30 Qershori, kapitullimi politik i Edi Ramës!

Nga Red VARAKU

Rezultati më i rëndësishëm i zgjedhjeve të 30 Qershorit është që ajo u shndërrua në një ditë proteste më shumë se në një ditë zgjedhjesh. Dhe në fakt kjo ditë ishte protesta më e bukur. Rama, në një rast të paprecedentë në historinë tone, i dha mundësinë e artë shqiptarëve për ta refuzuar hapur atë dhe qeverisjen e tij.

Një vendim i marrë me nxitim për shkak të presionit të përgjimeve. Një gabim fatal dhe i parikuperueshëm, dhe fatkeqësisht për të i pakthyeshëm. Një provë që dëshmoi brishtësinë e qeverisjes së tij dhe dëshmoi mbështetjen më të ulët për një qeveri, që nga viti i mbrapshtë 1997.

Edhe pse votuesit shqiptarë u kapën në pabesi nga vendimi i papritur ekstrem i qeverisë së Edi Ramës për të shkuar drejt zgjedhjeve lokale, menjëherë pas publikimeve të përgjimeve, sërish ata ditën t’i japin me urtësi përgjigje vendimit në dukje tekanjoz, por shumë ‘dinak’ për zgjedhje pa opozitën.

Ata e kuptuan që gjithçka po bëhej për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga përgjimet e BILD, ndaj e përbuzën me neveri këtë akt të turpshëm. Sepse, pas 30 vjetësh demokraci ata e kanë të qartë që në një vend sado pak normal, në raste skandalesh me përmasa të tilla kryeministri jep dorëheqjen për të treguar që minimalisht nuk ka dijeni për krimin dhe për të lejuar prokurorinë të bëjë detyrën.

Mosdhënia e dorëheqjes në fakt tregon që vetë kryeministri është i përfshirë në skemën kriminale të vjedhjes së votave, për të vjedhur më pas Shqipërinë. E çfarë është një akt dorëheqjeje në fund të fundit, përveçse një deklaratë pafajësie! Përmes dorëheqjes do të pastrohej çdo lloj dyshimi në lidhje me përfshirjen e ‘bablokut’ në krim elektoral.

Ndërkohë dekreti presidencial për anullimin e zgjedhjeve ishte krejt i natyrshëm për kushtet anormale pas atyre përgjimeve skandaloze, ishte koha për tu ndalur dhe për një reflektim të madh kombëtar. Që vendimi për ta shndërruar 30 qershorin në datë të panegociueshme ishte tërësisht në funksion të mbulimit të skandalit të përgjimeve, kjo tashmë është e qartë, sepse në Shqipëri data e zgjedhjeve lokale gjithmonë është shtyrë. Dihej, që zgjedhjet pa opozitën do të ishin nj? vetëvrasje për Ramën.

Fjalia më e pakundërshtueshme e raportit paraprak të OSBE/ ODHIR për atë çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri, edhe e atyre pjesëve që keqpërdor Rama, është se zgjedhjet nuk ishin zgjedhje, por votime. Fakti, që ata e konsideruan Bindjen Demokratike të jashtëligjshme në proces e paralajmëron edhe verdiktin e tyre në raportin perfundimtar që ka shumë gjasë të mos njihen nga faktori ndërkombëtar, pikërisht për shkak të argumenteve që u cekën në raportin paraprak.

Për këtë shkak, në këto zgjedhje ka humbur Shqipëria dhe ka fituar Edi Rama dhe ‘vëllazëria’ e tij që po plaçkit pasuritë tona dhe po dhunon çdo ditë qytetarët e ndershëm.

Pas 30 Qershorit, shoqëria dhe politika shqiptare duket se ka hyrë përfundimisht në krizë shumë të rëndë. Opozita duket edhe më e vendosur që të egzistojë jashtë institucioneve dhe të protestojë në rrugë. Një akt i shumëpritur nga njerëz idealistë, dhe deri dje i paimagjinueshëm për komentatorët politikë.

Një akt që dëshmon vendosmërinë e opozitës për ta çuar deri në fund kauzën për zgjedhje të lira. Çdo njeri e ka të qartë që tek cilësia e zgjedhjeve e ka burimin dhe cilësia e qeverisjes. Sepse, nëse një forcë politike është e detyruar të bashkëpunojë me aktorë kriminalë për të fituar zgjedhjet, atëherë kjo forcë do të mbetet peng i këtyre aktorëve, cilado qoftë forca politike.

Sigurisht, që kjo situatë do përgjigje vetëm nga ata të cilëve ju adresohet. Është qeveria që duhet të paraqesë një plan për zgjidhjen e krizës politike, dhe jo opozita, siç mendon 15 % e shoqërisë. Është Edi Rama që duhet ta zgjidhë këtë krizë. Sepse, opozita është në të drejtën e saj, sidomos pas publikimeve të përgjimeve, të bëjë të gjitha përpjekjet sigurisht brenda shinave demokratike, për ta rrëzuar këtë qeveri.

Kjo situatë, kështu siç është, natyrisht që nuk mund të zgjasë pafundësisht pasi ajo mund të agravojë në çdo çast dhe të degradojë deri në anarki. Ne jemi të rrezikuar të mos kemi më procese zgjedhore dhe të mos kemi më funksionim të demokracisë.

Kjo krizë nuk është për t’u marrë lehtë dhe nuk mund të kalojë me deklarata Elisash, që po nxitojnë të plaçkitin vendin pa u siguruar më parë se ky vend e ka një të ardhme. Jam i sigurt se kjo situatë nuk është e favorshme as për Ramën dhe rilindjen, pasi pasuritë e tyre  do të jenë të pasigurta në një vend kaotik dhe të pasigurtë.

Është një krizë politike ku në vend të tolerancës dhe dialogut, po kultivohet arroganca dhe përpjekja për të zhdukur opozitën dhe për t’i mbyllur gojën gjithkujt që tregon me gisht nga qeveria. Po jetojmë jo më nën një qeverisje, por nën një regjim i cili dikton të vërtetat e tij dhe prodhon modelet e ndëshkimit dhe shpërblimit.

Përkundër mendimit që shoqëria jonë, është një shoqëri pa kujtesë të fortë, 30 qershori dëshmoi, që ajo jo vetëm ka kujtesë të fortë, por ajo mund të angazhohet dhe nuk mund të tolerojë kurrë rikthimin në totalitarizëm me zgjedhje moniste.

30 Qershori dëshmoi gjithashtu që tashmë ne jemi një shoqëri me standarde të përcaktuara sipas modeleve demokratike që synojmë të përngjasojmë.

Qeveria e mbylli këtë iniciativë ekstreme si vullnet politik dhe tani është shumë e vështirë të argumentohet, se çfarë e ka ndryshuar vullnetin politik që kryeministri ka filluar të flasë për tango politike.

Vendimi i saj është një këmbanë alarmi. Të marrësh datën e zgjedhjeve lokale dhe ta kthesh në një nga kuajt e betejës tënde politike, në një kohë kur BILD vërtetoi katërcipërisht pretendimet e opozitës, është ose papërgjegjshmëri e madhe, ose shprehje e një indiference të madhe për atë çfarë u ke premtuar qytetarëve.

Por, meqë vendimi i Edi Ramës mori formën e një referendumi, vendimi politik i shqiptarëve ishte i prerë dhe i vendosur! Shqiptarët treguan që koha e diktatorëve në këtë vend ka perënduar. Ata treguan jo vetëm refuzimin dhe përbuzjen për qeverisjen e deritanishme, por edhe kapitullimin politik të Ramës.

 

Exit mobile version