2 ton drogë nga Shqipëria me vlerë 10 milionë euro sekuestrohet në Itali

2 ton drogë e ardhur nga Shqipëria me vlerë 10 milionë euro është sekuestruar dje nga policia italiane në Fossacesia. Operacioni masiv ka përfunduar edhe me arrestimin e tregtarit të drogës si dhe me zbulimin e një skafi të fuqishëm. Lënda narkotike ishte e ndarë në pako me peshë 20 kg secila dhe ishte e fshehur në një furgon i vendosur në një fshat në Fossacesia (Chieti).
Sasia e drogës ka mbërritur nga Shqipëria në bordin e një gomoneje të gjatë rreth 10 metra, me dy motorë të jashtëm me 500 kuaj fuqi secila, e cila ishte braktisur në plazh dhe më pas është sekuestruar nga Karabinierët.
Sipas mediave italiane, droga kap një vlerë prej 10 milionë eurosh dhe është një nga sasitë rekord të konfiskuara në Abruzzo. Policia ka çuar në pranga 49-vjeçarin Giovanni Carabotti, nga provinca e Brindizit. Ai ishte duke qëndruar në një hotel në Roseto degli Abruzzi (Teramo), në momentin e arrestimit, ndërsa udhëtonte me një makinë luksoze.
Policia kishte vënë nën vëzhgim lëvizjet e tij, ndërsa u organizua operacioni “D-Day”, detajet e të cilit u dhanë mëngjesin e djeshëm nga policia, sipas të cilës Carabotti ishte duke pritur ardhjen e ngarkesës së drogës.
Carabotti u arrestua dhe u dërgua në burgun Lanciano në dispozicion të prokurorit lokal. Hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar bashkëpunëtorët në trafikun e sasisë së madhe të drogës.
Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. Vetëm në Pulia, Guardia di Finanza ka sekuestruar 15 ton hashash në tre muajt e parë të vitit 2017. Ndërsa në Ankona, janë kapur rreth 20 ton kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Ajo që e bën të frikshme këtë shifër është fakti, se trafiku i drogës nga Shqipëria po rritet në mënyrë drastike këto kohët e fundit. Pikërisht për këto arsye, për rritjen e trafikut të drogës ka nisur dhe është në vazhdim një hetim që po bëhet nga Guardia di Financa në Marittima, hetim që ka përfshirë edhe Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme në Itali.

Exit mobile version