Zbatimi i formulës së re për kompensimin e ish-pronarëve që rrjedh nga ligji i vitit 2015 ka ulur faturën për kompensimin e pronarëve në rang vendi, duke e çuar atë me metodologjinë e re në 410 miliardë lekë apo rreth 3 miliardë euro.
Në një analizë të posaçme që Ministria e Financave ka bërë për impaktin buxhetor të faturës për kompensimin e ish-pronarëve referohet se vetëm me projektin pilot të rrethit të Tiranës është arritur në konkluzionin se ulja e faturës financiare për të gjithë Republikën e Shqipërisë parashikohet të jetë mesatarisht 50%, kjo për arsye se rrethi i Tiranës ka pasur një zhvillim më të madh si nga ana ekonomike ashtu edhe nga zgjerimi i vijës së verdhë të qytetit, në krahasim me rrethet e tjera.
“Nisur nga përfundimi i arritur, nëse do të marrim në analizë vendimmarrjen 1993-2013, rezulton se vlera financiare e vendimeve të dhëna në vitet 1993-2013 është 820 miliardë lekë, sipas ligjit të vjetër dhe arrin në 410 miliardë lekë sipas Ligjit 133/2015. Gjithashtu, ligji i ri ka parashikuar lehtësime për realizimin e procesit të kompensimit, si dhe shtim të burimeve financiare për Fondin Financiar të Kompensimit, me parashikimin e rasteve të veçanta për kompensim financiar, si dhe kompensimin fizik me ankand”, analizon Ministria e Financave.
Peshën më të madhe të uljes së faturës e mban grupi i vendimeve të kompensimit, të cilat sipas metodologjisë janë “me ndryshim zëri kadastral” 25% në krahasim nga zëri kadastral në kohën e shpronësimit. Ulje të ndjeshme brenda zërit kadastral “Tokë bujqësore” kanë edhe vendimet, të cilave iu është llogaritur vlerësim ekonomik nga Komisioni, vlera e të cilëve do të indeksohet sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesit bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.
Referuar rasteve të veçanta për kompensim financiar për këto vendime, fatura financiare prej 5 miliardë lekësh do të ezaurohet mesatarisht 30%. (Bazuar në nenin 17 të Ligjit 133/2015, i cili parashikon kompensimin për 20%, 30%, 40% të vlerës së kompensimit në një hark kohor prej 5 vitesh, është përcaktuar mesatarja e përqindjeve të sipërcituara). Pra, vlera financiare e vendimeve të mësipërme, nga 410 miliardë, nëse 1/2 e tyre do të aplikojnë me kërkesa të veçanta apo me ankande, duke marrë për referencë që do të marrin 30% të vlerës, fatura do të arrijë në 266.5 miliardë.
Buxheti i shtetit i parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve për periudhën 10-vjeçare është 50 miliardë lekë.
Fondi fizik, i cili është në administrim të ATP-së, është 100 miliardë lekë (fondi i tokës bujqësore 37 miliardë lekë, fondi pyjor 60 miliardë lekë, fondi i objekteve 3 miliardë lekë). Me qëllim shtimin e burimeve financiare për fondin financiar të kompensimit, ATP realizon ankande për shitjen e pronave, pjesë e fondit të tokës. Pra, minimalisht, fondi për 10 vjet do të jetë 150 miliardë lekë.