8 aksidente nga rreshjet në Kukës dhe Sarandë

Reshjet e dendura të shiut në rajonin e Kukësit kanë krijuar probleme në qarkullimin rrugor. Në rrugën Kukës-Morinë, të hënën në mbrëmje pati tre aksidente me shtatë shtetas kosovarë të lënduar jashtë rrezikut për jetën. Situata në segmentin Morinë-Tunel Kalimash aktualisht është normale dhe nuk ka probleme në lëvizjen e automjeteve.
Në disa pjesë të segmenteve të tjera rrugore ka patur rrëshkitje të gurëve dhe dherave. Problematike mbetet segmenti i rrugës Kukës-Krumë që momentalisht është pa kontratë sipërmarrje. Në segmentet rrugore Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bushtricë pati rënie gurësh dhe dhera për shkak edhe të terrenit që favorizojnë rënien e gurëve dhe të inerteve në rrugë. Reshjet e orëve të fundit kanë shtuar sasinë e ujërave, të cilat furnizojnë liqenin e Fierzës. Me një intensitet të lartë, këto reshje kanë sjellë uljen e ndjeshme të temperaturave.
Ditën e djeshme në qytetin e Sarandës në vendin e quajtur Qafë Muzinë janë regjistruar 5 aksidente. Kjo situatë problematike është shkaktuar si pasojë e motit të keq. Nga përplasjet nuk ka të lënduar dhe viktima, por vetëm dëme materiale. Që nga mbrëmja e së hënës, ku reshjet dhe stuhia kanë ndërprerë edhe ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, pritet që në të gjithë Shqipërinë të ketë mot të keq dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.

Exit mobile version