4 grabitje në Kashar, asnjë autor nuk është arrestuar

Grabitja e 10 milionë eurove të një banke të nivelit të dytë mesditën e të enjtes në Qafë Kashar është e katërta brenda dy viteve të qeverisë së “Rilindjes”, ndërsa policia nuk ka zbuluar asnjë nga këto grabitje të bujshme. Në media janë hedhur dyshime se autorët kanë bashkëpunuar me policinë dhe për këtë arsye ata vazhdojnë të jenë të lirë, duke planifikuar grabitjen e radhës. Të katra grabitjet janë kryer nga persona të armatosur me kallashnikovë dhe të veshur me unioforma ushtarake. Në të katra rastet e grabitjeve autorët kanë përdorur të njëjtën strategji, pasi kanë marrë paratë nën kërcënimin e armëve, janë larguar dhe më pas u kanë vënë zjarrin makinave që përdorën në grabitje. Grabitja e së enjtes është edhe më flagrante, pasi një patrullë policie ndodhej vetëm pak metra larg nga vendi i ngjarjes, por nuk ndërhyri, duke shtuar dyshimet se grabitja ka qenë e organizuar nga vetë radhët e policisë dhe më lart.
Nëse këto grabitje do të kishin ndodhur në një shtet tjetër, ministri i Brendshëm jo vetëm që do të kishte dhënë dorëheqjen, por do të kishte përfunduar pas hekurave. Ndërsa këtu tek ne, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri vijon detyrën ndonëse janë vjedhur rreth 30 milionë euro në katër rastet e grabitjes së parave të bankave që po transportoheshin drejt Aeroportit të Rinasit. Tahiri fajëson rojet e sigurisë për këto grabitje, duke iu shmangur përgjegjësisë së policisë.

12 shkurt 2015, 3 milionë euro

U grabitën 3 milionë euro te Kthesa Laknasit në aksin rrugor Qafa e Kasharit-Rinas. Po transportoheshin nga një bankë e nivelit të dytë drejt aeroportit me destinacion Vienën. Grabitësit kanë qëlluar me armë zjarri dhe janë larguar me njërën nga automjetet shoqëruese të autoblindit që transportonte paratë. Bëhet e ditur se kanë qëlluar me armë edhe rojet e sigurisë së bankës, por pa arritur të ndalojnë grabitësit që u larguan me shpejtësi me makinën e rrëmbyer. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët e grabitjes

3 dhjetor 2015, 3.8 milionë euro

Në daljen e garazhit të Union Bank te Stacioni Trenit, grabitën 3.8 milionë euro, paratë do të transferoheshin për në aeroport me destinacion Vienën. Persona të veshur me uniformë policie arritën të merrnin një sasi prej 3.8 milionë euro në aksin Tiranë-Rinas. Paratë e një banke të nivelit të dytë po transportoheshin nga rojet private të sigurisë në drejtim të aeroportit të vetëm ndërkombëtar që ka vendi ynë, për t’u transportuar më pas në drejtim të Austrisë. Ishin dy automjete të kompanisë private si dhe një furgon që po udhëtonin drejt Rinasit, kur papritur një makinë fuoristradë u ndërpreu rrugën në mes të autostradës.
Përballë kërcënimit të armëve, grabitësit të veshur si policë thyen xhamat e automjetit të kompanisë që transportonte paratë, duke marrë prej andej shumën e konsiderueshme prej 3.8 milionë euro. Makina e përdorur për grabitjen u gjet më pas e djegur në zonën e Domjes në Tiranë, duke humbur kështu gjurmët e krimit.

30 qershor 2016, 10 milionë euro

Brenda aeroportit të Rinasit grabitën 10 milionë euro, te Raifeissen Bank paratë po transferoheshin me avion drejt Vienës. Grabitja më spektakolare është ajo e 30 gushtit të vitit 2016, kur persona të maskuar dhe të armatosur grabitën në pistën e avionëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit 10 milionë euro, autorët ende nuk janë zbuluar dhe arrestuar. Grabitja spektakolare u regjistrua në mes të ditës. Tre persona të maskuar, pasi prenë menteshat e portës së jashtme, hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, duke marrë paratë e një banke të nivelit të dytë, që i transportonte ato jashtë vendit.
Policia e Tiranës sqaroi në atë kohë se, rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin. Pasi kanë hyrë në makinë në pistën e avionëve në aeroport, autorët i janë drejtuar me një armë kallashnikov drejtuesit të mjetit që transportonte sasinë prej 10 milionë eurosh. Policia tha se, shuma e parave po transportohej drejt terminalit dhe kishte destinacion Bashkimin Evropian.
Zakonisht, bankat e nivelit të dytë transportojnë paratë drejt qendrave mëmë të tyre, ndërsa ende mbetet e panjohur se si autorët kuptojnë për transportimin e sasive të parave dhe organizojnë më pas grabitjen.

9 shkurt 2017

Grabiten në Qafë Kashar 10 milionë euro të BKT, po transportoheshin për në Rinas, me destinacion final Vienën. Grabitësit kanë qenë në dy makina dhe njëra prej tyre ka përplasur blindin ku ndodheshin paratë dhe më pas kanë dalë tre grabitës, duke i drejtuar armët shoferit të blindit. Fillimisht, rojet e sigurisë kanë rezistuar ndaj grabitësve, por maskat kanë qëlluar me breshëri armësh drejt tyre, duke i detyruar që të zbrisnin nga makinat me para.
Të ndodhur nën kërcënimin e armëve, punonjësit e policisë private janë dorëzuar. Grabitësit kanë prerë me një mjet fresibël pjesën e pasme të dy blindave të kompanisë private të sigurisë dhe kanë marrë të gjitha paratë. Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se kanë parë grabitësit që kanë marrë 10 thasë me para dhe i kanë futur në njërën nga makinat e tyre. Maskat, pasi kanë marrë paratë janë larguar në drejtim të paditur për policinë.

“Reuters” jehonë grabitjes së Qafë Kasharit: “Uauu sa shumë thasë!”

Lajmi i grabitjes së bankës në Qafë Kashar po bën xhiron e botës. Agjencia e lajmeve “Reuters” i ka bërë jehonë ngjarjes. Në publikimin e videos së grabitjes “Reuters” shkruan se, ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, rrugës për në aeroportin kryesor të vendit dhe shumë kalimtarë të rastësishëm e filmuan atë me celularët e tyre.
Videoja tregon personat e veshur me të zeza dhe me maska, teksa transferojnë me qetësi 10 thasë me para në makinat e tyre, të cilat më pas u braktisën dhe iu vu zjarri. “Uauu, sa shumë thasë”, bërtet një shofer, teksa filmon grabitjen.
“Personat e armatosur janë të lirë. Si për të lënduar akoma më shumë plagën, makinat e grabitjes u gjetën të djegura në “Rrugën e Hajdutëve”, një fshat jo shumë larg kryeqytetit”, shkruan agjencia “Reuters”.

U grabitën dy blinda me para, si manipulon Tahiri me shifrat

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një dëshmitari në vendin ku u grabitën paratë e Bankës. Dëshmitari thotë se maskat kanë marrë para nga dy autoblindat, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë edhe pse ishte kudo në rrugë. “Dëshmitari dixhital informon: Janë vjedhur jo një, por dy blinda me para. Në segmentin rrugor ku u vodhën blindat me para ndodhej edhe patrulla e policisë, ai dyshon se, vjedhjen e parave të bankës e ka organizuar vetë policia!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Isha në vendngjarje dhe po them janë grabitur 2 blinda me para dhe jo 1 siç bëhet e ditur në media. Makina e parë u përplas nga grabitësit kokë më kokë, kurse blindi që ishte mbrapa u godit me kallash, duket qartë dhe në foto. Policia ishte kudo në rrugë s’e mora vesh si nuk ndërhynë. Me sa duket i vjedh vetë policia. Hajde shtet, hajde. Të lutem anonim nr”, shkruan dëshmitari.

Grabitësit u larguan me dy mjete në dy drejtime të kundërta

6 grabitësit janë ndarë në dy makina, pasi dogjën dy mjetet e vjedhura që përdorën për grabitjen. Sipas burimeve nga organi i akuzës, grabitësit kanë ndjekur dy rrugë të ndryshme, njëra që të çon drejt rrugës Vorë-Fushë Krujë dhe tjetra drejt një qendre tregtare pranë autostradës. Makinat janë parë nga disa dëshmitarë okularë, të cilët kanë dhënë dëshmi pranë grupit hetimor. Grabitja ndodhi mesditën e të enjtes në Qafë Kashar. Sipas të dhënave, rezulton se grabitësit kanë hyrë nga një rrugë dytësore për t’u prerë rrugën makinave të transportit të parave. Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të disa objekteve në përpjekje për të identifikuar mjetet e përshkuara nga dëshmitarët okulare.

Arrestohet edhe drejtori teknik i shoqërisë private

Pas pesë punonjësve të policisë private, që shoqëronin dy blinda me para të bankës së nivelit të dytë, BKT, që ra dje pre e grabitjes, është arrestuar sot edhe drejtori teknik i shoqërisë private. Burimet nga policia bëjnë të ditur është arrestuar Fatmir Gapi 56 vjeç. Ndërkohë që dje u arrestuan 5 punonjësit Xhelil Metaj, 43 vjeç, Gentian Dedja, 31 vjeç, Përparim Logu, 39 vjeç, Endrit Daçi, 31 vjeç, shofer i shoqërisë, Dashamir Balla, 42 vjeç, shofer i shoqërisë, ndërsa të tjerët punonjës SHPSF.
Ngjarja ndodhi dje në orën 13:35, në Qafë-Kashar, pranë rrugës për në Rinas. Pesë persona të armatosur dhe të veshur me kamuflazh të zi arritën të merrnin nën kërcënimin e armëve një shumë nga 100 mijë euro deri në 2 milionë euro, por asgjë e konfirmuar zyrtarisht.
Pesë autorët, pasi goditën një prej blindave, thyen me mjete të forta një prej xhamave të makinës dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para. Më pas, ata kanë djegur makinat e tyre pranë urës së Limuthit, afër Qafë-Kasharit.

Policia i heq licensën kompanisë “Jaguar Security”

Policia e Tiranës i ka hequr licensën “Jaguar Security”, kompanisë private të sigurisë që ishte përgjegjëse për transportimin e parave të bakës së nivelit të dytë. Një ditë pas grabitjes, Policia ka marrë këtë vendimi, në bazë të hetimit dhe analizimit të situatës së ngjarjes dhe dokumentave të firmës. Sipas policisë, kompania në fjalë ka falsifikuar dokumentat në lidhje me blindimin e makinës. Sepse sipas vëzhgimeve, kjo gjë nuk ka rezultuar e vërtetë.
Përpos 5 të arrestuarve dje, Xhelil Metaj, 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës SHPSF, Gentian Dedja, 31 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës SHPSF, Përparim Logu, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës SHPSF, Endrit Daçi, 31 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shofer i shoqërisë, Dashamir Balla, 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shofer i shoqërisë, ditën e sotme është arrestuar edhe Fatmir Gapi, drejtori teknik i kompanisë, si personi përgjegjës për blindimin e mjeteve.
Vjedhjet e shumave të mëdha nga makinat e bankave të nivelit të dytë, që ruhen nga siguri private, po bëhen një praktikë e zakonshme tashmë, sidomos në rrugën e Rinasit.

R.POLISI

Exit mobile version