Kapet në Itali gomonia me 1.6 ton drogë nga Shqipëria

Një gomone e ngarkuar me më shumë se 1.5 ton marijuanë u bllokua nga Guardia di Finanza në Monopoli. Sipas mediave italiane, gomonia e ngarkuar me drogë, udhëtonte drejt brigjeve italiane dhe u sinjalizua nga një patrullë detare të Guardia di Finanza të Tarantos. Njësitë Speciale Roan të Barit u vunë në dijeni dhe u drejtuan tek objektivi, i cili u arrit pas një ndjekjeje të shkurtër që përfundoi rreth 20 milje detare larg bregut.
Në bordin e gomones ishin dy shqiptarë të moshës 51 dhe 25 vjeç, të cilët u arrestuan me akuzën e mbajtjes së drogës dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Marijuana e sekuestruar një pjesë e së cilës u gjet dhe në det ishte ndarë në 79 pako të përmasave të ndryshme me një peshë totale prej 1.598 kilogramë.
Mediat italiane, duke cituar Guardia di Finanza-n, kanë dhënë detaje sa i përket gomones me drogë të bllokuar në Monopoli. Mjeti lundrues kishte dy motorë me nga 225 kuaj fuqi. Në gomone u gjetën mbi një ton e gjysmë e drogës (1600 kg). Droga ishte e ndarë në 79 pako të madhësive të ndryshme. Në momentin që trafikantët pikasën anijet e Guardia di Finanza-n, ata e hodhën një sasi të drogës në det. Nëse do të hidhej në treg, kjo sasi droge kapte vlerën e 15 milionë eurove.
1 ton kanabis është sekuestruar nga policia italiane pasditen e së mërkurës në Bari. Sipas mediave italiane, operacioni u krye nga Reparti Operativ Aerodetar i Guardia di Finanza i Barit me mbështetjen e avionit të agjencisë “Frontex”.
Ndërkohë, Policia italiane sekuestroi të enjten rreth 400 kg drogë në Brindizi dhe vuri në pranga dy shtetas. Mediat italiane shkruajnë se, gjatë operacionit të koduar “Progetto Pusher” autoritetet italiane arritën të zbulojnë e sekuestrojnë plot 394 kg marijuanë si dhe të arrestojnë poseduesit shqiptarë.
Sipas policisë italiane, droga ishte futur nga Shqipëria në Itali. Dy shtetasit shqiptarë Arben Ismaili, 39 vjeç dhe Nezir Vokrri 28 vjeç, e kishin fshehur sasinë e madhe të drogës në një ndërtesë në komunën Sbitri të provincës së Brindizit, raportojnë mediat italiane.
Para një jave u sekuestruan 2 ton drogë të nisur nga Shqipëria nga autoritetet italiane dhe greke. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf, kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane. Mediat greke bënë të ditur se, forcat e policisë greke dhe italiane kanë ndjekur për disa orë në det skafin e ngarkuar me drogë. Sikurse bëjnë me dije mediat greke, 3 personat që ndodheshin në skaf hodhën në det pakot me kanabis sativa, për të lehtësuar peshën në mënyrë që të mund t’i shpëtonin kapjes nga autoritetet.
Një helikopter po patrullonte nga ajri ndjekjen në det, që më pas vazhdoi në ujërat territoriale shqiptare. Skafistët u drejtuan drejt bregdetit shkëmbor shqiptar, ku dhe mundën t’i shpëtonin rojeve bregdetare italiane dhe greke.
Autoritetet greke dhe ato italiane mblodhën 122 pako të mbushura me kanabis sativa, që ishin hedhur në det. Nga peshimi rezultoi se bëhet fjalë për një ngarkesë prej 2 ton drogë. Sa i përket autorëve, ata mundën të arratiseshin dhe janë fshehur në Shqipëri.
Një skaf me 800 kg drogë që vinte nga Shqipëria u sekuestrua të dielën e kaluar në gjirin e San Cataldo-s. Pas sekuestrimit të 800 kg kanabis, të hënën e kaluar Guardia Di Finanza sekuestroi përsëri 500 kg drogë në ujërat e Detit Adriatik, në brigjet e Sao-s, në Leçe.
Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë është rritur frikshëm pas emërimit të Besmir Qibinit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës. Sipas statistikave, në një javë që njeriu i Tahirit u vu në krye të Policisë Kufitare të Vlorës, drejt Italisë dhe Greqisë janë futur plot 8 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Që nga fillimi i këtij viti, Guardia di Finanza ka bllokuar rreth 11 ton marijuanë.

R.POLISI

Exit mobile version