40 ose 48 skuadra në Kupën e Botës

Pas pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian, e ardhmja pritet të rezervojë edhe një tjetër shans për Kombëtaren kuqezi, që të realizojë edhe ëndrrën, duke luajtur në Kupën e Botës. Me Euro 2016 që dhuroi imazhe historike falë përfaqësimit të debutuesve si Shqipëria, Uellsi apo Irlanda e Veriut e Islanda, me turneun që u zgjerua me 24 skuadra, tashmë edhe FIFA mendon të rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin e futbollit. Konfirmimi erdhi nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që nga Zyrihu konfirmoi se po shqyrtohen disa skema të organizimit të evenimentit më të rëndësishëm në botë, por vendimi përfundimtar do të merret vetëm në janar të vitit 2017.
“Kemi zhvilluar biseda intensive, të cilat kanë qenë mjaft konstruktive, megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë. Ndërkohë, pozitiv është fakti që tema e rritjes së numrit të përfaqësueseve pjesëmarrëse në Kupën e Botës po trajtohet në mënyrë pozitive. Vendimi përfundimtar do të merret gjatë mbledhjes së Këshillit të FIFA, i programuar në janar 2017”.
Njeriu që pasoi në krye të FIFA-s, Sepp Blatter, nuk heq dorë nga ideja e zgjerimit të turneut. Kupa e Botës mund të organizohet me 32 deri në 48 skuadra, megjithatë nuk përjashtohen edhe hipoteza të tjera.
“Në tryezën e bisedimeve kemi formate të ndryshme. Kupa e Botës mund të organizohet me 32, 40 apo 48 skuadra. Ndryshimet e reja do të hyjnë në fuqi prej Botërorit 2026”.
Infantino shpjegoi se, Botërori me 48 skuadra do të ndahej me 16 përfaqësuese që janë koka-serie dhe do të kualifikohen direkt në fazën e grupeve, ndërsa 32 ekipet e tjera do të luanin në ndeshje play-off për të përcaktuar 16 ekipet e tjera. Në këtë rast, evenimenti zyrtar do të organizohej gjithsesi me 32 skuadra finaliste, ashtu si në turneun aktual. Ndërkohë, FIFA po analizon edhe dy formate me 40 përfaqësuese: sipas variantit të parë do të luhet në 8 grupe me nga 5 skuadra, ndërsa varianti tjetër parashikon ndarjen me 10 grupe me nga katër përfaqësuese.

Exit mobile version