7 problemet te Barça

PIRAEUS, GREECE - SEPTEMBER 18: Ernesto Valverde, head coach of Olympiacos FC during the Greek Super League match between Olympiacos FC and Xanthi FC at the Karaiskakis Stadium on September 18, 2011 in Piraeus, Greece. (Photo by Louisa Gouliamaki/EuroFootball/Getty Images)

Ernesto Valverde emërohet trajneri i ri i Barcelonës. Konfirmimi vjen nga ana e presidentit të klubit blaugrana Josep Maria Bartomeu, i cili ka bërë publik emrin e teknikut që do të ulet në krye të stolit katalanas duke nisur që nga sezoni i ardhshëm i La Liga-s. Sipas asaj që bëjnë me dije mediat spanjolle, Valverde do të firmosë një kontratë dyvjeçare, që mund të zgjatet edhe me një vit në rast të arritjes së rezultateve pozitive. Prezantimi i ish-trajnerit të Athletic Bilbao do të bëhet ditën e enjte në ambientet e klubit të Barcelonës. Vendimi u mor pas mbledhjes së komisionit sportiv dhe këshillit administrues të katalanasve.
Ernesto Valverde në të kaluarën e tij ka drejtuar skuadrën greke të Olympiakos, Valencia, Villareal dhe Espanyol dhe në dy vitet e fundit atë të Atletic Bilbaos. Emri i teknikut 53-vjeçar është përmendur shpesh në ambientet e Barcelonës përgjatë dy viteve të fundit dhe tashmë ka ardhur momenti i tij. Valverde do të zëvendësojë të larguarin Luis Enrique, i cili drejtoi për tri sezone klubin blaugrana, por mungesa e rezultateve bëri që bashkëpunimi mes palëve të ndërpritet.
E përditshmja spanjolle “Marca” ka bërë një analizë, rreth asaj se çfarë duhet të ndryshojë ose të bëjë Valverde në Barcelonë. Spanjollin e presin punë shumë të vështira që në fillim, pasi i duhet të ndryshojë shtatë gjëra, të cilat do ta mbanin Barcelonën në vijë me skuadrat më të mëdha.
Shtatë gjërat që duhet të bëjë Valverde janë:
1. Ta rikthejë Barcelonën në krye të futbollit botëror – Barcelona e kohëve të fundit ka humbur vendin e parë në renditjen e UEFA-s dhe FIFA-s, pavarësisht se është në mesin e më të mirave.
2. Të vazhdojë me Iniestan – Mesfushori katalunas ende nuk ka vendosur rreth kontratës së re, por Valverde do të tentojë ta bindë Iniestan se ai është një lojtar i rëndësishëm në ekipin e tij.
3. Të zvogëlojë rëndësinë e MSN – Kur treshja e Barcelonës është në formë, ata fitojnë pa problem, por kur kjo treshe ka probleme, atëherë Barcelona vuan shumë dhe kjo i ka kushtuar këtë edicion.
4. T’i besojë akademisë – Barcelona kohëve të fundit shumë pak i ka besuar lojtarëve që kanë dalë nga akademia, pasi më shumë janë mbështetur në blerjet e mëdha.
5. Të menaxhojë Messin – Argjentinasi shumë shpejt do t’i bëjë 30 vjet dhe Valverdes i duhet të ketë kujdes me të dhe të reduktojë minutazhin e tij.
6. Të ofrojë një fytyrë miqësore – Barcelona ka vuajtur shumë me trajnerin Luis Enrique, i cili nuk ishte aspak miqësor me mediat, madje shpesh kishte krijuar edhe skandale.
7. Të përmirësojë mbrojtjen – Një nga problemet më të mëdha të kësaj Barcelone është mbrojtja. Këtë e tregon edhe fakti se gjatë këtij edicioni mori katër gola ndaj PSG dhe tri gola ndaj Juventusit.

Exit mobile version