë dhe që në fakt e kanë botuar çdo media serioze dhe e pakapur. Sipas grafikut të botuar nga FMN, vdekjet shtesë ishin mbi 20% më të larta se mesatarja e 2015-2019, e para në Europë. Pra jo vetëm në Europë, por nga shtetet e rajonit ti ke një diferencë të jashtëzakonshme edhe me mikun tënd të dashur Aleksandër Vuçiç. Pastaj pasqyra bën të qartë vendet ku pandemia nuk ka patur efekte të tilla shkatërrimtare.

Mos kini merak se çfarëdo që të thoni mbrapa meje këto të FMN nuk i ndryshoni dot, vetëm shpjegojani atij mos të dalë këtu për faqe të zezë se pastaj meritoni t’ju shkarkojë edhe më shpejt se çka ndërmend t’ju shkarkojë. Prandaj këtij fakti mos i ik siç i ike sallës, siç i ike edhe herën e kaluar. Del këtu përdor një fjalor të padenjë ndaj zonjave, siç e ke zakon, siç të ka shoqëruar gjithë jetën tënde, pastaj një e dy merresh me dhembët dhe me brilantinën. Në radhë të parë njëherë të siguroj që në jetën time skam përdorur brilantinë. Nëse ke interes se si i mirëmbaj unë flokët s’është për parlamentin, por as nuk të duhet se ti s’ke flokë, por këtu s’jemi për punën e flokëve, as të dhëmbëve. Ke harxhuar një orë duke folur për flokët e mia, një orë. Pse? Që të mos flasësh për hallet e shqiptarëve. Kush janë pengjet?

Pengjet janë shqiptarët, pengje të varfërisë, pengje të mosshpërblimit për dëmin e shkaktuar nga tërmeti që e premtove, pengje të shkollave që nuk i ke ndërtuar akoma, se do që sheshet e ndërtimeve t’jua japësh oligarkëve si Naim Frashëri në Durrës, pengje të padrejtësisë, të grabitjes së pronave, të shkatërrimit të shtëpive pa ligj siç bëre këto dy ditë tek 5 maji, pengje të mizorisë, që te shpërfaqet nga shpirti me çdo akt të këtij shteti brutal, të pafytyrë njerëzore, pa zemër që ke ndërtuar këto 8 vite, si një shërbëtor tëndin , të oligarkëve dhe të kriminelëve dhe si një shtypës i qytetarëve të thjeshtë, si një kullë pa dyer dhe pa dritare dhe nuk troket dot askush as i varfëri, as sipërmarrësi, as punëdhënësi, as shtresa e mesme, as studenti, as pedagogu, sepse përgjigja jote tani e 8 vjet është që faji është kudo tjetër përveçse tek ai që qeveris vendin prej tetë vitesh je ti dhe vetëm ti.

Ndaj dy ditë më parë për ti dhënë fund hipokrizisë tënde ne depozituam projektligjin për uljen e TVSH së shportës nga 20 në 6%. Kjo është një masë urgjente që duhet ndërmarrë për të ndihmuar familjet shqiptare, për të cilat ty s’ta ndjen sepse sa herë që vjen fjala për ta ose vjen këtu dhe bën klounin, ja kërcet e ikën siç ike. Familje të cilat po përballen ditë për ditë me rritjen e çmimeve si rezultat i korrupsionit dhe i dështimit të qeverisë tënde , jo vetëm shtresat në nevojë , por të gjithë familjet që jetojnë me punë të ndershme dhe që mbaje rekord në Europë për shpenzimet që shkojnë për ushqime dhe s’ka tregues më të dhimbshëm se ky.

Rekordi i shpenzimeve për ushqime në Europë tregon varfërinë e lartë në vend , se disa në këtë sallë mund ta injorojnë, por që askush nuk mund të bëjë sikur nuk e di. Deputetet e vendit me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë dhe varfërinë më të lartë në rajon, fuqinë blerëse më të ulët ku rritja e çmimeve vrapon shumë më shpejt dhe rritja anemike e pagave dhe pensioneve më të ulëta në 30 vite nuk mund të heshtin për aq sa e konsiderojnë veten deputetë dhe jo pengje të p[pengmarrësit të të sotmes së shqiptarëve, as të mbyllin sytë, as të mbyllin veshët përballë njerëzve që blejnë me lista nëpër dyqane apo të gjithë të tjerëve që po varfërohen për shkak të shtrenjtimit të çmimeve.

Ndaj kemi përgjegjësi përballë familjeve shqiptare që e dinë më mirë se të gjithë ne se çfarë po heqin në jetën e tyre të përditshme dhe përgjegjësia është t’ju ofrojmë nga kjo sallë, jo shfajësimet e të mbyturit që kapet pas fijes së kashtës dhe trekëndëshit të Bermudës, por t’ju ofrojmë zgjidhje konkrete. Ky parlament pavarësisht se i pjellë nga paligjshmëria e ka mundësinë ta ofrojë këtë zgjidhje, e ka mundësinë t’ua lehtësojë barrën e rëndë të gjithë atyre familjarëve që duhet të shtrojnë tryezën e tyre të paktën 3 herë në ditë për ata që kanë fat. Sepse edhe deputetët e këtij që u largua e dinë që në zonat e tyre ka familje që hanë një herë në ditë dhe ngrysen me ankthin e të nesërmes dhe me pasigurinë për fëmijët e tyre. Ndaj ky propozim është për ta. Nuk është për t’u bërë llogje, as për të gjet justifikime, as për ta devijuar debatin tek metaforat e lodhura dhe të stërdëgjuara të të sëmurit të Tiranës.

Që në fakt kanë qenë një premtim për shumë, shumë, shumë kohë i pa mbajtur, i vetë këtij dhe i partisë tuaj, i programit tuaj elektoral. Dhe pas gënjeshtrave tuaja elektorale në kohën kur njerëzit kanë më shumë nevojë, ulja e TVSH-së për shportën ushqimore duhet të bëhet realitet sot. Sipas përllogaritjeve tona kosto për buxhetin e shtetit është 150 milionë euro. Pyetja që do të shtrojnë ata që mendojnë se është më mirë që këto para t’i kenë në duart dhe në xhepat e tyre dhe të një të një pushtetit që ka dhënë prova që i bën rrush e kumbulla është ku do të gjenden paratë? Kjo është pyetja që do të shtojnë. Dhe e di që kjo pyetje i ha nga brenda sepse ka kohë që sa herë ne propozojmë diçka që është për njerëzit dhe i vlen njerëzve dhe prek interesat e familjeve apo të sipërmarrjes shqiptare, apo të fermerit shqiptar këta bëjnë sikur kursimtarë.

Me një shtirje sa tragjike aq edhe qesharake që do ia kishte pasur zili edhe koprraci i Moilerit. Por kur vjen radha për të firmosur tendera sekretë, tendera dhe PPP publikë, koncesione për miqtë dhe klientët e pushtetit papritur shndërrohen në atë personazhin e 1001 netëve dhe nuk e kam fjalën për Sherezaden, por e kam fjalën për Ali Babën. Ali Baba që me një hapu sazam i lëshohet taksave të qytetarëve bashkë me 40 hajdutët. Prandaj ndërkohë që përgatiteni për ta sjellë në parlament aktin kriminal të 7 kontratave koncensionare me vlerë 2 miliardë dollar 150 milionë euro për qytetarët duhet dhe mund t’i gjeni duke i hequr nga PPP-të dhe shpenzimet e tjera jo prioritare sepse marrëzia me PPP-të, ky abuzim i pacipë i parave të familjeve shqiptare nuk mund të vazhdojë të përgjakë në mënyrë kaq flagrantë buxhetin e shtetit duke u ngarkuar brezave të ardhshëm barrën e pazareve që bëni dhe parave që ndani me një grusht oligarkësh dhe që e keni çuar nga 60% ku e gjetët në 100% përfshirë faturën e PPP-ve tuaja.

Cili motiv është që iu shtyn me turravrap të rinovoni kontratat me PPP-të? Kujt i shërbejnë PPP-të? Shqiptarëve jo. Vendi më i varfër i Europës nuk mund ta vendosë ekonominë e drobitur nga korrupsioni dhe vjedhja në funksion të projekteve nga të cilat fitues të vetëm dhe të garantuar janë ata që caktoni ju dhe që e dini fare mirë që i caktoni ju dhe jo gara. Ju vijnë me duar në xhepa, u sjellin projektin apo ua jepni ju varet nga ujdia, bëjnë sikur investojnë nga 120 milionë që ka qenë Rruga e Arbrit ka shkuar në 360 milionë dhe ti ke kurajën të vish dhe të na krenohesh këtu në vend që të japësh llogari se pse paguan 240 milionë euro më shumë, 3 herë më shumë projektin për rrugën e Arbrit.

Na flet këtu për rrëshqitje, si e quajti, befasi tektonike gjeologjike. Jo, nuk është fare befasi gjeologjike, është babëzi tipike, është hajdutëri me çizme. Pra ky maskarallëk, ky borxh i fshehur që është i gjithi klientelist dhe korruptive nga ato të shëndetësisë tek ato të mafies së inceneratorëve janë vendet ku ndodhen paratë e shqiptarëve. Nuk ka nevojë as për shkencë, as për tigra me letre për të gjetur para për të lehtësuar ekonominë. Mjafton të silleni si kryefamiljare apo si kryefamiljarë, si çdo person normal i këtij vendi që ka një familje për të mbajtur. Kur një person normal, kur një kryefamiljare apo të kryefamiljar ka një problem, një ngushtësi ekonomike, ndodhet përballë problemeve të përditshme, i shembet çati a e shtëpisë, duhet të paguajë shkollën e fëmijëve, universitetin, duhet të paguaj një operacion shëndetësor sepse dihet shëndetësia falas këtu ishte njësoj si premtimi juaj për heqjen e TVSH-së, apo për 300 mijë vendet e punës, çfarë ndodh?

Ky kryefamiljarë apo kjo kryefamiljare nuk i përdor kursimet dhe nuk merr pare borxh për të blerë satelit, apo televizor HD, por jep prioritet meremetimit të çatisë apo shkollimit të fëmijës, apo shëndetit, ju bëni të kundërtën. Ju e filloni duke blerë televizorë HD. Ju thoni do blini satelit. Ne themi ulni TVSH-n për ushqimin se nuk po e paguajnë dot më shportën, ky thotë do të blej satelit. Pra, me PPP-të dhe koncesionet, jo vetëm që nuk ka asnjë përfitim për publikun, por është publiku që e paguan dyfish. Së pari, se publikut, njerëzve iu merren taksat dhe së dyti, se për hirë të këtyre koncesioneve dhe PPP-ve, tani po hyni dhe në borxh dhe borxhin prapë do e paguajnë qytetarët. Dhe borxhin më të lartë në historinë e tranzicionit, ju jo plan që s’keni, jo vizën që s’keni, po ju po e asfiksoni atë pak ekonomi që ka mbetur. Sepse edhe pse keni marrë më shumë borxh se çdo qeveri tjetër prej 1991, nuk keni qenë të aftë ta përktheni në rritje ekonomike por vetëm përfitim për veten tuaj dhe klientët tuaj, që i çojnë këto para në parajsa fiskale.

Sot vini me një tjetër Eurobond, 700 milionë euro dhe ofendoni edhe inteligjencën e njerëzve duke i rënë gjoksit të merrni borxh për të fshehur dështimin e asaj që i keni bërë ekonomisë. Sepse po merrni borxh për të larë borxh, prandaj dhe kur thoni që Eurobondi merret për mbulim të përgjithshëm të shpenzimeve buxhetore, citoj nga dokumenti juaj, pa shpjeguar praktikisht asgjë, tregoni pikërisht që e keni për të mbyllur gropat që keni hapur këto vite. E sidomos në masakrën e fundit zgjedhore ku bashkë me shpenzimet buxhetore që partia shtet bëri në kurriz të demokracisë, i morët përkohësisht në punë dhe 12 mijë patronazhistë, apo klient elektoral në sektorin publik vetëm si qokë elektorale që sot iu kushton qytetarëve shqiptarë 117 milionë euro më shumë. 117 milionë euro më shumë. Ju duken pak? Por në fakt duhet ta besoni, në duart e konsumatorëve janë shumë. Shumë janë edhe 165 milionë eurot që institucionet shtetërore dhe kompanitë publike i kanë sot borxh OSHEE-së së Ard Çelës, që është kthyer në një grup të strukturuar kriminal.

Një shifër dy herë më e lartë se në vitin 2013. Kjo është reforma e energjisë. Kjo është reforma juaj e energjisë? Është për të qeshur? Apo për të ulur kokat, të paktën të ketë esencën të ulësh kokën si deputetët e tu. Si ata që ke zëvendësuar. 165 milionë euro, janë mëse të mjaftueshme për ta ulur TVSH-në e shportës nga 20% në 6%. Këtë e di unë, e dinë ekspertët tanë, e dinë ekspertët tuaj, e di ai që e hoqën, e di dhe ti që e ke zëvendësuar për ta bërë gropën më të thellë në emër të klientëve të Edi Ramës dhe atij që të ka vënë aty. Kujt t’i djegë lë ta mbajë. S’kam ndërmend të harxhoj kohë me çirakun duke qenë se ustai ia mbathi. Pra, mund të rri gjithë ditën të numëroj dëmet që i keni shkaktuar këtij vendi për të treguar paratë ku mund t’i gjeni paratë për të ulur TVSH-në. Ndërkohë qytetarët do të vazhdojnë të pyesin si ka mundësi që nuk u ngopët?

Si nuk u ngopët me PPP-të, me koncesionet, me tenderët që u kanë pasuruar ju dhe oborrtarëve tuaj? Si nuk u ngopët duke u bërë dëme familjeve shqiptare që sot e ndjejnë në xhepat e tyre rënien në pikiatë të konsumit? Në qoftë se propozimi ynë për uljen e TVSH-së për produktet e shportës mund të zbusë disi vështirësitë që familjet shqiptare që po përjetojnë, zgjidhja afatgjatë për jetët e tyre është zhdukja e një tjetër takse që avullon ditë për ditë të ardhurat e tyre, shpresën e tyre dhe largon fëmijët e tyre nga familjet. Kjo është taksa e korrupsionit. Një gangrenë që e ndjen çdo shqiptar që siç ua tregova të hënën e ka çdo raport ndërkombëtar.

Ndaj që të zhdukim taksën më të rëndë për shqiptarët bashkë me propozimin tonë të argumentuar për uljen e TVSH-së për shportën ushqimore. Lërini dënglat e atij që e di fare mirë se propozimi ynë është në përputhje me opinion e Komisionit të Venecias. Merrni kurajën bashkoni votat me Partinë Demokratike, votoni vettingun e politikanëve.

Exit mobile version