‘Think Tank’-u i specializuar për zhvillimet politike në Evropën Juglindore dhe rajonin e Kaukazit, “OBC Transeuropa”, ka publikuar një artikull për situatën e rënduar ku ndodhet Shqipëria pas skandalit të çështjes Tahiri.
Me titull: “Shqipëria: shteti është vetë organizatë kriminale”, ky artikull paraqet një situatë tragjike për vendin tonë, duke nisur nga lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me bandën e Habilajve, deri te mbrojtja që Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama i dhanë në Këshillin e Rregullores.
OBC thekson se, qëndrimi i Ramës për Tahirin ndryshoi në më pak se 24 orë, ndërkohë që seanca e Këshillit në Kuvend u kthye në seancë gjyqësore kundër Prokurorisë. Në artikull pasqyrohen edhe protestat pro-Tahirit para ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, si një mjet presioni për të mos bërë drejtësi për këtë çështje, dhe fyerjet ndaj gazetarëve që i drejtonin pyetje deputetit socialist.
Në fund, në artikullin që mban emrin e autorit Tsai Mali, thuhet se dosja me 400 faqe e Prokurorisë italiane konfirmon kapitullimin e shtetit shqiptar.