Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Arben Ristani denoncoi dje skandalin e radhës së qeverisë Rama. Sipas PD në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bog-Qaf Thore, dhe Koplik-Razëm-Hani Hotit-Tamarë-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por nuk dënjon as t’u hapë telefonin drejtuesve vendorë. Zoti Ristani ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën se kjo qeveri nuk ndalon vjedhjet dhe abuzimet edhe në momente të tilla, kur qytetarët po luftojnë për mbijetesë në këtë mot të acartë dhe në kushtet e emergjencës. Duke iu referuar gjendjes së krijuar, ai u shpreh se situata e rëndë nga moti në shumë zona të vendit nuk ka shenja përmirësimi. Megjithatë PD ka mbajtur kontakt të vazhdueshëm si me strukturat në rrethet në gjendje shumë të vështirë ashtu edhe me qytetarë të thjeshtë të atyre zonave. “Nga raportimet e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, ka thënë zoti Ristani, mësohet se vazhdojnë të jenë të izoluara dhjetëra fshatra, në Dibër, në Tropojë, në Has, në Pukë, në Malësinë e Madhe, në Shkodër, në Kukës, ndërkohë që qeveria nuk është e pranishme me ndihma ushqimore, apo me medikamente në asnjë familje në zonat e izoluara dhe pa drita prej dy ditësh”.
Sipas PD, gjendja e krijuar në këto zona ku qytetarët janë në limitet e mbijetesës nga moti i acartë dhe mosveprimet e strukturave shtetërore konfirmojnë paaftësinë e qeverisë së Edi Ramës për t’u përballur me realitetin. Megjithatë problemi nuk ngelet me kaq. Ndjenja e madhe për të grabitur nuk e ka ndaluar këtë mazhorancë që të mendojë për të mbushur xhepat dhe të mos stepen nga gjendja dhe përpëlitjet e qytetarëve të bllokuar nga dëbora dhe të mbetur në mes të erresirës.
“Emergjenca, ka thënë zoti Ristani, ka nxjerrë në pah edhe një skandal tjetër tronditës. Shumica e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve që janë të deputetëve të mazhorancës dhe qeveritarëve kanë marrë paratë, por këto dy ditë dhe nuk janë shfaqur asnjë minutë, as për të hedhur një lopatë me kripë apo skorje. Në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bog-Qaf Thore, dhe Koplik-Razëm-Hani Hotit-Tamarë-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por nuk dënjon as t’u hapë telefonin drejtuesve vendorë”.
Sipas të dhënave që ka Partia Demokratike, sipas zotit Ristani e njëjta situatë është edhe në zona të tjera. Ndërkohë disa kompani mirëmbajtjeje, të cilat kanë kryer detyrimet e tyre kontraktuale nuk kanë marrë asnjë qindarkë pagese dhe në disa raste si në aksin Milot-Peshkopi ju janë ndërprerë kontratat pa asnjë kriter dhe ua kanë rilidhur vetëm për një muaj në momentet e nisjes së emergjencës.
“Ky abuzim në kurriz të qytetarëve në këto ditë të vështira meriton një hetim serioz nga prokuroria. Ndërkohë Edi Rama vazhdon t’i kthejë kurrizin qytetarëve të izoluar, të mbërthyer nga i ftohti dhe errësira, duke mos pasur asnjë prani në terren dhe asnjë ndërhyrje në shërbim të tyre, përfundon deklaratën Sekretari i Përgjithshëm i PD, zoti Ristani.