Pese persona janë arrestuar, dy prej të cilëve shqiptarë, dhe 42 kg marijuanë janë sekuestruar përgjatë një operacioni antidrogë të policisë italiane të Pordenones në rajonin e Friuli Venezia Giulia. Operacioni është ekzekutuar gjatë mbrëmjes së djeshme në parkun e një qendre tregtare në komunën Fiume Veneto në provincën e Pordenones, ndërsa po kryhej shkëmbimi i drogës mes tre italianëve dhe dy shtetasve shqiptarë. Të 5 personat u arrestuan në flagrancë me akuzën e trafikut të drogës të tipit marijuanë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 42 kg marijuanë e konfeksionuar në pako të vogla si dhe tre automjete, njëri prej të cilëve i tipit “Audi R6” me targa sllovene në zotërim të dy shqiptarëve të arrestuar. Ndërsa tre shtetasit italianë, rezidentë në rajonin e Puglias udhëtonin me një makinë të tipit “Renegade” e marrë enkas me qera për transportin e drogës.
Sipas autoriteteve italiane, tre pugliezët po i dorëzonin sasinë prej 42 kg marijuanë shqiptarëve. që do ta trafikonin më pas në Verilindje të Italisë, në zonat ku ata kishin lidhjet me korrierët trafikantë. Gjithashtu gjatë operacionit, pesë të arrestuarve iu sekuestruan dhe disa telefona celularë e rreth 1000 euro cash.