283 miliardë lekë për fasadat dhe 1.2 milionë USD për emergjencat!

Dje u shënua viktima e parë nga të ftohtët në qytetin e Durrësit, ndërsa bashkitë e Kukësit dhe Tropojës si dhe ajo e Pogradecit deklarojnë se megjithë kërkesat e vazhdueshme për ndihmë nga qeveria nuk kanë marrë deri dje asnjë ndihmë. “Nuk na kanë dhënë asnjë fadromë”, thotë Kryebashkiaku i Tropojës
Situata sa vjen dhe përkeqësohet, ndërsa fati i njerëzve është në duart e Zotit. Qeveria ka vdekur për banorët e zonave të bllokuara nga dëbora. Qeveria i ka lënë banorët e këtyre zonave në harresë të plotë. Fondi i Emergjencave Civile që do të duhej të përdorej në ndihmë të zonave të bllokuara është mjaft i vogël dhe qesharak. Ai nuk i kalon 164 milionë lekët (të reja), ose 1.2 milionë euro, ndërkohë që shifra zyrtare e parave të shpenzuara nga qeveria për fasadat është 240 milionë euro ose 283 miliardë lekë (të vjetra).
Qeveria nuk ka para për qytetarët. Taksat e tyre nuk iu kthehen mbrapsht as në ditët kur jeta e tyre është në rrezik. Rama i përdor taksat sipas dëshirës së tij. Pjesa më e madhe e këtyre taksave kalojnë nga xhepat e qytetarëve dhe shkojnë për luksin dhe rehatinë kryeministrore.

Shqipëria ngrin, Rama krihet në Facebook

Do të mjaftonte një i ftohtë, i pazakontë për Shqipërinë, por tejet normal për pjesën më të madhe të Evropës dhe Ballkanit, që vendi të përballej me një situatë të pazakontë kolapsi. Të gjitha akset e vendit janë bllokuar nga dëbora, ndërkohë që qeveria Rilindase vazhdon me spektaklet e saj për marrjen e masave. Një grua në Peshkopi i duhej të kalonte nga Maqedonia, të dilte në  Qafë Thanë dhe më pas të vinte në Tiranë për të sjellë në jetë fëmijën e saj. Me qindra fshatra nga Veriu në Jug janë totalisht të izoluar dhe askush nuk pyet nëse kanë të sëmurë në shtëpi, kanë rezerva ushqimore, apo zaire për bagëtinë. Në shumë qytete, energjia elektrike mungon me orë të të tëra, ndërsa nga ana e qeverisë vijohet me justifikime. Të pastrehët, ndodhen në ditët më të vështira të jetës së tyre, teksa flenë në trotuaret që kanë zënë shtresa akulli, duke u përballur me një indiferencë të pazakontë. Kreu i karvanit rilindas, me sa shihet i futur nën petkun e pushtetit, në këto vite të qeverisjes së tij ka menduar vetëm si të rrisë çmimet e energjisë dhe alternativës për t’u ngrohur. Në janarin e këtij viti, bëri dhe dhuratën tjetër për shqiptarët të cilëve ua rriti gazin me 30 për qind më shumë. Në një situatë të tillë duket se asgjë nuk funksionin përveç Facebooku-t të kryeministrit, i cili teksa Shqipëria “digjet” nga i ftohti i acartë, ai krihet duke paraqitur foto të Shqipërisë si vend atraktiv për turizëm. Por ndërkohë firmat kontraktuale nuk i binden për të hapur rrugët, dhe arsyeja është e thjeshtë: Nuk ka para për t’i paguar…

Fondi

Por çdo pasojë e ka një shkak! Fondi i Emergjencave Civile deri në vitet 2013-2014 ishte diçka më shumë se 6 milionë euro, ose 725-775 milionë lekë. Por e dini sa është në vitin 2017 ky fond, vetëm 1.2 milionë euro, ose 164 milionë lekë. Ulja e tij filloi në vitin 2015, kur nën dirigjimin e Ramës, Fondi i Emergjencave u ul në 144 milionë lekë, ose diçka më shumë se 1 milion euro ndërkohë që Arben Ahmetaj, “gjeniu” i financave shqiptare i shtoi këtij fondi dhe 20 milionë lekë të tjera, duke e çuar në total në 164 milionë lekë. Kjo është shuma që është parashikuar nga qeveria në këto ditë për 3 milionë banorët e vendit të shqipeve. Një shumë qesharake, sa gjysma e parave që kreu i karvanit harxhoi për Koncertin e Shkëlzen Dolit në Tiranë, ose sa gjysma e parave që ai harxhon për ekspozita në Neë York, Berlin apo Kinën e Largët, si pjesë e pasionit të hershëm të rinisë së tij, por që po e promovon sot, duke përfituar nga benefitet që i jep pushteti dhe administrimi i parave publike. Për shembull për Tiranën e mbushur me të varfër, dhe të pastrehë lideri Global ka akorduar vetëm 8 mijë euro fond ose 1 milion lekë. Por ish-ministri i Çështjeve Sociale Erion Veliaj nuk flet dhe nuk ka sesi. Fondet atij nuk i duhen për menaxhimin e këtyre situatave, mjaft që Rama t’ia lyejë rrotën me fonde të mjaftueshme për qendra tregtare nëntokësore, për ndërtime motelesh, apo kullash shumëkatëshe. E çfarë i duhen atij qendrat sociale, apo qendrat e pritjes. Çfarë i duhet Erjonit, se shumë fëmijë në këtë të ftohtë janë zbathur dhe mbi krye kanë vetëm llamarina, janë pa ngrohje dhe rrezikojnë të marrin sëmundje nga më të ndryshmet. Për ta ai i ka të hapura landfillet nuk ka pse të shqetësojë shefin e madh për fonde që t’i vijë në ndihmë! Këtë të vërtetë nuk e eklipsojnë as fotot e shpërndara që tregojnë policët e bashkisë teksa bëjnë sikur heqin nga rruga tranvestitët para Pallatit të Kulturës, dhe si rastësisht aty ndodhen të gjitha mediat…

30 milionë euro për luks e zyrave në Kryeministri

Por në rast se është treguar dorështrënguar për fondet e emergjencës për njerëzit në nevojë, Rama nuk shfaqet i tillë përsa i përket shpenzimeve vetiake në Kryeministri. Për shembull, në rast se për tre milionë banorë, ai ka akorduar vetëm 1.2 milionë euro për emergjencat e vitit 2017, për Kryeministrinë ka akorduar 30 të tilla…. Shpenzimet janë për fusha tenisi në Kryeministri, kondicionerë (plot 530 mijë euro), 6.7 milionë euro për karrige dhe tavolina, se helbete këto që janë s’ia mbushin syrin liderit global, makina, rikonstruksion të vilës së Mehmet Shehut që ai përdor për gjumin e drekës, dhe të tjera si këto. Pra, me pak fjalë, Rama shpenzon 30-fishin e fondit që jep për emergjencat civile, pasi më emergjente konsideron ngritjen e fushës së tenisit po vendosjen e kondicionerëve të rinj nëpër ambjentet, ku rri ai dhe detashmenti i tij, ndërkohë që qytetarët nuk kanë me çfarë të ngrohen në një kohë, kur temperaturat në vende të caktuara kanë arritur deri në -15 gradë Celsius. Kryeministri do të harxhojë rreth 45 mijë euro për çdo person në kryeministri, ndërkohë që me ato para mund të ndihmoheshin qindra mijëra persona në këtë situatë aspak të zakontë.

Kolapsi nga qeveria apo nga moti?

Shqipëria ska pse futet në kolaps vetëm nga një ndryshim moti…. Por natyrshëm që gjërat do vijnë duke u përkeqësuar, kur buxhetin e shkurton në mënyrë abuzive për të përkrahur PPP e famshme. Në rast se Beqja sdo harxhonte si i çmendur paratë e shëndetësisë, sot sdo ishte nevoja të futeshin vaksina falso kundër gripit. Në rast se nuk do të harxhoheshin 120 milionë euro për 13 kilometra rrugë siç harxhon Rilindja, atëherë sot do të kishte dhe para për të paguar fadromat e pastrimit. Në rast se nuk do të futeshin duart për të kaluar para tek koncensionarët, sot do të subvencionohej ngrohja dhe strehimi për të pastrehët. Në rast se nuk do të abuzohej me 283 miliardë  lekë për të lyer fasada (afërsisht 240 milionë euro), por të ishin shndërruar në banesa  për të pastrëhet, sot nuk do të përballeshim me garën bajate Veliaj-Tahiri se kush strehon më shumë në njësitë bashkiake, apo në qelitë e komisariateve të pastrehët. Një garë, e cila bëhet për pushtet politik, dhe asnjëherë në funksion të asaj për të cilën ata janë votuar.

Exit mobile version