Ceremonia e Topit të Artë është ende larg, por shumëçka mbi trofeun më prestigjioz individual në botën e futbollit mund të vendoset këto ditë në Euro 2016. “France Football”, revista themeluese e këtij çmimi dhe aktualisht bashkëpadrone e tij me FIFA-n, ka stiluar një listë me katër kandidatë potencialë për të fituar Topin e Artë dhe të katërt kanë dy gjëra të përbashkëta. Luajnë me klubet e tyre në Madrid, Realin apo Atletikon, finaliste të Championsit dhe janë që të katërt gjysmëfinalistë në Francë 2016, me ndeshjet e mbetura të Europianit që do të vendosin për fatin e tyre. Natyrisht me Messin që vjen pas një zhgënjimi të madh me kombëtaren, vështirë se ky mund të jetë viti i Topit të 6 të Artë për argjentinasin, kështu që më i kuotuari mbetet Cristiano Ronaldo.
Pikat e tij të forta dihen, ishte vendimtar në suksesin e Realit të Madridit me 16 golat e tij në Champions League, por “dobësia” e tij janë sërish paraqitjet me kombëtaren. Duke përjashtuar dygolëshin ndaj Hungarisë, ai i tiji nuk ka qenë një Europian i jashtëzakonshëm, thotë “France Football”, që nënvizon individualizimin e portugezit që sipas saj shpesh duket sikur luan më shumë për veten se për bashkatdhetarët.
Kandidati tjetër është Gareth Bale, ai që shpesh është përkufizuar si trashëgimtari i Ronaldos. Edhe pse është ende shumë larg të eklipsuarit të portugezit, “France Football” evidenton diferencat mes tyre. “Mënyra e tij për të ushtruar funksionet e liderit te Uellsi është krejtësisht e kundërt nga ajo e shokut të tij të skuadrës te Reali. Bale ia ka dalë të shkëlqejë edhe pa Cristianon. Është e vështirë, por nëse do të fitonte Europianin, futbolli mund të ofronte një surprizë edhe në këndvështrimin e Topit të Artë”.