4 emisarët e Ramës për blerje votash e shantazh deputetëve

Prej afro dy javësh axhenda kryesore e punës së Ramës janë takimet me të fortët e Parlamentit. Takimet jo si rastësisht realizohen në lokale të njerëzve të botës së errët të aktiviteteve të paligjshme dhe me pseudonime të fortësh të lagjeve. “Me krimin dhe për krimin” është deviza e Ramës në këto ditë kur atij më shumë se kurrë i duhen votat për të siguruar mbijetesën politike. Janë momente të vështira. I duhet krimi që të bëjë Reformën në Drejtësi. I duhet krimi që t’i sigurojë mbijetesën politike. Pa kriminelët që ka thërritur në Parlament ai nuk ka se ku të shkojë. Pa paratë e tyre të siguruara nga aktivitetet e paligjshme, nga aktivitetet e drogës, prostitucionit dhe korrupsionit Rama nuk mund të shkojë larg.
Të gjitha takimet e ditëve të fundit janë pikërisht për të peshkuar vota jo vetëm në radhët e mazhorancës, por edhe në radhët e opozitës.
Votat kërkohen të bëhen me të gjitha mënyrat dhe mjetet në përdorim, sepse prej tyre varet fati i Ramës. Mënyra e parë është ajo e blerjes së votave. Deputetë të majmur nga aktivitete të paligjshme dhe që kërkojnë të sigurojnë imunitetin e tyre ndaj drejtësisë po angazhohen fort në këtë drejtim. Në një farë mënyre ata po blejnë sigurinë e tyre të premtuar nga Rama nëse ai do të kapë drejtësinë.
Mënyra tjetër është ajo e të bërit presion përmes organizatave kriminale, të cilat kontrollojnë këta deputetë me precedentë penalë dhe të inkriminuar. Një nga deputetët, i cili është angazhuar në këtë fushatë të Ramës është Prenga, i cili është ende në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë për krimin që ka bërë. Plagosje 5 qytetarëve në oborrin e Komisariatit të Policisë në Laç e bënë atë që të jetë peng i Ramës, por në të njëjtën kohë që të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj Ramës.
Rama është parë kohët e fundit i shoqëruar edhe nga deputeti Doshi. Ky i fundit ka harruar burgosjen që i bëri para një viti dhe i është bashkuar sërish Ramës. Megjithëse Doshi ka mohuar që të jetë takuar me Ramën në klubin e preferuar të këtij të fundit tek “Gëzimi i Kashtës”, burimet saktësojnë se ai është tashmë pjesë e skemave të plota të Ramës në garantimin me çdo çmim të votave që i duhen kreut të qeverisë për të siguruar mbijetesën. Rama ja ka marrë dorën Doshit. Pas përdorimit të radhës, Doshi e di vendin ku e ka. Rama sërish i vendos byzylykët. Vetë Doshi ka thënë se ka shpenzuar për të sjellë Ramën në pushtet 3 deri në 4 milionë euro. Tani i duhet të shpenzojë disa para më shumë për ta mbajtur sërish në krye të qeverisë.
Mediat kanë raportuar një tjetër takim të radhës të Ramës tek lokali i “Gëzimit të Kashtës” me një tjetër deputet. Bëhet fjalë për Aqif Rakipin që shkurt i thërrasin “Qife”. Rama po kërkon jo vetëm mbështetjen e këtij deputeti të PDIU me të cilin ka lidhur miqësi prej kohësh, por po kërkon edhe shërbimin e tij për të siguruar vota që janë të pasigurta.
Një tjetër deputet që është shfaqur aktiv gjatë kohëve të fundit me Ramën në skemat për të siguruar vota përmes blerjes dhe shantazheve është edhe deputeti tjetër i PDIU, Mamo. Ky rezulton një nga deputetët më të heshtur të Parlamentit, por në të njëjtën kohë është edhe një nga deputetët më të pasur. Besohet se Mamo është edhe nën ndikimin e dy grupeve kriminale, të cilat ushtrojnë aktivitete në qytetin e Fierit dhe nën mbrojtjen e plotë të Ramës. Këto grupe merren gjerësisht me trafikun e drogës dhe të prostitutave. Një pjesë e këtyre parave pritet që të shpenzohen gjatë ditëve të ardhshme për blerjen e votave.

Sfidë dekriminalizimit, SHBA dhe ambasadorit LU

Mënyra se si Rama po operon për të vijuar mbijetesën politike është një sfidë e hapur për Ligjin e Dekriminalizimit të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe në mënyrë të veçantë për ambasadorin Lu. Votat e krimit po përdoren për t’i siguruar Ramës mbijetesën politike, por është e qartë se çfarë pushteti do të mund të prodhonin këto vota nëse do të rezultonin të suksesshme. Nuk mund të ketë një goditje më rrënuese për një reforme në drejtësi në rast se ajo do të kishte votat e të inkriminuarve në Parlament. Nëse arrihet konsesusi për Reformën në Drejtësi votat e elementëve me të shkuar kriminale duhet të përjashtohen nga votimi në Parlament. Në të kundërt nëse konsensus nuk do të ketë sikurse po thotë Rama, atëherë krimi i ka shpallur luftë të hapur dekriminalizimit dhe mbështetësve të tyre. Si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse pikërisht emrat që ambasadori Lu i ka përmendur se duhet të jenë pas hekurave nesër të bëjnë Reformën në Drejtësi? A do të mund të thuhej se kjo ishte drejtësia që shqiptarët e kanë pritur dhe kjo ishte ajo që u premtuam? A nuk ka një kontradiktë të fortë të qëndrimeve përpara opinionit publik dhe a e dëmton kjo kredibilitetin e qëndrimeve parimore? Shqipëria duhet të ecë përpara pa krimin. Konsensusi është rruga e vetme. Në të kundërt çdo vendim që merret duke u bazuar tek krimi do të prodhonte vetëm krizë dhe destabilitet.

Rama kërkon zgjedhje dhe  jo reformë

Ndërsa flitet gjithnjë dhe më shumë për konsensus për Reformën në Drejtësi, në prapaskenë Rama ka të tjera plane. E fundit që i shkon ndër mend Ramës është konsensusi me opozitën për të bërë reformën. Reforma po kthehet në një alibi për të çuar vendin drejt skenarit që ai dëshiron të zgjedhjeve të parakohshme, duke qenë ai në krye të qeverisë. Në funksion të këtij plani është edhe angazhimi i botës së krimit për të bërë vota për Ramën. As blerja e votave, as shantazhet dhe as kërcënimet nuk mund ta shpëtojnë dot Ramën. Këto mjete vetëm që do të njollosin njerëzit që i shkojnë pas këtij plani, por nuk do të mund ta forcojnë atë.

Arben SHAHINI

Exit mobile version