28 turistë të mbytur, 5 herë më shumë se në brigjet e Europës

Ky sezon turistik njihet si turizmi i vdekjes. Sipas statistikave, gjatë këtij sezoni turistik janë mbytur në det 28 persona, turistë të huaj dhe pushues vendas. Kjo është një shifër tepër e lartë, po ta krahasosh me vendet e Europës. Rasti më i fundit është ai i mbytjes së një turisteje çeke në plazhin e Radhimës në Vlorë. Ka qenë një telefonatë që ka njoftuar policinë se në vendin e quajtur Rexhina në Radhimë, është mbytur një shtetase. Efektivët e policisë kanë konstatuar se bëhej fjalë për një shtetase çeke, 74 vjeç, me inicialet R.M. Sipas dëshmitarëve, ajo është futur në det për t’u larë, por ka humbur jetën.
Pas humbjes së jetës së turistes çeke ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan, sezoni turistik i mbytjes së 28 turistëve apo 5 herë më shumë se në të gjitha brigjet e Europës. Berisha akuzon qeverinë për shpërdorim taksash dhe mosmbrojtjen e pushuesve në brigjet shqiptare nga rreziku i ujit.
“Sezoni turistik i mbytjes së 28 turistëve apo 5 herë më shumë se në të gjitha brigjet e Europës! Brigjet e Shqipërisë, brigjet e askujt! Në Radhimë ndodhi mbytja e radhës. Një turiste çeke humbi jetën në det, mbytja e dytë në Vlorë në 4 ditët e fundit dhe e 28-ta e këtij sezoni turistik. Në harkun kohor dy mujor ujërat e brigjeve të detrave tona sikur të ishin brigjet e një vendi pa shtet, gllabëruan në thellësitë e tyre 28 jetë apo 5 herë më shumë jetë pushuesish se sa ujërat e brigjeve të të gjithë kontinentit”, shprehet Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha më tej i shpreh ngushëllimet familjes së viktimës dhe dënon me ashpërsi kujdesin zero të qeverisë për sigurinë e jetës së pushuesve në plazhe. “Shpreh me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, dënoj me ashpërsi kujdesin zero të autoriteteve qendrore dhe lokale të vendit si dhe indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e tyre ndaj rrezikut të ujit. Theksoj se kjo është një indiferencë kriminale.
Çdo turist apo pushues vendas derdh me shpenzimet e tij si taksa, qindra e mijëra lek në buxhetin e shtetit gjatë qëndrimit të tij me pushime. Kurse kjo qeveri as dhe autoritetet lokale nuk kanë shpenzuar qoftë dhe një qindarkë për mbrojtjen dhe sigurimin e tyre nga rreziku i ujit. Përveç kësaj, qeveria, me industrinë e mafies, skafet që ka favorizuar, ka rritur shumë rrezikun për jetën e turistëve në ujërat e plazheve tona.
Me këto zhvillime nxihet reputacioni turistik dhe Shqipëria bëhet vendi i tragjedive ujore, pa llogaritur ato rrugore, më të mëdha individuale të turistëve nga mbarë bota!”, shkruan Berisha.
Një nga shkaqet që turistët e huaj kanë braktisur plazhet tona ka qenë pasiguria në plazhe dhe rritja e numrit të grabitjeve të turistëve. Një turiste gjermane ka rënë pre e hajdutëve në Syrin e Kaltër në Sarandë, ku kishte zgjedhur të shijonte këtë bukuri të rrallë të natyrës shqiptare.

Exit mobile version