700 kg drogë me gomone nga Shqipëria bllokohen në Itali

Policia italiane e Maceratës e rajonit Marke ka sekuestruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një gomone me rreth 700 kg marijuanë në bord. Gomonia ishte braktisur nga skafistët në bregdetin e plazhit Porto Recanati të Macerratës. Mediat italiane shkruajnë se, lënda narkotike ndodhej në 28 pako të mëdha me rreth 30 kg drogë secila. Vlera e saj në tregun e shitjes do të sillte një përfitim prej 5 milionë euro. Gomonia ishte e pajisur me 2 motorë të fuqishëm prej 200 kuaj fuqi secili dhe brenda saj policia italiane ka gjetur gjithashtu dhe 29 bidona me benzinë.
Policia italiane bëri të ditur se, lënda narkotike dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe se është braktisur nga skafistët në tentativën për t’i shpëtuar kontrollit të rojes bregdetare italiane. Supozohet se moti i keq e deti mjaft i trazuar gjatë natës ka ndryshuar drejtimin e gomones. Skafistët kanë zbarkuar në destinacionin e gabuar siç është Porti Recanati e kanë braktisuar gomonen në pamundësi për ta dorëzuar lëndën narkotike tek trafikantët e tjerë që e prisnin në tokë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbuluar trafikantët shqiptarë dhe lidhjet e tyre me ata italianë. Gjithashtu, sipas mediave italiane, po hetohet edhe për porositësit e lëndës narkotike në Itali.
Pas një pauze të shkurtër, trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë ka nisur sërish. Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali para disa ditësh u shpreh se, vetëm gjatë muajit mars të këtij viti u bllokuan në shkallë vendi rreth 10,3 tonë lëndë narkotike. 7,8 ton ishte e llojit marijuanë me prejardhje nga Shqipëria, ndërsa rreth 2,5 tonë ishte hashash.
Në vitin 2016, 3.5 herë më shumë drogë e sekuestruar nga policia italiane në krahasim me vitin 2015. Ky është përfundimi i raportit të vitit 2016 të bërë nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali. Raporti i Antidrogës italiane vlerëson se në vitin 2016 u vu re një rritje e ndjeshme e sekuestrimeve të marijuanës, në 41.6 tonë apo gati 347.15% më shumë në krahasim me vitin 2015. Sipas raportit, rritja është në kontrast absolut me vitin e shkuar, ku kishte më pak aktivitet në trafikun e narkotikëve. Gjithashtu pozita e favorshme e Shqipërisë ka shërbyer si një pikë kalimi për shumë rrugë trafiqesh droge.
Pjesa më e madhe e marijuanës u dërgua përgjatë vitit 2016 nga Shqipëria me gomone nga rajoni i Vlorës apo përmes automjeteve kryesisht nga Porti i Durrësit. Sipas të dhënave të Antidrogës italiane, shtetasit shqiptarë zinin vendin e dytë për nga numri i arrestimeve dhe rasteve të dërguara në gjykata pas marokenëve përgjatë vitit 2016. Ndonëse pak kohë më parë u shkarkuan disa funksionarë të lartë në Portin e Durrësit për lejim të kalimit të sasive të mëdha të drogës, kanabisi vazhdon të kalojë me tonelata pikërisht nga kjo pikë kufitare.
Sipas Antidrogës italiane, policia arrestoi në rreth 2300 operacione 2170 persona nga të cilët 1109 të huaj. Mes të arrestuarve të përfshirë në vepra të trafikut dhe shpërndarjes së drogës 214 persona ishin të mitur.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti është shprehur i shqetësuar për trafikun e drogës nga Shqipëria. Sipas tij, në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari, mbërrijnë nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone. “Është një dukuri shqetësuese. Ne kohët e fundit kemi qenë në Shqipëri, bashkë me prokurorët e Leçes, Barit e Katanxators, për t’u takuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë dhe të kërkojmë hetime edhe në Shqipëri. Në fakt kemi parë se, rastet e trafikut e drogës nga Shqipëria janë rritur ndjeshëm”, është shprehur Franko Roberti.

R.POLISI

Artikulli paraprak1.1 milion dollarë në bankë, shtyhet gjyqi ndaj Pezës
Artikulli tjetërSi u blenë votat me lekë dhe terror nga bandat në Vlorë