50 mijë euro një ngarkesë, krahu i djathtë i Habilajt mund të lirohet

Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë 20 ditë burg për Nezar Seitin, krahu i djathtë i Moisi Habilajt, për qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku është lëshuar urdhër arresti. Prokuroria kërkoi “burg pa afat” për 40-vjeçarin Nezar Seiti, por trupa gjyqësore vendosi ta lërë Seitin vetëm për 20 ditë në qeli. Gjatë kësaj kohe duhet të vijë dosja dhe kërkesa e ekstradimit nga Italia. Në rast se dosja nuk vjen nga vendi fqinj, pas më pak se 3 javësh Nezar Seiti mund të jetë sërish i lirë. Të dielën edhe Gjykata e Krimeve të Rënda e la në masën e sigurisë 20 ditë heqje lirie Nezar Seitin, emri i të cilit del jo pak herë në 416 faqet e përgjimet e bëra nga autoritetet italiane.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Armand Koçerrin dhe Nezar Seitin, të dyshuar për trafik droge të kryer në bashkëpunim. Koçerri dhe Seiti janë arrestuar lidhur me hetimet e Prokurorisë për grupin “Habilaj”. Koçerri u arrestua në flagrancë, pasi në shtëpinë e tij në Babicë të Vlorës u gjetën rreth 4 ton kanabis, në gjendje të tharë dhe gati për trafikim.
Ndërsa Seiti u ndalua me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Ndërkohë, provat e mjaftueshme për të siguruar ndalimin e tij u siguruan në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilat organizuan disa ditë më parë, në Itali, një operacion kundër disa anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal.
Nezar Seiti u ndalua disa ditë më parë gjatë operacionit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Vlorë, për dosjen Habilaj. Për arrestimin e tij janë angazhuar rreth 100 forca policie nga Tirana kryesisht nga Delta Force, ndërsa Policia e Vlorës është shmangur totalisht nga aksioni. Operacioni për sekuestrimin e tonelatave të drogës së Habilajve në Babicë të Vlorës është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me SHISH dhe autoritetet e huaja. Prokuroria bëri të ditur se ka përjashtuar nga aksioni Policinë e Shtetit për shkak se i druhej dekonspirimit të operacionit. Prokuroria bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, për kapjen e drogës në Babicë është kryer një hetim prej rreth një viti me Shërbimin Informativ dhe partnerët ndërkombëtarë.

Përgjimet: “Nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”

Emri i Nezar Seitit, renditet i katërti në listën e fletë-arresteve të prera nga Gjykata e Katanias. Nga të dhënat e hetimit, të firmosura nga gjyqtarja Loredana Pezzino, Nezari ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kokës së organizatës kriminale, Moisi Habilaj. “Ata merrnin ngarkesat në Itali me automjete në emër të shtetasve italianë”, shkruhet në dosjen hetimore.
Nezar Seiti takohej personalisht me porositësit e drogës. Në janar 2017, efektivët e GDF italiane e kanë ndjekur teksa ai ndodhej në lagjen San Giovanni Galermo (Katania), dhe në një rast, Seiti ka marrë 50 mijë euro për një sasi droge të shkëmbyer. Para që më pas u transportuan në Shqipëri, të fshehura në një ngarkesë me detergjente.
Po në janar 2017, në një bisedë me një anëtarin tjetër të grupit, Meridian Sulaj, Seiti thotë se bashkëpunimi me policinë nuk po shkon mirë: “Nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”, e kam telefononin në shtëpi… dhe nuk na telefonojnë më ato të Degës së Brendshme, se unë kështu i quaj ata, Dega e Brendshme,… kur kalojnë këta të policisë, “po kalon Sigurimi i Shtetit”, thuhet në përgjimet e Prokurorisë së Katanias.

Exit mobile version