3 të vrarë dhe një i plagosur në 48 orë, rendi jashtë kontrollit

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë vrarë tre persona dhe është plagosur një tjetër. Pas vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, mbrëmjen e djeshme u ekzekutua pronari i një marketi në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1, rreth orës 19:55 në qytetin bregdetar. Burimet e policisë bënë të ditur se është vrarë shtetasi Agim Arapi, 58 vjeç. I plagosuri u transportua me urgjencë për në Spitalin Rajonal të Durrësit, por ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Nga të dhënat paraprake, mësohet se gjithçka ka nisur pas një sherri banal, mes tre personave, të cilët kanë goditur me sende të forta pronarin, që sapo e kishte marrë me qira ambientin e dyqanit. Po ashtu, motiv i krimit dyshohet se ka qenë çështja e qirasë së biznesit. Për këtë ngjarje të rëndë janë arrestuar 3 persona, të cilët thuhet se banojnë në të njëjtin pallat ku ishte dhe piceria.
Ndonëse autorët e dyshuar, dy vëllezër Kostandin dhe Kujtim Ekonomi, si dhe Jurgen Kurti (dhëndri i Kostandinit) tentuan të largoheshin, nuk mundën t’i shpëtonin dot postblloqeve të policisë.
Mes personave të implikuar për vrasjen e pronarit të marketit është dhe një emër i njohur për policinë dhe mediat. Bëhet fjalë për Jurgen Kurtin, i cili më 4 prill të vitit 2016 u akuzua për vrasjen e babait të tij. Pavarësisht se u arrestua, ai u la i lirë, pasi daja i tij, Leonard Ristani, mori përsipër autorësinë e krimit. Jurgen Kurti njihet si menaxher i vipave në Tiranë, po ashtu dhe për jetën e tij luksoze.
Pronari i marketit ishte konfliktuar fillimisht me tre persona, që banonin në të njëjtin pallat ku ishte hapur marketi, për çështjen e pronësisë së marketit. Nuk dihet me saktësi se çfarë kanë pretenduar dy vëllezërit Kujtim Ekonomi, Kostandin Ekonomi dhe Jurgen Kurti, dhëndrri i Kostandinit, por dihet që ata janë konfliktuar me grushte e shkelma me 58-vjeçarin, ndërsa janë thyer gota e shishe qelqi në market. Njëri nga vëllezërit Ekonomi është fiksuar nga kamerat e sigurisë së marketit teksa mbante edhe një thikë në dorë, por nuk dihet nëse ai ka qëlluar mbi viktimën me thikë, apo ky i fundit që vuante edhe nga zemra, ka humbur ndjenjat pas goditjeve me sende të forta.
Policia në deklaratën e saj zyrtare bën me dije se, viktima ka mbetur i plagosur, ndërsa është transportuar në spital me ambulancë e ka humbur jetën pak minuta më vonë. Autorët mësohet se e kanë lënë të shtrirë Arapin dhe janë larguar nga vendi i ngjajres, por janë kapur pak minuta më vonë nga postblloqet e shumta të ngritura në qytetin bregdetar. Policia e Durrësit bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, vrasja ka ndodhur pas një konflikti.
Ndërkohë, një person u plagos në një atentat të hënën në autostradën Tiranë-Durrës. Policia tha se njoftimin e ka marrë me dy orë vonesë nga personi që ra pre e plumbave. “Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 21:30 tek nr i emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga shtetasi E. M., i cili njofton se në autostradën Tiranë-Durrës, një person me motor e ka qëlluar me armë zjarri”, njoftoi Policia e Tiranës.

Exit mobile version