Sekuestrohen 74 kg drogë nga Shqipëria kapen në Igumenicë

Rreth 74 kg drogë ka kapur policia greke në dy operacione të zhvilluara në Igumenicë dhe në Kozani pranë Kapshticës, ndërsa në pranga kanë përfunduar 4 shqiptarë, të moshave nga 22 deri në 33 vjeç. Sipas mediave greke, një operacion është zhvilluar në një zonë pyjore në Sajadhë, Igumenicë, ku 3 shqiptarë të moshave, 22, 25 dhe 33 vjeç sapo kishin kaluar kufirin më këmbë me dy çanta plot me drogë. Pas peshimit ka rezultuar 37 kg e 610 gramë marijuanë. Ndaj 25-vjeçarit dhe 33-vjeçarit kishte urdhër ndalimi të mëparshëm për kalim në shtetin grek.
Në operacionin e dytë të zhvilluar në Kozani pranë Kapshticës është zbuluar një sasi gati e njëjtë droge. Policia greke ka ndaluar një mjet që vinte nga kufiri i gjelbër dhe drejtohej nga një 28-vjeçar shqiptar. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 2 çanta që përmbanin 36 pako me 36 kg e 700 gramë marijuanë. Pas gjetjes së drogës policia i ka vënë prangat shoferit shqiptar.
Ndërkohë, policia italiane ka vënë në pranga një shtetas shqiptar, i cili akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike në Milano. Gjatë operacionit të policisë italiane është vënë në pranga një 47-vjeçar shqiptar, i cili gjatë momentit të arrestimit është kapur me 38 kg kokainë, si dhe me armë zjarri. Mediat italiane njoftojnë se 47-vjeçari shqiptar cilësohet si një nga eksponentët kryesorë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qendër të Milanos.

300 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

Policia greke ka sekuestruar më shumë se 300 kg kanabis në Janinë, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Droga u gjet në mjetin që drejtohej nga një shtetas shqiptar, i cili nuk qëndroi për kontroll kur iu kërkua nga patrulla e policisë. Autoritetet greke kanë mundur të identifikojnë drejtuesin e moshës 36 vjeç, por jo personin tjetër që ndodhej në makinë.
Automjeti u diktua në rrugën nacionale Janinë-Kozani dhe saktësisht në qytezën e Konicës. Drejtuesi rriti shpejtësinë kur u përball me patrullën dhe pak më vonë të dy personat e braktisën mjetin dhe u larguan më këmbë për në drejtim të paditur, duke shfrytëzuar terrenin e thyer.
Në brendësi të mjetit dhe të portobagazhit, policia gjeti dhe sekuestroi 174 paketa me gjithsej 335 kilogramë kanabis. Shërbimi i Antidrogë i Janinës po vazhdon operacionin për gjetjen dhe arrestimin e dy personave.
Ndërkohë, një gomone me 685 kg kanabis është gjetur pas mesnate e fshehur në pyll pranë Lumit të Vjosës. Sipas Policisë së Vlorës, mjeti lundrues është gjetur rreth 1 km larg grykëderdhjes së lumit dhe brenda saj gjendeshin pako dhe çanta, të cilat përmbanin lëndë narkotike të dyshuar si cannabis sativa. Operacioni masiv për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe kundër kultivimit të bimëve narkotike, është realizuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit Vlorë, Drejtorisë vendore e Policisë Vlorë, Reparti Delta Forcë dhe GdF.
“Gjatë mesnatës, pas një pune hetimore disa ditore mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur gjetja e një gomoneje me drogë, e fshehur në pyll pranë Lumit të Vjosës, rreth 1 km larg grykëderdhjes së saj, ku brenda së cilës gjendeshin pako dhe çanta, të cilat përmbanin lëndë narkotike të dyshuar si cannabis sativa. Në këtë mjet dhe pranë tij (të hedhura në tokë) janë gjetur gjithsej 67 pako dhe 4 çanta, të cilat pas peshimit kanë rezultuar me peshë të përgjithshme prej: 685 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si cannabis sativa, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me njëra-tjetrën vijojnë kërkimet duke krehur zonën tokësore përreth, por edhe atë ujore, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Exit mobile version