Janë 5 mijë e 722 shqiptarë në burgjet e vendeve të Bashkimit Europian. Një ekip ndërkombëtar gazetarësh ka mbledhur të dhëna nga 25 vende për të zbuluar këto statistika për çdo vend të BE-së, përveç Kroacisë, Maltës dhe Qipros. Në burgjet e BE, marokenët janë në vend të parë me 11.706 persona, në vend të dytë janë rumunët me 11.511 persona, ndërsa në vend të tretë shqiptarët me 5.722 vetë, që në raport me popullsinë janë në vend të parë, raporton faktor.al. Të dënuarit shqiptarë janë kryesisht për vepra të rënda penale, si trafik droge, vrasje, por edhe prostitucion dhe vjedhje.
Faktor.al ka mësuar nga autoritetet italiane se, shqiptarët që vuajnë dënimin në burgjet italiane renditen të tretët në numër mes të burgosurve me origjinë të huaj. Me të dhëna të përditësuara deri më 21 korrik 2017 në burgjet italiane gjenden rreth 2.429 persona nga 18 mijë të huaj të burgosur.
Të burgosurit shqiptarë përbëjnë rreth 13.4% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve me origjinë të huaj, duke u renditur kështu të tretët në nunër pas të burgosurve me origjinë marokene e atyre rumune.
Ndërsa në një raport të siguruar nga faktor.al del se shqiptarët në burgjet angleze janë 572 vetë, ose 5.7% e totalit. Sipas të dhënavë të statistikave të popullatës në burgjet angleze të datës 21 prill 2017, të burgosurit shqiptarë renditet të katërtit në numër pas të burgosurve nga Polonia, Irlanda, Rumania.
Ndërkohë në burgjet shqiptare sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve deri në muajin tetor 2017 gjenden 3 mijë e 79 persona.
Kostot
Një raport për mbipopullimin në burgje dhe paraburgime, i realizuar nga prezenca e OSBE-¬së në Shqipëri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardh kostot reale ditore të kategorive të ndryshme të personave që u privohet liria. Referuar përfundimeve të këtij raporti, personat e izoluar në qelitë e burgjeve apo të paraburgimit i kushtojnë shtetit një shifër nga 369 deri në 1380 euro për person në muaj, me një mesatare prej 13 euro dita. Në Itali, kostoja e një të burgosuri shkon në 131 euro dita. Bullgaria e Ukraina kanë kosto edhe më të ulëta për të burgosur, të cilat arrinin deri 3 euro për të burgosur në ditë, për një total prej rreth 1 mijë eurosh në vit. Në Kroaci, një i burgosur i kushton shtetit rreth 15 mijë euro në vit.
Popullsia totale e burgjeve për BE më 1 shtator 2014 ishte 620,540, sipas shifrave të Këshillit të Evropës. Rreth 113,000 nga kjo shifër ishin të huaj, gjithsej 18 për qind. Shumica e tyre vijnë nga vende të BE.