24-vjeçari qëllon me automatik në Pukë, terrorizohen banorët

Një 24-vjeçar nga fshati Gojan i Madh në Pukë ka terrorizuar banorët duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Plot 46 gëzhoja model 56 janë konstatuar nga policia të shpërndara në mënyrë të çrregullt. Në pranga ka përfunduar shtetasi Martin Gjergji, 24 vjeç, banues në këtë fshat.
“Më datë 03.05.2017 jemi njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri në fshatin Gojan i Madh. Menjëherë në drejtim të fshatit Gojan janë nisur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor ku rezultoi se në lagjen Brigjë, fshati Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, Bashkia Pukë ku kanë konstatuar 46 gëzhoja model 56 të shpërndara në mënyrë të çrregullt në rrugën e shtëpisë së shtetasit Martin Gjergji”, sqaron Policia e Shtetit.
Sipas policisë, pas kontrollit të zhvilluar në banesën e këtij shtetasi dhe ambienteve përreth saj, u gjet e groposur një armë automatike model 56, 7 krehra, ku 6 prej tyre ishin bosh, ndërsa njëri kishte 25 fishekë brenda, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Exit mobile version