PD thirrje Prokurorisë: Heto supermilionerin e Ramës me tendera pa garë

Partia Demokratike i kërkoi sot Prokurorisë që të nisë hetimet ndaj biznesmenit, ish-prefektit, kandidatit për deputet i PS dhe një nga njerëzit më të afërt të Ramës, Safet Gjici. Deputeti i PD, Ervin Salianjin, doli sërish sot në deklaratë për mediat, duke kërkuar të nisin hetimet nga prokuroria, pasi Gjici ka përfituar miliona euro tendera, pa garë.
Deklarata e plotë
Safet Gjici nuk dha dje asnjë përgjigje përse ka kryer veprën penale të mashtrimit me tenderat publike, por kërcënoi me drejtësinë e re të Edi Ramës, i cili e ka bërë supermilioner me paratë e shqiptarëve.
Dokumentat e paraqitura nga Partia Demokratike tregojnë qartë se tenderat janë fiktive, se në tender merr pjesë vetëm Gjici, me dy kompanitë e tij kundër njëra- tjetrës dhe fiton njëra prej tyre, pra fiton Gjici.
Dy kompanitë, me të cilat drejtuesi politik i Ramës në Kukës thotë se nuk ka lidhje, quhen:
1. EUROGJICI SECURITY shpk dhe ka përfituar 250 tendera, me vlerë 21.3 mln dollarë, nga të cilat 143 pa garë me vlerë 3 milion dollarë dhe aktualisht është e vëllait të tij.
2. TONI SECURITY shpk, ka përfituar 65 tendera, me vlerë 3.8 mln dollarë, nga të cilat 28 pa garë, me vlerë 709 mijë dollarë. Toni është emri i djalit të Safet Gjicit.

Këto dy kompani, që “konkurojnë” fiktivisht kundër njëra-tjetrës, kanë të njëjtën adresë fizike, të njëjtën adresë e-mail-i. Nga ekstraktet historike vërtetohet se, të dyja shoqëritë zotërohen nga i njëjti person (Gjici), pasi:
1. Adresa fizike e selisë është e njëjtë, konkretisht: Rruga “Adem Jashari”, Njesia Bashkiake nr.5, Lagjja nr.8, hyrja nr.10, apartamenti nr.3, Tiranë (i njëjti apartament)
2. Adresa elektronike është e njëjtë: financaeurogjici@gmail.com
25.2 milion dollarët e përfituar nga Gjici nëpërmjet dy kompanive të tij, i janë dhënë duke prishur garën në tendera, duke falsifikuar dokumenta zyrtarë dhe duke i shkaktuar shtetit dëme me miliona Euro. Shkeljet janë të faktuara nga dokumentat e publikuara nga ne, dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimin për të çuar para përgjegjësisë penale abuzuesit e miliona Eurove.
Edi Rama që po zhvat qytetarët kuksianë për të kaluar “Rrugën e Kombit” dhe nuk ka ndërmend t’i lërë ata të kalojnë falas në rrugën e ndërtuar edhe me taksat e tyre, i tall kuksianët me premtime për abone, ndërsa kuksianit Gjici, me të cilin blen vota për të ruajtur pushtetin, i jep 25.2 milionë dollarë.
Skema e përdorur nga Gjici në mashtrim të plotë të ligjit, përbën vepër penale për të cilën prokuroria duhet të nisë hetim të plotë.
Krijimi i kompanive fiktive, prishja e barazisë në tendera, falsifikiki i garës si mbulesë që Gjici të konkurojë me veten e të përfitojë miliona dollar, janë shkelje që meritojne hetim te plote per Gjicin dhe pronarin e tij Rama.

Exit mobile version