Përgjimet e reja, bizesmenët përfituan 2 miliardë lekë tendera ushqimesh

Bizesmenët e arrestuar së bashku me zv.drejtorin e burgjeve arritën që për gjashtë muaj të fitojnë 2 miliardë lekë tendera ushqimesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ndërkohë janë zbardhur të tjera përgjimet për skandalin e korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve: “Kam që javën e kaluar që të pres për t’më dhënë lekët, por nuk u bërë i gjallë”.
Arrestimi i zv.drejtorit të Burgjeve Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve ka përfshirë në hetime dhe të paktën 6 tendera të zhvilluar nga Drejtoria e Burgjeve për blerje ushqimi për të burgosurit. Të gjithë këta tendera dyshohen si të manipuluar pasi janë fituar nga i njëjti grup kompanish, pronarët e të cilëve bënin marrëveshje mes tyre dhe në këmbim të ryshfetit arrinin të merrnin tenderat e majmë. Sipas hetimit të prokurorisë mësohet se vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti vlera e tenderave të zhvilluar për ushqime kap shifrën e rreth 2 miliardë lekëve. Të gjitha këto para janë ndarë mes katër kompanive, pronarët e të cilave përfunduan në pranga një ditë më parë, ndërsa prokuroria dyshon se për çdo tender të fituar ata kanë paguar 10 për qind të vlerës. Nga hetimet e kryera është konfirmuar se një pjesë e mirë e këtyre tenderave është zhvilluar me procedurën e negocimit pa shpallje paraprake të njoftimit, duke futur në lojë vetëm katër kompanitë që shpalleshin përherë fituese. Kështu përfituesit e tenderave janë kompanitë “Dogel” me administrator shtetasin Elidjan Laskaj, e cila ka fituar dy tendera, Vllaznia sh.p.k. me administrator Ylber Kalaja që po ashtu ka fituar dy tendera në gjashtë muajt e parë të këtij viti si dhe kompania Nelsa me administrator shtetasin Nexhi Balla, që gjithashtu ka përfituar dy tendera nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Këta tendera janë në proces hetimi nga prokuroria e cila thotë se në një rast ka arritur të provojë korrupsionin e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Iljaz Labi dhe përfshirjen në këtë skemë korruptive të katër biznesmenëve. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “blerje bulmet dhe vezë, i cili është zhvilluar me procedurën “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”. Ky tender është fituar nga kompania “Nelsa” me administrator Nexhmi Ballën, i cili më datë 31.5.2016 ka lidhur kontratën me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Vlera e këtij tenderi është 22 milion 647 mijë e 936 lekë dhe zv.drejtori Labi do të merrte 2 milionë lekë, por nga dy biznesmenët e tjerë të cilët ishin përfituesit e vërtetë të tenderit. “Paraprakisht sipas procedurës janë njoftuar subjektet që të paraqesin ofertat. Në përfundim autoriteti prokurues ka arritur në konkluzionin se operatori ekonomik që duhet të kualifikohet ishte “Nelsa” me administrator shtetasin Nexhmi Balla. Ndërsa operatorët e tjerë ekonomik të ftuar nuk i kishin plotësuar kriteret e kërkuara dhe duhet të skualifikoheshin”, thotë prokuroria. Në këtë tender ishin skualifikuar katër kompani, dy prej të cilave u përkasin dy biznesmenëve që sipas hetimit të prokurorisë duhet të paguanin bashkërisht shumën e 20 milionë lekëve te zv.drejtori i Burgjeve. Ky fakt ka ngritur dyshime të forta se kompania e shpallur fituese nuk ishte përfituesja reale e tenderit, pas furnizimi do të kryhej nga dy kompanitë e tjera “M.B.KURTI” sh.p.k me administrator shtetasin Shemsi Sinani dhe “Dogel” me administrator shtetasin Elidian Laska, të cilët do të merrnin dhe parët. Përpara tenderit dhe pas lidhjes së kontratës, biznesmenët e përfshirë në skemën e dyshuar korruptive dhe zv.drejtori i Burgjeve kanë patur kontakte telefonike të vazhdueshme mes tyre. Në një bisedë mes Elidian Laskës dhe Shemsi Sinanit, Shemsiu e pyet se kishte qenë javën e kaluar për t’i dhënë lekët, por nuk ishte bërë i gjallë. Elidiani i thotë: “Të thashë që pjesët e tua do ta vë une..” Shemsiu i thotë: “.. Car ka për të vënë, une kam paguar 37 për ato, car për të venë. Mirë mo mirë, ato të mishit kaluan, shkurtin kaluan. Elidiani i thote se kaluan. Shemsiu i thotë që t’ia bente gati, Elidiani i thotë të takohen në fillim dhe t’i mbaronte punë. Shemsiu i thote: O Ledion, o Ledion, të lutem po bën 1 vit, do më bësh lekët apo jo, dy llafe ndajnë”.

Exit mobile version