Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur dje, kur një grup prej pesë fëmijësh mbërritën me taksi nga qyteti i Cërrikut drejt “News 24” për të denoncuar dhunën e mësueses së tyre të quajtur Fatbardha Shabani. Ata thanë se, janë drejtuar ambienteve të “News 24” pa dijeninë e prindërve. Nxënësit ishin në klasën e pestë në shkollën publike “7 marsi”, ndërsa mësuesja sipas tyre që i kishte dhunuar jepte mësim në klasën e katërt.
Ata tregojnë se, mëngjesin e djeshëm ata kanë shkuar në shkollë si çdo ditë tjetër, por janë fyer nga mësuesja, e cila sipas tyre ka dyshuar se ata i kanë bërë video dhe foto. Njëri prej tyre thotë se, kishte me vete një telefon celular, të cilin po ia tregonte mësueseve të tjera, se çfarë materialesh kishte aty, por mohon të ketë pasur ndonjë foto apo regjistrim të mësueses. Nxënësit kanë rrëfyer se e kanë marrë rrugën në Tiranë me iniciativën e tyre dhe se mësuesja kujdestare u ka paguar lekët e taksisë. Ata ishin ankuar dhe në drejtori për dhunën, por kërkesa e tyre nga drejtuesit e shkollës nuk u përfill. “Ajo na tha se jeni mizerje fëmijësh. Nuk dini të silleni. Nuk dini të mësoni. Ne u ankuam te drejtoresha, duke i thënë se mësuesja na ka ofenduar, por ajo na tha se nuk është kështu”, thotë njëri nga nxënësit.
“Mësuesja na thotë që ka rregulla në shkollë, e pastaj na fyen e na dhunon. Kështu janë rregullat”, thotë një nxënës tjetër. Fëmijët shkojnë më tej në denoncimin e tyre, pasi thonë se drejtoresha e shkollës kërkon të largojë nga puna mësuesen kujdestare Mjaftoni Ago. Ky vendim, thonë fëmijët është kundërshtuar edhe nga prindërit e tyre që përmes një peticioni i janë drejtuar edhe Drejtorisë Arsimore në Elbasan. “News 24” vuri në dispozicion numrin e telefonit të regjisë për të marrë dhe reagimin e prindërve apo mësuesve për këtë ngjarje, por në kohën e minutazhit të transmetimit të kësaj ngjarje nuk pati telefonata.
Pas kësaj kanë reaguar prindërit e fëmijëve. Ata bashkë me fëmijët e tyre i janë drejtuar komisariatit të Policisë në Cërrik për të denoncuar ngjarjen. Pas kësaj, policia ka shoqëruar mësuesen kujdestare, Mjaftoni Ago, pasi ajo lejoi ardhjen e tyre në Tiranë të pashoqëruar. Prindi i njërit prej nxënësve ka reaguar për këtë ngjarje, duke u shprehur se e ka mësuar nga televizioni se vajza e tij nuk ishte në shkollë, Ilirjan Hida thotë se përgjegjësi për këtë ka mësuese Mjaftoni Ago. “Në shkollën ‘7 Marsi’ ka probleme. E mësova nga TV që vajza ime nuk ishte në shkollë. Mësuesja Mjaftoni Ago ka përgjegjësi për këtë. Fëmijët ankohen për personelin, dhe duhet hetuar për këtë. Shkaktarët të vihen para përgjegjësisë”, tha Hida.