Këtë të mërkurë në “Stade de Lumiere” të Lyonit, shkruhet një pjesëz e historisë së futbollit. Luhet Portugali-Uells, sfida që vlen finalen e Euro 2016, një përballje që rezervon disa kuriozitete.
Klasifikimi FIFA- Uellsi ka bërë aty një ngjitje që nuk ka mundur ta bëjë askush tjetër. Në tetorin e 2015 arriti në vendin e tetë, aktualisht ndodhet në të 26-in, por është e lehtë të imagjinosh se pas këtij turneu do të bëjë një tjetër kërcim së larti. Dhe të mendosh që më 2010 Uellsi ishte në vendin e 112.
Chris Coleman, trajneri i Uellsit sot shijon triumfin, por fillimi nuk ishte aspak i lehtë. Mori detyrën e trajnerit në fillim të 2012 pas vetëvrasjes tragjike të mikut të tij, Gary Speed. Sot pak mund ta kujtojnë, por Coleman hyri në librat e rekordeve nga ana e gabuar, pasi rezultoi i pari trajner i Uellsit që humbi të 5 ndeshjet e para me përfaqësuesen. Pas një disfate 6-1 të pësuar nga Serbia ishte gati të dorëhiqej, por nuk ndodhi kështu dhe tani ëndërron finalen e një Europiani.
Gareth Bale, goleadori më i ri i Uellsit, (ka shënuar që në moshën 17-vjeçare) është 6 finalizime larg rekordit prej 28 golash të Ian Rush, njeriut që ka shënuar më shumë për “Dragonjtë”. Uellsi po bën historinë, por janë 6 klube të këtij vendi që kanë preferuar të luajnë në kampionatet angleze edhe pasi lindi Premier League e Uellsit, kështu pakkush e di se klube të Uellsit janë dhe Swansea i drejtuar nga Premier League, si dhe Cardif në Championship e Newport County, Wrexham, Colwyn Bay dhe Merthyr Town në ligat inferiore.
Për sa i përket Uellsit, ka luajtur ndeshje kundër 70 përfaqësueseve të tjera që janë ende në aktivitet dhe rekordi i Uellsit është në barazim të plotë me skuadra si Shqipëria, Danimarka, Greqia, Hungaria, Moldavia apo Turqia.
Te Portugalia rekordmeni është padyshim Ronaldo, ka numrin rekord të prezencave 131, si dhe atë të golave me 60 finalizime.
Renato Sanchez është shitja rekord e kampionatit portugez, Bajerni e bleu nga Benfica në një operacion prej 80 milionë eurosh, 25 të sigurtë dhe 45 milionë të tjerë në formë bonusesh në varësi të objektivave që i duhet të arrijë.
Dhe në fund Quaresma. Në Itali nuk ka lënë kujtime të mira te tifozët e Interit, por në këtë Europian ka qenë deçiziv me golin që eliminoi Kroacinë në 1/8 dhe me penalltinë e fundit në çerekfinalen me Poloninë.