Nga Paolo Rossetti
Jashtë Sirisë gjenden sot 7 milionë refugjatë, përveç 6 milionë personave të zhvendosur brenda vendit. Gjermania (dhe Europa), Turqia dhe Libani duan rikthimin e tyre, edhe pse Siria është ende një gërmadhë. Por për Mauro Indelicaton, gazetar i Inside Over, Affari Italiani, si dhe profesor në Unicusano, rikthimi mund të jetë shumë problematik.
Procesi i rindërtimit është aq i vështirë, sa që po krijon një valë tjetër emigrantësh. Për këtë arsye, presidentja e KE Ursula von der Leyen, sapo i ka dhënë presidentit turk Erdogan 1 miliadë euro të tjera, për të mbajtur sirianët që ndodhen tashmë në Turqi. Dhe për të njëjtën arsye, BE-ja do të mbështesë rimëkëmbjen e Sirisë.
Mbi të gjitha mbetet e panjohura mbi aftësinë e qeverisë së re për të dalë nga kriza. Kryeministri i ri, Mohammed Al-Bashir, po i fton refugjatët të kthehen. Ai dëshiron të kënaqë me komunitetin ndërkombëtar, që të heq sanksionet ndaj Sirisë dhe të shpenzojë më shumë para për të.
OKB-ja vlerëson se 1 milion refugjatë do të rikthehen në Siri deri në qershor të vitit që vjen. Sa sirianë kanë ikur jashtë vendit si pasojë e luftës?
Gjithsej jashtë vendit janë 7 milionë sirianë, nga të cilët afro 4 milionë në Turqi, 1 milion në Liban dhe të tjerët midis vendeve të Gjirit dhe Evropës, veçanërisht në Gjermani, ku janë të punësuar si mjekë dhe infermierë në shumë spitale. Merkel i pranoi pikërisht për këtë arsye.
Gjermania ishte ndër vendet e para që shpalli synimin e saj për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me Sirinë. A është kjo njëra nga arsyet?
Gjermanët janë në pragun e një fushatë zgjedhore. Ideja për t’u paraqitur para votuesve me një urdhër dëbimi për mijëra sirianë, i josh të gjitha partitë. Madje edhe SPD-së, e cila po kërkon dëshpërimisht vota. Ndaj, Gjermania, së bashku me Austrinë dhe Danimarkën, janë të interesuara të rikthejnë sa më shumë refugjatë. Megjithatë, përveç 7 milionëve jashtë vendit, janë edhe 6 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit. Nga 24 milionë banorë që ishin në vitin 2010, 13 milionë janë refugjatë.
Turqia do të donte t’i rikthente ata në Siri, siç po bën Libani. Por edhe nëse do të riatdhesonte vetëm 1 milion njerëz, siç thotë OKB, a do të ishte e lehtë të priten në një vend të shkatërruar nga diktatura, lufta dhe tërmeti? Si mund të zgjidhet ky problem?
Shifra që jep OKB-ja më duket shumë optimiste, edhe sepse ajo bazohet në supozimin se Siria do të arrijë paqen e brendshme deri në qershor 2025. Por është e parakohshme të parashikohet një situatë e stabilizuar brenda 6 muajve. Nëse do të ndodhte vërtet, do ishte një problem i madh.
Nëse nuk ishte aspak e lehtë për Gjermaninë dhe Turqinë të përballonin eksodin e sirianëve vitet e fundit, rikthimi në një vend që po përpiqet të rimëkëmbet, dhe është ende i prekur nga një konflikt, paraqet një sfidë të cilën Damasku në këtë moment s’është në gjendje ta përballojë.
Përveç Sirisë, problemi i refugjatëve është gjeopolitik?
Po, është i tillë për Turqinë, Gjermaninë dhe Evropën. Turqit i shohin mbi 3 milionë refugjatët sirianë si një rrezik për ekonominë e tyre. Muajt e fundit, në disa qytete ka pasur sulme të organizuara kundër tyre. Për Erdoganin është një problem politik shumë i rëndësishëm. Megjithatë, kthimi është i vështirë për t’u organizuar. Sepse në Siri mungojnë shtëpitë, janë shkatërruar qytetet, dhe mbi të gjitha mungon rendi dhe qetësia, sepse luftimet ende nuk kanë përfunduar. Pra është një problem që nuk mund të zgjidhet brenda pak muajsh.
Atëherë, pse qeveria e përkohshme e Mohammed Al-Bashir, po i fton refugjatët që të kthehen?
Dy janë arsyet. Së pari për shkak të imazhit. Diktatura u rrëzua pas shumë vite luftë, dhe po bëhet apel që të kthehen emigrantët si një shenjë se situata është përmirësuar. Së dyti për arsye ekonomike. Sundimtarët e rinj, e kanë parë se sa shumë ka përfituar Turqia dhe vendet e tjera shfrytëzimi i punës së refugjatëve.
Ndoshta Al-Jawlani po bën këtë llogaritje: nëse i lejojmë bashkatdhetarët tanë të kthehen, ndoshta ta bindim komunitetin ndërkombëtar të na heqë sanksionet, dhe të na japë capara për t’i mbështetur ata, por edhe për procesin e rindërtimit.
Von der Leyen sapo i ka dhënë 1 miliard euro Erdoganit, pikërisht për t’i ndihmuar sirianët që gjenden në Turqi. A janë ata një problem serioz edhe për Evropën?
Von der Leyen ishte Ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, kur midis viteve 2015-2016, pati një eksod të madh të sirianëve drejt Evropës Veriore. Ajo e mban mend shumë mirë, se sa e vështirë ishte menaxhimi i atij fluksi të madh refugjatësh. Dhe kjo e shtyn ndoshta që të ngrejë menjëherë “murin” për të shmangur një eksod të ri. Në pritje të sqarimit të situatës, Erdoganit do t’i jepen para për të mbajtur refugjatët në Turqi.
Pra BE-ja ka vërtet frikë nga një valë e re emigrantësh?
Përtej shifrave që jep OKB-ja, flitet për një rikthim të refugjatëve në Siri. Por rreziku në kahun e kundërt është shumë i madh: një dalje e mëtejshme e refugjatëve nga Siria, pikërisht sepse situata nuk është e qëndrueshme. Po flasim për një vend ku energjia elektrike garantohet vetëm për disa orë në ditë.
A mund ta nxisë kjo komunitetin ndërkombëtar të investojë në Siri, ta stabilizojë këtë vend, dhe të shmangë valët e mëtejshme të emigrantëve?
Kjo gjë duhet të ishte bërë disa vite më parë. Nuk ndodhi për shkak të fajit së Assadit. Një vend i paqëndrueshëm, i varfër dhe pa strukturë, është një “bombë” e gatshme të shpërthejë nga momenti në moment, jo vetëm nga pikëpamja migratore, por edhe nga ajo gjeopolitike. Unë shpresoj që këtë herë komuniteti ndërkombëtar të luajë një rol më pro-aktiv në promovimin e rindërtimit.
Kush ka më shumë interes për rimëkëmbjen e Sirisë, dhe kush ka më shumë frikë nga kjo?
Në të dyja rastet Turqia. Nga njëra anë, ajo shpreson të ketë një Siri të qëndrueshme për të shmangur refugjatët e rinj, dhe për t’u dhënë një shans rikthimi atyre që kanë ikur. Nga ana tjetër, Erdogan ka shumë frikë se mbështetja e tij për kursin e ri, mund të shndërrohen në një bumerang në planin afatgjatë, nëse evoluimi i situatës nuk ndodh ashtu siç dëshiron presidenti turk.
Për të rindërtuar Sirinë duhet një lloj “Plani Marshall”. Por kush do të investojë në të?
Problemi nuk është se kush i vendos paratë, por kush i fut nëpër xhepa. Sepse edhe më parë janë bërë plane për rindërtimin e Afganistanit, Irakut, por edhe të tjerëve pas fatkeqësive natyrore, por ato shpesh përplasen me “murin” e politikës së korrupsionit dhe destabilitetit. Financimi mund të gjendet, por problemi është se kush e menaxhon për t’i çuar atje ku duhet realisht.
A do të paguajnë për këtë proces Turqia, Katari dhe BE-ja?
Evropa do t’i japë paratë për të shmangur emigrantët e mëtejshëm Por edhe sepse rindërtimi nënkupton mundësinë e shumë punëve për kompanitë e saj. Është një mundësi ekonomike e rëndësishme. Pra krahas Turqisë dhe petro-monarkive të Gjirit, kontributore do të jetë edhe BE-ja. /Përshtatur nga “Il Sussidiario”