Europol: Shqipëria, jo pjesë e operacionit për Klement Balilin

Ish-Kryeministri Berisha publikoi deklaratën zyrtare të Europol, e cila hedh poshtë pretendimet e ngritura nga Rama se në operacionin e organizuar nga Greqia, me mbështetjen e Belgjikës dhe Europol-it ka pjesë edhe Shqipëria.
Në deklaratën zyrtare të Europol, Shqipëria nuk përmendet në asnjë rresht.
“Më 9 maj 2016, 17 individë (11 grekë dhe 6 shqiptarë) nga një rrjet i organizuar kriminal i përfshirë në një shkallë të lartë të trafikut të lëndëve narkotike u arrestuan në një operacion të koordinuar dhe të drejtuar nga Greqia dhe e mbështetur nga Belgjika dhe Europol.  Kryesisht, rrjeti e kishte bazën e tij në Greqi, ndërsa dyshohet se qindra miliona euro janë fituar duke trafikuar lëndë narkotike në një numër të konsiderueshëm të vendeve europiane. Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine janë trafikuar nga kompani që merren me transportin rrugor të vendosura në Bullgari e Austri dhe kanë shërbyer si kompani kyçe.  Ditën e aksionit, një aksion i gjerë u ndërmor bashkë nga Greqia dhe Belgjika. Nga kërkimet rezultoi një sasi prej 698 kilogramë kanabis e destinuar për t’u trafikuar në Greqi dhe 96.5 kilogramë hashash e destinuar për t’u trafikuar në Belgjikë. 15 persona u arrestuan në Greqi dhe dy në Belgjikë” thuhet në komunikatën zyrtare të Europol. “Hetimet ende vijojnë dhe arrestime të tjera pritet të ndodhin në të ardhmen. Europol po mbështet këto hetime duke lehtësuar analizën kriminale duke ofruar mbështetje operacionale. Focal Point Cola është ekipi i specialistëve dhe analistëve të Europol i dedikuar për gjurmimin e trafikut të kokainës.  Që nga 2001, FP ka luftuar aktivitetet e dyshuara të organizatave kriminale dhe rrjeteve të përfshira në prodhimin, procesimin dhe trafikun e kokainës”, thuhet në komunikatën zyrtare të Europol-it” thuhet në komunikatën e Europol.

Ngjarja

Në mars të këtij viti, autoritetet greke informuan policinë dhe Prokurorinë shqiptare se një shtetas me emrin “Keli” ishte kreu i një organizate narkotrafiku, me shtrirje në disa vende të Europës. Por pas përfundimit të operacionit në Greqi, për palën shqiptare nuk erdhi asnjë provë ndaj të dyshuarve. “CNN” grek bëri të ditur se Klement Balili ka lidhje të forta politike.
Kur ka kaluar një javë nga operacioni me 15 të arrestuar në Greqi dhe dy shqiptarë të prangosur në Belgjikë si pjesë e të njëjtit rrjet, në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë rreth të dyshuarve si krerë të grupit të narkotrafikut. Lidhjet e forta politike të Klement Balilit, të theksuara nga “CNN” grek, mund të jetë një nga arsyet përse DEA dhe Prokuroria greke përjashtuan nga hetimet dhe finalizimi i operacionit palën shqiptare.
Edhe pse fillimisht pala shqiptare kishte bashkëpunim me atë greke në hetimin e këtij grupi, në përfundim gjithçka ndryshoi. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se policia shqiptare janë përjashtuar nga hetimi i këtij rrjeti, pasi nuk e kanë justifikuar besimin e DEA-s dhe autoriteteve greke. Faktet e deritanishme e konfirmojnë këtë gjë, duke hedhur dyshime të forta për rolin e vërtetë të institucioneve të hetimit shqiptar.

Arben Shahini

Exit mobile version