Shifrat zyrtare të vdekshmërisë foshnjore, KLSH: Jo reale!

Shifrat e vdekshmërisë amëtare dhe asaj foshnjore një vend të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vihen në dyshim sa i takon situatës reale. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të dedikuar  vërën se raportimet që bëhen janë të cunguar pasi përfshijnë vetëm institucionet publike shëndetësore. Lindjet në këto institucione zenë 86.6 për qind ndërkohë që pjesa tjetër është në institucione shëndetësore private. Vetëm 6 lindje në vlerë absolute janë bërë pa asistencën e stafit mjekësor sipas shifrave të vitit 2019.

KLSH vërën se nga të dhënat e vendosura në dispozicion nga ministria trendi i vdekshmërisë foshnjore për insitucionet publike shëndetësore është në rënie nga viti në vit gjë e cila ndodh për shkak të rënies së numrit të lindjeve. Të njëjtat të dhëna evidentojnë se ulja e vdekshmërisë neonatale  e cila është reduktuar nga 4.7/1000 lindje të gjalla në vitin 2018 në 4.0/1000 lindje të gjalla në vitin 2019 (0-1 ditësh, 1-6 ditësh, 6-28 ditësh).

“Evidentohet pra që këto të dhëna nuk janë gjithëpërfshirëse pasi reflektojnë situatën e indikatorit sipas matjeve të kryera vetëm në strukturat shëndetësore publike dhe jo në ato private” thuhet në auditim.

Edhe sa i takon vdekshmërisë amëtare audituesit vlerësojnë se shifrat nuk janë gjithëpërfshirëse duke lënë jashtë institucionet shëndetësore private. Raportimi që bëjnë këta të fundit sipas një kërkese nga ministria nuk përputhet në metodologji duke e bërë të vështirë vlerësimin.

“Nisur nga sa më sipër si dhe nga të dhënat dhe përgjigjet e vendosura në dispozicion nga MSHMS grupit të auditimit, evidentohet se dy synimet ‘reduktimi i vdekshmërisë amëtare  me 0.4% më pak se niveli i 2015 dhe ‘ulja e vdekshmërisë foshnjore’ me 0.4 % më pak nga niveli i vitit 2015  (6.3/1000” përcaktuar në Dokumentin Strategjik dhe Planin e Veprimit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues nuk mund të verifikohet dhe nuk mund të analizohet nga MSHMS ashtu edhe nga grupi i auditimit për aq kohë sa për këtë strategji ka munguar totalisht monitorimi dhe vlerësimi” nënvizon KLSH.

Ajo çka ka ndodhur me kujdesin për nënat dhe foshnjat duket se lidhet edhe me një zbehje totale të institucioneve që kanë qenë në mbikëqyrje të këtij aspekti pranë ministrisë. Audituesit gjetën se qysh prej vitit 2013 nuk ekziston më struktura përkatëse që ka qenë e ngarkuar me problematikat e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Nga analizimi i situatës në maternitete ajo çka kanë konstatuar audituesit ka të bëjë me kapacitetet njerëzore ku vërehet mungesë stafi në disa prej tyre dhe sidomos për mjekë neonat. Kjo mungesë vjen si efekt i kushteve që duhet të plotësojë një mjek që të kalojë në këtë nivel si dhe përgjegjësia që mbart një detyrë e tillë./MONITOR

Exit mobile version