Tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur paratë në një kompani ndërtimi në autostradë. Bëhet e ditur se shifra e vjedhur arrin në 14 milionë lekë të vjetër. Sipas burimeve, grabitja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas burimeve të policisë, me anë të thyerjes disa persona kanë hyrë në ambientet ku mbahej kasaforta dhe e kanë marrë nga aty. Grabitja është konstatuar vetëm kur administrata e firmës së ndërtimit ka filluar punën rreth orës 8 të mëngjesit.
Menjëherë është bërë denoncimi në polici, ku mësohet se nga dëshmitë e punonjësve, në kasafortë kanë qenë 14 milionë lekë të vjetra. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së objektit si dhe ka marrë në pyetje punonjësit e sigurisë. Deri tani nuk ka asnjë gjurmë nga autorët. Bëhet e ditur se në kamerat e sigurisë shfaqen tre persona të maskuar dhe të armatosur që futen në kompani. Maskat kanë marrë kasafortën dhe janë larguar me një makinë. Sipas burimeve, nga pamjet e kamerave të sigurisë nuk duken qartësisht personat, pasi janë të maskuar.
Dy ditë më parë, zyrat e një tjetër kompanie në zonën e Kombinatit u vodhën, e autorët që arritën të merrnin 7 milionë lekë të vjetra. Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje.
Dy ditë më parë një i ri ka denoncuar një vjedhje që i është bërë. Denoncimi është bërë në Komisariatin Nr.3 në Tiranë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se, “25-vjeçari D.B., banues në Tiranë, shitës karburanti në rrugën “Myslym Shyri” tek një karburant, ka kallëzuar se rreth orës 02:00, një person i paidentifikuar, i ka marrë 40.000 lekë”. Të njëjtat burime shtojnë se autori i ngjarjes është ende i lirë dhe se po “punohet për identifikimin dhe kapjen e tij”. Para pak ditësh u grabit një pikë karburanti po në Tiranë në afërsi të “Brryllit”.