Këshilli Kombëtar i Integrimit është mbledhur këtë të martë për të diskutuar mbi arritjen dhe punën e bërë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Kryetarja e këtij këshilli, Jorida Tabaju, tha se Shqipëria nuk duhet të fshihet pas vetos së Bullgarisë, por të bëj hapa përpara në luftën ndaj krimit e pastrimit të parave.
Po ashtu, ajo shtoi se vëren mangësi në ndihmën e shtabeve në bashkitë e vendit, por edhe ministritë, të cilat mund të jenë tepër të nevojshme për çuarjen përpara të këtij procesi.
“Stafi i Kuvendit, i sekretariatit ka bërë analizë të plotë dhe ka vënë re një mungesë të një vullneti politik për t’u angazhuar në këtë proces.
E kuptoj që ky proces është peng i datave, tryezave, por ashtu siç e thash në mbledhjen e para 3 muajve duhet të bëjmë çdo gjë për të shkuar në atë datë. Me keqardhje vërej që kjo nuk ka ndodhur. Në raportin e paraqitur nga institucionet, dua të veçoj tre komponentë kryesor që lidhen me parakushtet dhe 9 kriteret për hapjen e negociatave. Kam vënë re që qeveria shqiptare ka raportuar për pastrimin e parave dhe luftën ndaj krimit, por nuk kemi asnjë rezultat konkret. Janë miratuar disa ligje rutinë në parlament, por nga pikëpamja e zbatimit, nuk kemi asnjë zhvillim.
Në raportin e fundit të transparencës, Shqipëria u rendit e fundit në rajon. Duhet të kishim një dinamizëm të ri, nxitje të re për këtë proces. Nuk e shoh këtë në raportimin e qeverisë shqiptare, raportimi juaj lidhen me SPAK, prokurorët, me problem që s’janë nga ju. Korrupsioni nuk luftohet me plane të integritetit të Ministrisë së Drejtësisë. Një element tjetër janë kërkesat për azil jashtë vendit që për fat të keq 10 vitet e fundit janë 40% në total të aplikuesve. Unë vlerësoj marrëveshjet e arritura, por nuk shoh arritje konkrete. Është e rëndësishme për forcën politike që përfaqësoj reforma e plotë zgjedhore që lidhet me ndryshimet kushtetuese që kemi paraqitur.
Megjithëse kemi filluar procedimin penal është fatkeqësi që KQZ u bllokua në parlament dhe s’kemi hetim real. Të gjitha rekomandimet e OSBE/OHDIR nuk kanë filluar të zbatohen. Unë dhe zoti Balla do të vlerësonim që ky këshill të ishte e përfshirë, se çfarë masash janë marrë, çfarë pune do të bëjnë. Ne duam që të jemi promotor në procesin e Integrimit. Mund të punohet për kapitullin e Reformës në Drejtësi, por është e kotë kjo reformë, ku në luftën ndaj korrupsionit nuk kemi sukses. Unë ju inkurajoj ju që të ulemi dhe të gjejmë një mënyrë që metodologjinë e re ta kthejmë në avantazh. Do të kisha dëshirë të fokusohemi në pushtetin lokal. Nga informacionet që kemi, në shumë prej bashkive nuk janë ngritur shtabet e integrimit. Kështu ndodh edhe në strukturat në ministri. Jam përpjekur gjatë gjithë kohës t’i ngre këto dyshime. Të gjithë kanë emëruesin e përbashkët: Vullnet politik. Ne nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë, duhet të bëjmë punën tonë këtu, të ecim përpara dhe pavarësisht një date që ndoshta nuk është në dorën tonë”, tha Tabaku.