“BBC”: Wenger te Arsenali deri më 2019

Surprizon Arsenali. Drejtuesit e klubit anglez kanë arritur marrëveshjen me Arsene Wenger për t’i rinovuar edhe me 2 vite të tjera kontratën trajnerit francez. Mungon ende zyrtarizmi, por lajmi publikohet nga “BBC” në seksionin e saj të sportit dhe tashmë është i sigurtë qëndrimi i Wenger te Topçinjtë, me 67-vjeçarin, që në orët e ardhshme do të firmosë zyrtarisht kontratën e re, për të zgjatur edhe me 2 sezone të tjera qëndrimin e tij 21-vjeçar te Arsenali.
Edhe pse e mbylli sezonin në vendin e 5-të duke mos arritur të sigurojë kualifikimin në Champions League pas 20 vitesh, Wenger do të vazhdojë aventurën e tij te Arsenali, pasi drejtuesit besojnë shumë te aftësitë e francezit duke dalë edhe kundra tifozëve, të cilët kanë kërkuar largimin e Wenger. Suksesi 2-1 ndaj Chelsea-it, në finalen e FA Cup rriti kuotat e 67-vjeçarit për të qëndruar te Topçinjtë e Londrës. Arsenali nuk e fiton kampionatin anglez që prej vitit 2004, por kjo nuk e ka penguar pronarin Stan Kroenke t’i ofrojë rinovimin trajnerit Wenger. Në këto 21 vite karrierë me klubin londinez, 67-vjeçari francez e ka udhëhequr Arsenalin drejt fitimit të 16 trofeve, mes tyre edhe 3 titujve të Premier Leagues.

Exit mobile version