5 mite rreth spiunazhit

Helmimi i ish oficerit të inteligjencës ushtarake ruse Sergei Skripal dhe i vajzës së tij në Anglinë jugore, me shumë gjasa nga agjentë të inteligjencës ruse, nxjerr në pak rolin e spiunazhit në marrëdhënien e Rusisë me Perëndimin. Skripal ka qenë agjent i dyfishtë për britanikët nga vitet ’90 deri kur u arrestua nga forcat e sigurisë ruse në vitin 2004. Britania e rimori atë në një shkëmbim spiunësh në vitin 2010. Shpesh, për shkak të fshehtësisë, spiunazhi gjeneron konceptime të gabuara.

Spiunazhi rrit tensionet midis shteteve armike.
Mbulimi mediatik sugjeron – dhe disa kërkues besojnë – se marrëdhëniet ndërkombëtare ngrihen dhe ulen bazuar mbi skandalet e spiunazhit. Siobhan Martin i Geneva Center for Security Policy botoi një studim në vitin 2016, ku argumenton se natyra sekrete e natyrshme e spiunazhit është e përshtatshme që të shkaktojë probleme: “Lufta e Ftohtë u bë praktikisht një “luftë spiunazhi” midis agjencive të inteligjencës amerikane dhe asaj sovjetike dhe atyre të aleatëve të tyre”, shkruan ajo. “The Guardian” thotë se helmimi i Skripal “ka bërë që marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë të ulen ndjeshëm”.
Por spiunazhi është i gjithëpranishëm dhe të gjitha qeveritë janë të vetëdijshme se kundërshtarët e tyre – bile edhe miqtë dhe aleatët e tyre – po i spiunojnë ato. Vetëm rrallë aktet e spiunazhit çojnë në tension të konsiderueshëm midis shteteve. Edhe kur njhë skandal spiunazhi e bën qeverinë që të përzërë diplomatë dhe staf ambasade të një vendi tjetër, zhurma zakonisht shuhet shpejt dhe nivelet e përfaqësimit rivendosen.
Shpesh spiunazhi ka ndihmuar që të parandalohen apo të reduktohen tensionet. Gjatë Luftës së Ftohtë, agjencitë e spiunazhit sovjetik dhe gjermanolindor rekrutuan një numër të madh spiunash në selinë e NATO-s dhe në qeverinë gjermanoperëndimore. Prej tyre, liderët sovjetikë mësuan se forcat ushtarake amerikane dhe të NATO-s nuk po përgatiteshin për sulm. Mjetet teknike e mbledhjes së inteligjencës sollën siguri të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik përdorën sisteme të përpunuara – përfshi rikonjicioni satelitar, interceptues elektronikë dhe pajisje detare — për të mësuar se çfarë po bënte pala tjetër me arsenalin e saj ushtarak, sidomos me arsenalin bërthamor. Kjo u jepte liderëve të të dyja palëve se tjetra nuk po përgatitej që të lëshonte një sulm të befasishëm bërthamor.

Kjo tentativë vrasjeje do ta bëjë Rusinë non grata.
Pas sulmit ndaj Skripal, titujt e faqeve të para të gazetave në Britani dhe Irlandë lexonin se “Rusia po e bën veten non grata” dhe bënin thirrje për një bojkotim ndërkombëtar të Kupës së Botës në futboll, i së cilës Rusia është nikoqire. Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson u bëri thirrje “të gjitha vendeve të përgjegjshme” që të ndërmerrnin vendime të forta kundër “shpërfilljes së papërgjegjshme të rregullave bazike ndërkombëtare nga ana e Kremlinit” dhe Kryeministrja britanike Theresa May ju bashkua Presidentit francez Emmanuel Macron në premtimin për të “vepruar në koncert me aleatët” në mënyrë që Rusia ta paguante shtrenjt. May tregoi se Presidenti Trump i kishte thënë asaj se ai do të “ishte me Mbretërinë e Bashkuar deri në fund” për ta vënë Rusinë para përgjegjësisë.
Por sulmet e mëparshme ruse në Britani nuk kanë pasur kushedi se çfarë pasojash për Kremlinin. Pasi Alexander Litvinenko u vra në Londër në vitin 2006 nga dy operativë rusë që i helmuan atij çajin më Polonium-210, qeveria britanike vendosi sanksione, por pothuajse asnjë qeveri tjetër nuk vendosi. Menjëherë pas vdiq Litvinenko, Gjermania rikonfirmoi marrëdhëniet e saj të majme energjitike më kompanitë shtetërore ruse, një mënyrë jo fort e përshtatshme për të shprehur mosmiratim për një vrasje të pacipë.
Regjimi sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë i vriste kundërshtarët e tij që jetonin jashtë vendit, përfshi ata që jetonin në Londër, Mynih, Nju Jork dhe Uashington, me një pandëshkueshmëri relative. Gjatë dy dekadave të fundit qeveria ruse ka qenë në gjendje që të veprojë pakashumë njëlloj. Shpresat e May për zgjatjen e përpjekjeve perëndimore që ta izolojnë Rusinë nuk duket se ka gjasa të plotësohen.

Spiunët e tradhëtojnë vendin e tyre kryesisht për para.
Në një intervistë të vitit 2008 me Lawrence Wright e revistës “New Yorker”, Mike McConnell, në atë kohë Drejtor i Inteligjencës Kombëtare, argumentonte se pothuajse i gjithë personeli i inteligjencës amerikan që qe bërë spiun për fuqi armikë, e kishte bërë një gjë të tillë për para: “Hidhni një sy në të gjithë spiunët që kemi pasur në historinë tonë. . . . Janë rreth 130 të tillë. Sa prej tyre e bënë për para? 128”. Pretendimet e McConnell ishin në linjë me atë që Fox Neës e quante “mendimi mbizotërues në rrethet e inteligjencës, që për vite kanë deklaruar se para është më së shumti motivuesi më i rëndësishëm për spiunët”.
Megjithatë, ky “mendim mbizotërues” nuk ka lindur nga analiza historike. Thuajse të gjithë agjentët amerikanë që u bënë spiunë për Bashkimin Sovjetik gjatë epokës së Stalinit e bënë një gjë të tillë për arësye ideologjike. Shumë prej tyre as edhe nuk u paguan. Zyrtari i vetëm amerikan për të cilin paraja qe motivi kryesor pse ndihmoi Stalini qe kongresmeni demokrat i Nju Jorkut Samuel Dickstein, dorështrëgueshmëria e të cili qe aq e madhe, sa që kontaktet e tij sovjetikë i vunë pseudonimin “Hajduti”.
Pas Stalinit, para u bë një motiv gjithnjë e më i shpeshtë për agjentët e dyfishtë e inteligjencës amerikane, siç qe rasti me Aldrich Ames dhe Robert Hanssen. Por edhe atëhere, ideologjia qe akoma shtytësi kryesor, sidomos për ayta që shkuan të punojnë për Kubën, Gjermaninë Lindore apo Kinën. Pakënaqësia dhe një dëshirë e fortë për hakmarrje i shtynë shumë të tjerë që të bëheshin spiunë, të tillë si punonjësi i CIA-s Edward Lee Howard, zemërimi i të cilit se nuk po caktohej në një post jashtë vendit e shty që të ndihmonte KGB-në dhe në fund të arratisej në Bashkimin Sovjetik. Shumë të tjerë, si puna e rojes marins Clayton Lonetree, i emëruar në ambasadë në Moskë, u shantazhuan apo u shtrënguan që të spiunojnë, duke qenë se qenë angazhuar në takime seksuale të llojeve të ndryshme. Në periudhën e pasLuftës së Ftohtë, paraja është gjithnjë e më pak e rëndësishme. Një studim me plot autoritet, i sponsorizuar nga Departamenti i Mbrojtjes dhe me titull “The Expanding Spectrum i Espionage by Americans, 1947 – 2015”, gjeti se ajo qe faktor vetëm në 28% të rasteve të njohura të amerikanëve që spiunuan për vende të huaja nga viti 1990 deri në 2015.

Preokupimet lidhur me spiunët sovjetikë në vitet ’40 qenë të ekzagjeruara.
Victor Navasky, kryeredaktori veteran i “The Nation”, ka argumentuar se përpjekjet për të zbuluar spiunë sovjetikë në fundin e viteve ’40 qenë të gabuara dhe përfshinë njerëz të pafajshëm. Ai lidh investigimet e kundërinteligjencës së FBI-së e viteve ’40 me hakmarrjet demagogjike të Senatorit Joe McCarthy e viteve ‘50, duke argumentuar se të parat çuan pashmangshmërisht tek të dytat. Gazetari Jeff Kisseloff dhe romancieria Joan Brady kanë argumentuar se Alger Hiss dhe spiunë të tjerë të akuzuar u “mashtruan” dhe u “futën në kurth” në atë që Brady e përshkruan si “konspiracioni më i madh dhe më jetëgjatë në histori”.
Këto pikëpamje janë hedhur poshtë nga sasira të mëdha dokumentacioni. Dekriptimet amerikane e kabllogrameve të agjencive të inteligjencës me jashtë sovjetike nga vitet ’40 (të botuara në mesin e viteve ‘90) dhe material të deklasifikuara nga arkivat e ish inteligjencës sovjetike tregojnë se qindra qytetarë amerikanë, përfshi edhe disa zyrtarë të lartë si Algjer Hiss, i cili ka qenë zyrtar i lartë në Departamentin e Shtetit, punuan për agjencitë e inteligjencës së Stalinit.
Kur FBI-ja nisi të shkatërrojë rrjetet sovjetike të spiunazhit në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, shkalla e spiunazhit sovjetik ishte e pakuptuar akoma. Vetëm shumë vite më vonë zyrtarët amerikanë realisht filluan të shikonin sesa të mëdha kishin qenë rrethet e spiunazhit. Sikur Presidenti Harry Truman ta kishte ditur masën e plotë e tradhëtive, reagimi në Shtetet e Bashkuara do të kishte qenë shumë më i ashpër.

Spiunazhi synon kryesisht që të influencojë politikat e fuqive armike.
Një keqkonceptim çuditërisht i përhapur lidhur me spiunët është se ata synojnë që të ndryshojnë politikat në vendet ku veprojnë. Për shembull, një libër i botuar në vitin 2013, “American Betrayal. The Sercet Assault on Our Nation’s Character” i autores Diana Ëest, aludon se spiunët e Stalinit në vitet ‘40 praktikisht i kishin “pushtuar” Shtetet e Bashkuara dhe drejtonin politikan e administratës Roosevelt. Por qëllimi dominues i agjencive të inteligjencës është që të mbledhin informacion për vendet e huaja, veçanërisht ato armiqësore. Shërbimet inteligjente e fuqive të mëdha angazhohen gjithashtu në operacione të fshehëta, akte subversion dhe në përhapjen e propagandës e të dizinformimit, por pjesa e luanit e personelit dhe e resurseve të tyre shkon drejt mbledhjes së informacionit sekret nëpërmjet spiunazhit njerëzor e teknik dhe analizës pasuese të këtij informacioni.
Kjo qe po aq e vërtetë për Bashkimin Sovjetik në vitet ’30 e ’40 sa është edhe për Shtetet e Bashkuara sot. Dokumenta të deklasifikuara të inteligjencës sovjetike kinformojnë se detyra kryesore e qindra amerikanëve që qenë rekrutuar nga agjencitë e inteligjencës së Stalinit qe që të sigurohej informacion sekret dhe më pas ai t’i kalohej Moskës. Influencimi i politikës qe rrallë, në mos kurrë, objektivi i tyre kryesor. Në realitet, ai dekurajohej se mund të ngjallte dyshim dhe, për pasojë, rrezikonte aksesin në material të klasifikuara.
(Mark Kramer është Drejtor i Studimeve të Luftës së Ftohtë në Harvard University dhe anëtar i Davis Center for Russian and Eurasian Studies në Harvard University)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version