Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se amnisitimi i të korruptuarve të Edi Ramës me votën e Sali Berishës ishte një mesazh politik i kësaj dysheje kundër SPAK.
Në një postim në facebook, Basha shkruan se amendamenti i tij për përfshirjen e protestuesve të opozitës në amnisti u refuzua nga aleatët e Ramës në opozitë, duke zgjedhur të mbështesin amnistimin e të korruptuarve.
Ai e quajtn këtë akt një mënyrë për të ruajtur një sistem të kalbur dhe pandëshkueshmëri. Basha ftoi shqiptarët të bëjnë zgjedhjen mes atyre që mbështesin luftën kundër korrupsionit dhe atyre që përdorën Parlamentin për të shpëtuar të korruptuarit.
Postimi i plotë i Bashës:
Amnisitimi i të korruptuarve të Edi Ramës me votën e Sali Berishës ishte një mesazh politik i kësaj dysheje kundër SPAK. Ajo që e bën edhe më të turpshëm lirimin e të dënuarve nga GJKKO, është se patericat e Ramës në opozitë refuzuan hapur amendamentin tim për të përfshirë protestuesit e opozitës në atë amnisti.
Mes amnistimit të protestuesve dhe amnistimit të të korruptuarve, Berisha dhe të tijët zgjodhën të rreshtoheshin në krah të Ramës, duke amnistuar të korruptuarit.
Koha provoi se denoncimet tona ishin të drejta, amnistimi i të dënuarve nga GJKKO, ishte pjesë e një plani të përbashkët mes Ramës dhe Berishës për të penguar punën e SPAK, me qëllim mbajtjen në këmbë të këtij sistemi të kalbur, ku sundon pandëshkueshmëria, jo ligji.
Më 11 maj , shqiptarët do të kenë mundësinë të dallojnë kush ka qenë konsekuent dhe kush ka bërë pazare në kurriz të luftës kundër korrupsionit. Unë ju ftoj të zgjidhni ata që mbështesin pa asnjë lëkundje luftën kundër korrupsionit, jo ata që përdorën Parlamentin për të shpëtuar të korruptuarit.